E Diel, 1 Nëntor 2026

“Politico”: Trump: Zelensky po përdor luftën për të shmangur zgjedhjet

UASHINGTON, 9 dhjetor /ATSH/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka kritikuar homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky duke thënë se po përdor luftën për të shmangur organizimin e zgjedhjeve, sipas “Politico”.

Në një sfidë të re ndaj Zelensky, i cili duket i dobësuar politikisht për shkak të skandalit të korrupsionit, Trump përsëriti thirrjen e tij për organizmin e zgjedhjeve të reja në Ukrainë.

“Mendoj se është një moment i rëndësishëm për të zhvilluar zgjedhjet. Ata po përdorin luftën për të shmangur zgjedhjet, por mendoj se populli ukrainas duhet t’i ketë këto zgjedhje. Dhe ndoshta Zelensky do të fitonte. Nuk e di kush do të fitonte. Por, ata nuk kanë pasur zgjedhje për një kohë të gjatë. Ata flasin për demokracinë, por kanë arritur në një pikë ku nuk ka më demokraci”, tha presidenti Trump në Shtëpinë e Bardhë në një intervistë për “Politico”.

Kur u pyet për mundësinë e refuzimit të marrëveshjes së paqes nga presidenti Volodymyr Zelensky, Trump deklaroi se lideri ukrainas duhej të ndërmerrte hapa dhe të fillonte të pranonte situatën pasi ishte duke e humbur konfliktin.

“Ata kanë humbur territor shumë kohë përpara se unë të vija këtu. Ata humbën një brez të tërë bregdetar, një brez të madh bregdetar. Jam në detyrë prej 10 muajsh, por nëse kthehesh 10 muaj prapa, ata kanë humbur të gjithë brezin. Tani është një brez më i madh, një brez më i gjerë. Por ata humbën shumë territor, dhe territor të mirë gjithashtu. Sigurisht që nuk mund ta quash fitore”, tha presidenti amerikan. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›