Ajoua kurorëzon Barak Obamën dhe Majk Hakëbi
Ka fituar dëshira për ndryshim në zgjedhjet primare të Ajouas, raundi i parë i betejës së gjatë për presidencialet amerikane, i zhvilluar dje. Partia Demokratike ka zgjedhur me një valë entuziazmi që nuk shihej prej disa dekadash, senatorin e ri afro-amerikan, Barak Obama. Republikanët, të diktuar nga e djathta besimtare e evangjelistëve, kanë vlerësuar ish-guvernatorin e Arkansasit, Majk Hakëbi, pastor baptist, që i është dedikuar politikës dhe që dy muaj më parë askush nuk e kish dëgjuar të përflitej si kandidat i mundshëm dhe që ka bërë një fushatë elektorale me fare pak para. Gjithsesi, gara është ende e gjatë dhe fitorja në Ajoua nuk nënkupton nominimin në zgjedhjet presidenciale. Këtë e konfirmon edhe fakti se tre prej katër presidentëve të fundit amerikanë kanë humbur në këtë shtet; Ronald Regan, Bill Klinton dhe Xhorxh Bush i riu. Por, mesazhi politik që vjen nga zgjedhjet primare në shtetin e Ajouas është sigurisht i rëndësishëm: zgjedhësit duan një stinë të re në politikën amerikane. Dhe për kandidate si senatorja e Nju Jorkut, Hillari Klinton, nuk ka lajme të mira. Zgjedhësit e Ajouas kanë dënuar kandidaten që deri më tani konsiderohej si më e sigurta, ish-zonjën e parë demokrate, që ka dalë nga gara me një vend të tretë, zhgënjyes. Madje Klinton është lënë pas në mënyrë të papritur edhe nga Xhon Eduards, ish-senatori i Karolinës së Veriut dhe ish-kandidat për zëvendëspresidencën amerikane katër vjet më parë. Barak Obama ka fituar më së shumti mes të rinjve (rreth 60 për qind e 17-29 vjeçarëve), por edhe mes grave. Ka fituar me një shkëputje më të madhe nga ajo që kishin parashikuar sondazhet; nëntë pikë para Klintonit, tetë para senatorit Eduards dhe sheh tani plot optimizëm drejt raundit të dytë në Nju Hempshajër. Hakëbi në anën tjetër ka arritur një fitore me të vërtetë të madhe mbi kundërshtarin Mitt Romnej, ish-guvernator i Masaçusets, me të cilin javët e shkuara ka pasur përplasje të ashpra. Romnej, pavarësisht miliona dollarëve të shpenzuara në këtë shtet, ka një disavantazh prej nëntë pikësh. Duke u kthyer sërish te demokratët, i katërti mes tyre, e madje me një distancë të madhe, është guvernatori i Meksikës së re, Bill Riçardson. Në vend të pestë dhe të gjashtë janë renditur senatorët Xho Bajden dhe Kris Dodd që pas rezultateve kanë lajmëruar edhe tërheqjen nga gara. Ndërsa te republikanët, vendi i tretë apo medalja e bronzit i kanë takuar ish-senatorit të Tenesit, Fred Thompson, që lë pas kështu senatorin e Arizonës, Xhon MekKein, i cili në anën tjetër është favorit në Nju Hempshajër dhe që në Ajoua nuk ka bërë fushatë elektorale për shkak të mungesës së parave. Në vend të pestë, me 10 për qind të votave, Ron Paul, një teksan që kërkon tërheqjen e menjëhershme nga Iraku. Rudolf Xhuliani ndërkohë ka "bojkotuar" Ajouan, duke pasur në shënjestër shtete të tjera. Por, edhe vetë Ajoua e ka harruar atë, duke e lënë të parafundit në garë me vetëm një grusht votash.