Sarkozi vlerëson me nota ministrat e kabinetit
Do të vendosë, ashtu si për nxënësit e shkollës, semestrin e dytë. Mund të vendosë një notë kaluese në regjistër, por mund edhe të ngelë në klasë. Nikolas Sarkozi ka shpikur kështu "regjistrin e ministrave". Pasi, siç ka thënë zëdhënësi i qeverisë me një ton me të vërtetë serioz, "politika është një sektor si edhe të tjerët, në të cilin duhet pasur parasysh gjithnjë opinioni i qytetarëve". Kohë më parë mjaftonte një votëbesim në parlament, apo vota e qytetarëve në zgjedhje. Por Sarkozi mendon se kjo nuk mjafton. Ndaj edhe ka vendosur të persekutojë çdo ministër me regjistrin e rezultateve. Në këtë mënyrë jepet edhe përshtypja se ministrat nuk janë të paprekshëm dhe se "gijotinat" (fatmirësisht metaforike) janë gati për "prerje kokësh". E në përfundim, mes notave kaluese dhe atyre mbetëse, vendos Sarkozi. Duhej ta kishin pritur një kurth të tillë ministrat, kur në maj, menjëherë pas konstituivit të qeverisë së re, ai u kishte dorëzuar secilit udhëzimet që specifikonin në mënyrë të detajuar objektivat dhe kalendarin që duhej ndjekur. Për më shumë rezultate në qeverisje është ngritur edhe një kabinet i kërkimeve strategjike, "Mars & Co", që ka përcaktuar kriteret sipas të cilave do të plotësohet "regjistri". Do të merren parasysh produktiviteti legjislativ dhe rezultatet e veprimeve qeveritare. E gjithë kjo do të vlerësohet me shifra, çdo muaj, në mënyrë që të verifikohet progresi por edhe regresi. Ditët e ardhshme, Kryeministri Fijon do të presë një nga një të 33 anëtarët e qeverisë, ministra dhe sekretarë shteti, për t‘iu dorëzuar dhe diskutuar rezultatet e para. Fijon ka tentuar t‘i qetësojë: "Nuk është një mekanizëm ndëshkues, por një mënyrë për të koordinuar më mirë punën e qeverisë dhe për të instaluar edhe një kulturë rezultatesh". Fjalë të shenjta këto, por pas zgjedhjeve lokale të marsit dhe para nisjes së presidencës franceze të BE-së, do të publikohen listat e rezultateve si edhe do të nisë rindërtimi i kabinetit, që siç thuhet do të jetë i ashpër. Për momentin, bazuar në zërat e korridoreve të Elizeut, shpëtojnë vetëm tre të parët e "klasës": Ksavier Bertrand, jo shumë i dobishëm në mbrëmjet mondane, por një nga ata që njohin vetëm librat; Zhan Lui Borlo, një politikan i prerjes së vjetër, i pasionuar pas retorikave ekologjiste dhe Erik Voert, që ndërsa shpalos në mënyrë automatike shifrat e bilancit, bën të heshtë edhe vetë Presidentin. Ndërsa Mishele Aliot Mari, titullarja e Ministrisë së Brendshme, thuhet se ka nevojë për përsëritje; Herve Morin i Ministrisë së Mbrojtjes nuk është në pozicion të favorshëm për shkak se ushtarakët nuk e duan; Mishel Bariner, i Bujqësisë ka lënë vetëm Presidentin para turmave të peshkatarëve të irrituar, ndaj edhe nuk shihet me sy fort të mirë.