Pranga ish-policit, ishte në kërkim
Nuk ka mundur që të shijojë drekën te vjehrri, në fshatin Bishti i Zhurës në rrethin Kavajë, pasi ka rënë në prangat e policisë, të cilët po e kërkonin qysh prej 6 vjetësh. Sipas burimeve zyrtare nga policia e Fierit, konfirmohet se pasditen e së premtes është vënë në pranga 41-vjeçari Gëzim Stravecka. Ai kërkohej për trafik ndërkombëtar droge, ndërkohë bashkëpunëtori i tij ka qenë ai që e ka nxjerrë emrin e Straveckës. Gëzim Stravecka është ndeshur me pesë persona civilë punonjës të Antikrimit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier, menjëherë sapo ka dalë nga banesa e të vjehrrit, pasditen e së premtes. Pasi ka pikasur punonjësit e policisë, Stravecka është përpjekur të shmanget, por nuk ia ka arritur, pasi atij i janë hedhur prangat dhe menjëherë është futur në automjetin e policisë e më pas është shoqëruar për në ambientet e Komisariatit të Policisë së Fierit.
Burime zyrtare policore pohuan për gazetën "Shqip" se Gëzim Stravecka ka qenë i dënuar në mungesë nga Gjykata e Shkallës Parë e rrethit gjyqësor Gjirokastër, me vendim të formës së prerë, në masën 15 vjet burg. Gjashtë vjet më parë ai i ka shpëtuar ndalimit të policisë, ndërsa shoku i tij, Arjan Gjoni, është arrestuar. Ky i fundit është dënuar me 12 vjet heqje lirie dhe sipas policisë ka qenë dëshmia e tij ajo që ka implikuar ish-policin e Komisariatit të Fierit, Gëzim Straveckën. Burimet nga policia e Fierit bëjnë të ditur për gazetën se Gjoni është ndaluar me automjetin me targa të huaja, YOA3731. Në automjetin e tij policia ka gjetur 17 kilogramë heroinë.