E Diel, 1 Nëntor 2026

Politikanë "për vete" apo "në vetvete"?

Nuk ka dyshim që politika, cilësia, efikasiteti i saj dhe i klasës politike shqiptare është pjesa më problematike, më e diskutuar dhe më e debatuar e jetës sonë të përditshme. Tashmë të gjithë shqiptarët kanë një perceptim më realist, më pragmatist, për thelbin e politikës shqiptare dhe rolin e politikanëve të saj. Sepse politika jonë është nën perceptimin pragmatist të qytetarëve të saj. Kjo do të thotë se ajo nuk ka të bëjë thjesht me politikanët. Bota politike nuk është një "entitet" i mbyllur vetëm për ta. Kur ne flasim, komentojmë, duartrokasim, çirremi apo bërtasim për politikën dhe politikanët tanë, nisemi nga fakti se ata kanë role sociale të rëndësishme.

Me të drejtë David Miller, profesor i Teorisë Politike në Universitetin e Oksfordit, thotë se politika ka të bëjë me ushtrimin e pushtetit dhe veprimtarinë e njerëzve të rëndësishëm siç janë politikanët. Nëse do të përpiqemi të bëjmë një anatomi të politikës sonë si entitet dhe politikanëve tanë si aktorë të saj, do të duhet të ndajmë problemet dhe defektet që ka vetë politika "në vetvete", si veprimtari tradicionalisht e mbuluar me epitete të shumta, që nga më të lartat deri te ngjashmëria me prostitutën, nga veprimtaria e shumicës së politikanëve shqiptarë që mjeshtërisht kanë mundur që këtë veprimtari të rëndësishme me dobi sociale ta shndërrojnë duke e kufizuar në synimet e tyre personalizuese, duke e bërë veprimtari "për vete".

Padyshim, sëmundjet e politikës moderne e kanë "infektuar" politikën edhe politikanët tanë, të cilët gjithnjë e më shumë po u mësojnë marifetet e të bërit të "politikës për vete", duke iu larguar perceptimit të rolit social, në emër të materialitetit dhe pragmatizmit personal. Ky realitet është fare evident në veprimtarinë e një pjese të klasës politike, e cila ka fituar imunitet nga kritikat publike, që kanë efekt gjithnjë e më të ulët mbi veprimtarinë e politikanëve, e që tenton të jetë gjithnjë e më e mbyllur, zvogëlon "pjesën publike" dhe zgjeron pambarimisht "pjesën private".

Sëmundjet e politikës shqiptare janë më së shumti të lidhura me tipologjinë, personalitetin dhe staturën e politikanëve tanë, të cilët e kanë kthyer në epidemi dhënien pas interesave të tyre të materialitetit të vogël, duke humbur kështu atë "idealizëm të vogël", humanizmin e nevojshëm që politika profesioniste e ka të domosdoshëm. Ky lloj materializimi banal i synimeve të politikanëve tanë, tendenca për të bërë "materializmin e politikës", shfaqet në tendencën e dukshme të një pjese politikanësh që tashmë janë të qartë në skanerin e publikut si ekzemplarë të njohur të "botës së qejfit", të sfidave ekzibicioniste dhe të synimeve ordinere me karshillëk publik me popullin, me standardin më të ulët ekonomik të Evropës. Kjo sfidë është cinizmi më i shëmtuar i politikës së politikanëve me "dy faqe", që ndikon së tepërmi në rënien e kredibilitetit të saj si entitet, bashkë me një pjesë të klasës politike, që nuk ka vlerë dhe që nuk e dëgjon kush.

Vlerat materialiste për politikanët janë të përkohshme. Asnjë politikan i madh nuk mbahet mend në histori për pasuritë që vuri përmes politikës. Politikanët e vërtetë dhe jo ata të rastësishëm, me të cilët është e përmbytur "klasa politike" shqiptare, mbahen mend për idetë, humanizmin dhe veprimtaritë politike në përmasa të mëdha dhe me vlerë sociale të vërtetë. Politikën tonë po e banalizon sëmundja e materialitetit, e deformimit pragmatist të shprehur në faktin se një pjesë e klasës politike shqiptare ka mentalitetin e politikanit "për vete" dhe jo të politikanit "në vetvete", të profesionistit që ka detyrë të mendojë në mënyrë sociale për interesin e shoqërisë, e pastaj për vete. Nuk është e vështirë që të analizosh këtë realitet.

