Kur era bën historinë
Në fillimin e viteve 1400, shekulli i zbulimeve të mëdha gjeografike, vendi që kishte më shumë përparësi për të zbuluar Amerikën ishte Kina. Ndërmjet viteve 1405 dhe 1433, 7 ekspedita të mirorganizuara nën komandën e admiralit Yeng Ye, kishin prekur brigjet e Siamit, Malajzisë, disa ishuj të Indonezisë dhe pasi e kaluan oqeanin Indian, arritën në Afrikë, duke u spostuar akoma më shumë drejt Perëndimit, deri sa arritën në Detin e Kuq, duke u pritur me habi nga marinarët arabë, të cilët nuk kishin takuar kurrë më parë të tillë. Kur flitej për ekspedita të tilla, vetë kronistët kinezë nuk mund të hezitonin duke i lartësuar anijet xhonkë, si të gjata njëqind e njëzet metra dhe me një kapacitet prej tremijë tonësh, dhjetë herë më të mëdha se anijet më të fuqishme që dispononin evropianët dhe që drejtoheshin nga kapitenë plot eksperiencë, të pajisur me busulla tepër të sofistikuara, anije me timonë drejtues tepër të fuqishëm e efikas dhe që dispononin harta lundruese precize deri në detaj. Por, më vonë, në mënyrë të menjëhershme ashtu siç nis edhe përfundoi. Stacionet që ishin ndërtuar pikërisht për këto ekspedita u mbyllën, bashet e anijeve u drejtuan përsëri nga Perëndimi dhe prej atyre ekspeditave mbetën vetëm kronikat, të zbuluara rreth tridhjetë vjet më parë dhe figura e gjirafës, një kafshë që deri atëherë nuk njihej nga kinezët, u bë popullore në Kinë vetëm kur një kapiten i një xhonke mori një të tillë dhe e transportoi deri në Shangai. Askush deri më tani nuk ka dhënë një shpjegim të saktë mbi vendimin për t‘u kthyer mbrapsht, vendim i cili shënoi fillimin e një tërheqjeje të përgjithshme, jo vetëm gjeografike dhe ishte kaq i madh saqë përfshiu të gjithë Perandorinë Kineze, që deri atëherë ndiqte një politikë ekspansioniste. Sipas hipotezës më të mundshme, lufta për pushtet në Kinë, që zgjaste prej dhjetëra vitesh ndërmjet pragmatikëve, ithtarëve të liberizmit (siç ishin budistët, myslimanët dhe klasa e tregtarëve) dhe priftërinjve, pra armiqtë më të hershëm konfucianistë të çdo kontakti me Perëndimin, të cilin e quanin si të panevojshëm dhe në gjendje për të infektuar pastërtinë e dinastisë Han. Gjithsesi, kjo luftë për pushtet përfundoi me fitoren e konfucianistëve, të cilët urdhëruan një rikthim të menjëhershëm në përqendrimin solipsist të vetvetes, në një ksenofobi në rritje, që ka zgjatur deri dje.
Ekspeditat kineze u injoruan totalisht dhe kur artikujt që tregonin mbi to u zbuluan nga një studiues amerikan, u vërtetua se pasqyronin madhështi, por nuk e ndryshuan shumë tendencën eurocentrike mbi tregimin e zbulimeve të ndryshme gjeografike duke përjashtuar gati të gjitha vendet që nuk i përkisnin kontinentit tonë të vogël. Ky qëndrim, më shumë në përgjithësi i përket jo vetëm udhëtimeve zbuluese, por edhe të gjithë atyre sipërmarrjeve detare që u ndërmorën për një kohë të gjatë. Për anglezët, një racë e pastër lundruesish, udhëtimet detare më të rrezikshme i kanë bërë bashkatdhetarët e tyre: sipërmarrja epike e komandantit Blight, që e hipën në një barkë disa marinarë rebelë (interpretuar në një film nga Carls Laughton) dhe u detyrua të bënte gjashtëmijë kilometra vetëm