Pakistan, mbërrin skuadra anti-terrorizëm e "Scotland Yard"
Një skuadër e forcave speciale anti-terrorizëm të "Scotland Yard" ka mbërritur ditën e djeshme në aeroportin ndërkombëtar të Ravalpindit, qyteti-garnizon i Pakistanit, 5 kilometra larg Islamabadit. Pikërisht në këtë qytet, javën e shkuar, mbeti e vrarë ish-kryeministrja pakistaneze, Benazir Bhuto. Hetuesit britanikë do të kenë detyrën të zbardhin vrasjen e Bhuttos, në bashkëpunim me hetuesit vendas. Asnjë kontakt nuk ka pasur me përfaqësuesit e qeverisë dhe as me gazetarët. Gjashtë agjentët britanikë janë larguar me shpejtësi nga terminali, janë ngjitur në një minibus dhe janë zhdukur në drejtim të paditur. Detyra që i pret të dërguarit e "Scotland Yard"-it është konfirmuar edhe nga ministri i Brendshëm pakistanez: "Do të ndihmojnë hetuesit tanë në zbardhjen e vrasjes së Benazir Bhutos", ka thënë ai. Presidenti Pervez Musharaf, armik i hershëm i ish-kryeministres së vrarë, më herët kishte qenë kundër çfarëdolloj ndërhyrjeje të jashtme në hetime, por më pas vetë ai i kish kërkuar ndihmë qeverisë britanike. Kanë ofruar ndihmë ndërkohë edhe Franca dhe Shtetet e Bashkuara. Deri më tani, asgjë e sigurt nuk dihet mbi skenarin e vrasjes së Bhutos, pavarësisht se përfliten teori nga më të ndryshmet.