Politikanët tanë i kanë pothuaj tërësisht kushtet formale dhe ekzistenciale për të qenë në staturën e politikës moderne. Politika shqiptare i ka krijuar për vete të gjitha kushtet materiale, sipas standardeve më të larta të mundshme, natyrisht edhe mjetet e komunikimit dhe të transmetimit mediatik të produktit politik.

Politika dhe politikanët tanë kanë kushte personale "sui generis", madje përtej mundësive ekonomike të shoqërisë, deri te kërkesat e përmbushura të luksit në "sallonet" ku luhet politika, që janë gati ideale, me anturazhe formale dhe estetike të plotësuara në parametra maksimale. Një pjesë e politikanëve ka kohë që i ka hipur "kalit të qejfit", duke plotësuar shpesh në mënyrë ekzibicioniste qëllimet, dëshirat, instinktet kapricioze, nevojat e tyre, me statuse në emër të shoqërisë moderne. Madje, politikanët tanë nuk mungojnë të bëjnë teori që justifikojnë realitetet materiale të "botës së tyre", duke pretenduar se ato që kanë në dispozicion të tyre nga shoqëria janë ende pak dhe larg standardit të paramenduar, se për të bërë politikë moderne duhet të "sakrifikojmë materialisht" shoqërinë me antidote modernizuese "antibarazitariste", që të kuptojë nevojën e jetës së diferencuar për klasën politike. Në të vërtetë pa qenë kurrë barazitarist, por as konformistë, duhet të pohojmë se politika jonë po i plotëson "qejfet" e saj përtej realitetit.

Por njerëzit e këtij vendi nuk janë vetëm ca militantë tuhafë, që vlerësojnë dhe shenjtërojnë "sakrificat e mëdha" të politikanëve për "demokracinë dhe Atdheun". Aty afër tyre janë qytetarët me sensibilitete demokratike, me staturë qytetare më të lartë se disa politikanë që parazitojnë me politikën si "mjet qejfi". Besoj se tani ka ardhur koha që politika të "gjykohet" dhe politikanët të vlerësohen për kontributet e tyre, duke i shoshitur e parë politikanët "në vetvete" (që për fat të keq janë pak), dhe ata "për vete", për interesa e sfida meskine (që nuk janë pak). Shoqëria jonë duhet të ridimensionojë konceptin për politikën si të tillë, për rolin e saj shoqëror dhe të politikanëve si aktorë të saj. Ajo ka nevojë të të zbresë nga piedestali i pamerituar i pushtetit të vjetër totalitarist. E njëjta gjë është e nevojshme të thuhet edhe për një pjesë të konsumuar të klasës politike.

Njihen publikisht, fjala vjen, deputetët që politikën dhe Parlamentin nuk e kanë me përgjegjësinë e duhur, nga që nuk janë të aftë të përballojnë sfidat e parlamentarizmit profesionist. Vetëm pak janë ata që kanë staturën e politikanit si të tillë, të politikanit në vetvete, te të cilët janë të bashkuara vlerat morale, motivimi shpirtëror dhe aftësitë profesionale. Nuk mund të jetë "politikan në vetvete", ai që ka si synim të karrierës politike vetëm përfitimet e mundshme materiale. Ai është "politikan për vete", për familjen e tij, interesa materiale e pragmatiste. Nuk është normale që ne të udhëhiqemi nga një klasë politike, një pjesë prej të cilëve i kap tmerri i deklarimit të pasurive personale. Nuk është klasë politike ajo kategori politikanësh që bëjnë stratagjema për të manipuluar dokumentet e pasurisë, për të fshehur thelbin e vërtetë si "politikan për vete".

Realitetit tonë të deformuar nga përfytyrimi i hipertrofizuar i rolit që luajnë politikanët, i "magjisë", "fetisheve" që ata krijojnë në shtresat ende të politizuara të popullsisë, apo në ato kategori sociale që ende politikën e konsumojnë si "drogë", krijon të gjitha shanset e maskimit publik, të mirazhit, të mos dallimit midis politikanit që është "për vete" nga ai që është "në vetvete". Në këtë kontekst, është koha që të thyejmë idiolatrinë e politikës dhe të politikanëve, të cilët e përfytyrojnë veten si njerëz që kanë prerogativën e "fjalës së fundit" në këtë vend. Shoqëria civile, qytetarët, intelektualët dhe njerëzit që kanë dinjitet, duhet ta zhveshin politikën nga ambalazhet false, mitet e rëndësisë së tepërt. Sallat e bukura të politikës, makijazhi i jashtëm, anturazhet shoqëruese të pompozitetit dhe sloganet e automatizuara si parafabrikate të politikës mediokre, nuk janë të mjaftueshme për të maskuar thelbin individual të politikanit, në se është "për vete" apo "në vetvete".