me një busull dhe shumë pak ushqime në bord, duke arritur brigjet e Timorit; ajo e Shakeltonit, që u nis në mes të dimrit nga ishulli Elefant, duke luftuar për gjashtëmbëdhjetë ditë me radhë në bordin e një varke prej gjashtë metrash, bashkë me 5 shokë kundër erës dhe ngricës së detit më të egër në botë, ngushtica Drake. Pra, deri nga fundi i viteve 1930 udhëtimet e pabesueshme të polinezianëve, që në bordin e kanoave përshkonin mijëra kilometra mes oqeanit Paqësor për të shkuar gjetkë e për të themeluar koloni të reja, kanë qenë "injorante", ose thjesht kuriozitete ekzotike. Dhe vetëm këto njëzet vitet e fundit i është dhënë prioriteti që meritonte trafikut detar në vendet islamike, që e kishte bërë oqeanin Indian një pellg me rëndësi të madhe për të gjithë Lindjen, ku shitej dhe blihej mall në sasi aq të mëdha, saqë Mesdheu as e ëndërronte. Ishin pikërisht vendet islamike, menjëherë pas Kinës, në gjendje të përballeshin me oqeanin perëndimor, tepër të sigurt për sukses. Por, për arsye rivaliteti, asnjë eksplorator ose ushtarak nga këto vende, edhe pse ishin në gjendje të ndërmerrnin ekspedita legjendare si ajo e një persiani, që gjatë jetës së tij kishte shkuar gjashtë herë në Kinë (udhëtim që zgjaste më shumë se 100 ditë), askush nuk u drejtua drejt Perëndimit për të kërkuar toka të reja. Gjithashtu, edhe tregtarët indianë e turq treguan të njëjtin mosinteresim. Dhe vetëm atëherë vendet evropiane kaluan të parët nga radha e tretë a e katërt. Dhe në këtë fazë gjithçka kaloi në duart e dy personazheve, që kurrë në jetën e tyre nuk kishin menduar të hynin në histori ndërmjet derës kryesore. Ata ishin dy zotërinj aventurierë, më shumë aventurierë sesa zotërinj, pa të cilët nuk do të ishte zbuluar Amerika, të paktën pa Kristofor Kolombon. Sepse Kolombo nuk do të kishte pasur asnjë mundësi për të zbuluar Amerikën nëse nuk do të ishte shtyrë nga erërat oqeanike drejt Karaibeve. Ashtu siç mund ta ketë pikasur një lexues i vëmendshëm, këto çështje janë tepër të ndryshme nga mënyra se si po tregohen këtu krahasuar me tregimin tradicional dhe të përgjithshëm, që historianët e së kaluarës kanë trajtuar epopetë e zbulimeve gjeografike, me shumë figura të mëdha, që i njohim si protagonistë: një sekuencë heronjsh, kapitenësh, njerëz të pathyeshëm, detyra e të cilëve duket se avancon gjithmonë e më tepër, deri sa pengesat e natyrës së pamëshirshme ose e armiqve dhe e tradhtarëve të pabesë mos të jenë kaluar. Në këto çështje vullneti, që nuk mund të mohohet, rezulton forca bindëse dhe tërheqëse, ndërsa të dhënat fizike dhe gjeografike shfaqen si entitete të turbullta, detyra e të cilave është ta bëjë më të vështirë dhe natyrisht më entuziazmuese fitoren.
Në këto njëzet vitet e fundit, historianët më në fund kanë zgjeruar kërkimet mbi zbulimet në të gjithë botën, duke marrë parasysh teknikat e ndryshme mbi të cilat veprohej në atë kohë: struktura dhe kapaciteti i anijeve, kapaciteti i manovrave dhe i rezistencës në udhëtimet e gjata, stacione qëndrimi përgjatë rrugës së zgjedhur dhe mundësia për t‘u rifurnizuar me mallra jetikë në epoka në të cilat gjatë udhëtimeve të gjata, gjysma e ekuipazhit vdiste prej skorbutit.
