Sheikët arabë rritin ofertën për klubin
Duket se dyshja Xhilet-Hiks do të mbyllë shumë shpejt karrierën si presidentë të Liverpulit, pasi amerikanët po bëhen gati të pranojnë ofertën e fundit të bërë nga kompania arabe DIC. Sipas BBC, është vetë qeveria e Dubait ajo që është e interesuar të blejë skuadrën e Liverpulit dhe se shoqëria DIC është e gatshme të paguajë një shumë më të lartë vetëm për të siguruar pronësinë e Xherard & Co. Oferta prej 500 milionë sterlinash (rreth 650 milionë euro), do t‘i bëjë të ndryshojnë mendje drejtuesit aktualë të Liverpulit, të cilët janë në krizë financiarë. Klubi ka borxhe të shumta, jo vetëm për shkak të shpenzimeve të merkatos verore, por edhe për shkak të huave të marra gjatë projektit të ndërtimit të stadiumit të ri në Stenli Park. Xhilet dhe Hiks janë të zhytur në borxhe që nga momenti kur kanë marrë pronësinë e Liverpulit, për blerjen e të cilit u shpenzuan 470 milionë sterlina. Ata kanë mundësi të dalin "të larë" nga kjo marrëveshje nëse pranojnë ofertën që vjen nga Dubai, por mediat angleze janë të bindura se ata dëshirojnë që të fitojnë diçka më shumë. Megjithatë, goditja vendimtare për dyshen amerikane mund të vijë nga tifozeria, e cila nuk i ka pranuara asnjëherë ata dhe që tashmë i është vënë kundër, pasi Hiks e Xhilet po tentojnë të largojnë trajnerin Benitez. Ndonëse kalimi i pronësisë në duart e një kompanie nga Lindja e Mesme nuk do të përmirësonte shumë situatën, tifozët janë të sigurt se sheikët e Dubait do ta linin të qetë Benitez të punonte për të siguruar titullin kampion që i mungon prej shumë vitesh.