Nëse do të analizojmë pak më "teorikisht" tipologjitë e politikanëve aktivë, nuk është e vështirë të identifikosh, të diferencosh dhe klasifikosh disa prej tyre, që kanë profilin e "politikanit për vete", apo të politikanit "në vetvete". Me siguri që do të jem në një mendje me lexuesin tim, se në politikën e tanishme vlera e klasës politik shqiptare ka tendencë të dukshme të rënies së besimit dhe kredibilitetit publik. Ajo është së pari vetë që po vuan "krizën e identitetit", pikërisht për shkak se politikanë jo të paktë nuk janë në gjendje të kuptojnë se personaliteti i tyre nuk varet nga fjalët pa përmbajtje, për të mbuluar thelbin e jetës personale të deformuar, apo të qëndrimit moral me "dy faqe", por nga qëndrimi që ai mban në "kufirin ndarës" që politika është vlerë "në vetvete", mjet për zhvillimin e shoqërisë shqiptare, apo "për vete", si mjet për të plotësuar dëshirat personale. Kategoria që ndeshet më rrallë në grupin social të klasës politike është ajo e "politikanëve në vetvete", domethënë e politikanëve të formuar, që kanë krijuar individualitet, personalitet politik të spikatur, që kanë vlera morale të pakontestuara, nga që i kanë shërbyer më shumë "politikës në vetvete", se sa "politikës për vete", nga që dhe i kanë dhënë vlera dhe produkte pozitive politikës profesioniste dhe jo interesave ngushtësisht personale. Dhe opinioni publik di mirë të bëjë këtë ndarje tipologjike të politikanëve, si të duan ata, me arsye dhe fakte apo me intuitë. Vija ndarëse e politikanit "për vete" nga ai "në vetvete" duket edhe në se këtë problem e shikojmë në planin psikologjik.

Njerëzit e thjeshtë, normalë, që e vlerësojnë politikën dhe politikanët me ndjenjë realizmi, i urrejnë politikanët narcizistë, që janë dashuruar pas vetes, që kanë fjalë shumë dhe punë pak, që e vlerësojnë politikën jo si mision social, por si mjet ekzibicioni formal. Kjo duket në ndjenjën e vetëkënaqësisë, që kanë disa politikanë të vjetër të karrierës, që mendojnë se kanë arritur "perfeksionizmin" e artit të të bërit politikë, që kanë mendim të pakufishëm për vlerat e vetes, për oratorinë e spikatur dhe mendimin preciz dhe elokuent. Narcisizmi i politikës shqiptare është i shkallëzuar, në përputhje me vlerat e politikanëve. Disa që kanë aftësi e shfaqin narcisizmin e tyre në sallën e Parlamentit, apo përballë medias, nga që kanë besim në elokuencën e tyre. Të tjerët, politikanë me staturë të ulët, ekzibicionin narcizist e bëjnë në provincat e tyre, duke u tundur nëpër bulevardet, lokalet dhe mediat e pakontrolluara të provincës. Por ka dhe një kategori politikanësh, që kohët e fundit janë shtuar nga e majta dhe e djathta e politikës, që nuk janë as "për vete" as "në vetvete", nga që nuk kanë personalitet profesional. Në përgjithësi ata njihen nga qytetarët si politikanë që nuk kanë identitet. Personalitetin e tyre e kanë në suspension, në vartësi simbiotike me liderët dhe idhujt e tyre. Megjithëse përpiqen të bëjnë pirueta, për të dëshmuar me sforco se janë "të pavarur", nuk është e vështirë të kuptohet se vartësia e tyre me liderët është simbiotike. Këta politikanë nuk kanë fuqi që të shfaqen si "politikanë në vetvete". Kujtoni komedinë e "Lëvizjes për politikë institucionale", për të kuptuar dhe vlerësuar dukurinë e vartësisë, suzerenitetit politik të disa politikanëve të së majtës, që nuk kanë qenë asnjëherë "politikanë në vetvete"…

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›