Dhe faktikisht janë pikërisht erërat që shfaqen si protagonistët kryesorë në epopenë e zbulimeve gjeografike dhe pikërisht këto studime janë botuar në Amerikë disa muaj më parë nën titullin "Pathfinders: A Global History of Exploration" i Felipe Fernandez-Armesto. Libri mohon një legjendë, atë të revolucionit teknologjik, që do të shoqëronte evropianët përgjatë sipërmarrjeve të tyre. Na çon në një botë në të cilën forca e vetme ishte ajo e erërave. Të favorizohesh ose disfavorizohesh është çështje jete a vdekje. Ndërmjet dy vendeve të gadishullit Iberik, përballë oqeanit që ka përballë, vendi më i favorizuar ishte Portugalia. Enriku, lundruesi, nuk ka qenë kurrë një udhëtar i madh, në të gjitha kuptimet, por uria për flori i shtynte anijet e tij drejt brigjeve afrikane. Ishte Antonioto ai që arriti i pari Senegalin dhe që krijoi vendqëndrime në Mali e Gambia dhe Alvize da Mosto ai që zbarkoi në Gjirin e Guinesë me kërkesë të mbretit portugez. Këta evropiano-atlantikë, të mbyllur në tokat e tyre të varfra, ia besuan çdo shpresë fitimi oqeaneve. Pas ekspeditave të tyre të pafundme fshihej një projekt megaloman: ai për të zëvendësuar Rrugën e Mëndafshit, që ishte bërë përsëri një udhë e pasigurt pas rënies së pushtetit mongol. Kështu, në pritje për të marrë pushtetin lundrues të Afrikës, portugezët u rrëmbyen gjenovezëve dy tregti fitimprurëse: ajo e skllevërve dhe ajo e arit saharian, që vinte prej brigjeve perëndimore dhe ishte tepër i kërkuar nga vendet që po formonin Evropën dhe që metalin e verdhë e donin për të bërë monedhat e tyre më të shtrenjta. Projekti u vonua për rreth 15 vjet, pasi erërat e forta e bënin të vështirë lundrimin më në jug të gjirit të Guinesë: nuk dihet se sa ekspedita portugeze kanë dështuar totalisht.
Problemi i lundrimit rreth Afrikës u zgjidh kur një anije e nisur nga Azorre - arkipelagu që funksiononte si vendqëndrim i largët për lundërtarët e oqeanit - shkoi në drejtim të jugperëndimit dhe pas disa ditësh u ndesh me disa erëra favorizuese, që e shtynë deri sa e kaloi oqeanin. Por, ndërkohë Amerika ishte zbuluar më parë.
Në atë epokë, Spanja nuk kishte asnjë mbret lundërtar dhe njerëzit e saj cilësoheshin si luftëtarë tepër të fuqishëm. Por, deri nga fundi i viteve 1300, dy nga familjet më të rëndësishme të Seviljes, Peraza dhe Guzman, kishin tentuar aventurën, duke zbarkuar marinarë në ishullin e Lanzarote dhe duke u munduar për të zotëruar tokat e banuara nga vendasit. Një pushtim efektiv i ishujve arriti vetëm nga dy aventurierët Xhin de Betenkourt dhe Gadifer de la Sale, që prej disa kohësh ishin vënë në kërkim të një miniere ari, gjë të cilën më së shumti e bënte çdokush që zbarkonte në ato ishuj vullkanikë. Të dy ishin subvencionuar nga Robert de Brakuemont, kushëriri i Betenkourt dhe i afërm i Guzmanëve, Perazave dhe shumë familjeve të tjera të fuqishme. Por këta nuk ishin tipa që qëndronin të stabilizuar në një territor. Dhe brenda pak kohëve të drejtat e tyre mbi këta ishuj i kaluan mbretit të Spanjës, që u gjend papritur e pakuptuar pronar i arkipelagut kyç në sistemin e erërave dhe rrymave të Atlantikut.
Në atë epokë, askush nuk mund të zotëronte të dhëna të sakta mbi këta faktorë, por dihet mirë se portugezët dinin më shumë nga kushdo tjetër mbi erërat e Atlantikut, sepse donin t‘i merrnin Spanjës ishujt Kanarie. Kishin kuptuar se erërat konstante që vinin nga veriu silleshin rrotull ishujve Kanarie, për të krijuar një lloj korridori si një tunel përballë porteve të atyre ishujve në drejtim të Lindjes pa u cenuar nga asnjë devijim. Pika më e mirë për të kapur ato erëra ishte dalja e Portit të Shën Sebastian de la Goema, i rezervuar për anijet spanjolle. Dhe pikërisht prej aty, më datë 6 shtator të vitit 1492, u nisën tri anije të drejtuara nga një komandant që e nuhati fatin e tij. Dhe pas pak miljesh, velat filluan të fryhen dhe qëndruan kështu deri në fund, kur një muaj e gjashtë ditë më vonë, një marinar i "Santa Maria" pikasi ishullin që do të quhej Espanola. Nëse është e vërtetë që Kristofor Kolombo zbuloi Amerikën, është po aq e vërtetë që kanë qenë erërat ato që zbuluan Kolombon.