E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA – Trump kërcënon Meksikën me tarifë shtesë prej 5% për shkak të mosmarrëveshjes për ujin

UASHINGTON, 9 dhjetor /ATSH-DPA/- Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka paralajmëruar Meksikën se do të vendosë një tarifë shtesë prej 5% ndaj importeve për shkak të një mosmarrëveshjeje në lidhje me furnizmin me ujë përgjatë kufirit të përbashkët.

Trump tha në një postim në “Truth Social” se Meksika nuk po i siguronte ujë të mjaftueshëm Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke rrezikuar bagëtinë në shtetin amerikan të Teksasit.

Paralajmërimi vjen pas thirrjeve të ligjvënësit të Teksasit për të ushtruar presion mbi fqinjin jugor.

Sipas një traktati të vitit 1944, Meksika është e detyruar të furnizojë ujë nga pellgu lindor i Rio Grande në SHBA, duke marrë ujë në këmbim nga lumi perëndimor i Kolorados, duke u lejuar të dy vendeve të ndajnë burimet e pakta të ujit përgjatë kufirit.

Mosmarrëveshjet mbi ndarjet e ujit kanë qenë të zakonshme, veçanërisht gjatë periudhave të thatësirës.

“Meksika nuk i ka përmbushur detyrimet e saj gjatë pesë viteve të fundit dhe tani i detyrohet gati 1 miliard metra kub ujë”, tha Trump.

Presidenti amerikan kërkoi që afërsisht, një e katërta e kësaj sasie të lirohej deri më 31 dhjetor.

“Deri tani, Meksika nuk po përgjigjet dhe është shumë e padrejtë ndaj fermerëve tanë amerikanë që e meritojnë këtë ujë kaq të nevojshëm. Kjo është arsyeja pse unë kam autorizuar dokumentacionin për të vendosur një tarifë prej 5% ndaj Meksikës nëse ky ujë nuk lirohet, MENJËHERË”, shkroi Trump.

Traktati u nënshkrua në një kohë kur uji ishte më i pakët se sot. Uji nga Meksika përdoret, kryesisht për të ujitur të mbjellat e agrumeve në Teksas, ndërsa disa shtete kufitare meksikane e sigurojnë ujin nga pjesa amerikane e lumit Kolorado. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›