Makinat e bllokuara plaçkiten e më pas shiten për skrap
Të gjitha automjetet e bllokuara vitet e fundit nga policia e qarkullimit rrugor të Fierit e që për mungesë dokumentesh apo dhe procedura të tjera hetimore tashmë do të zhbllokojnë territorin e policisë. Ky i fundit i tejmbushur me automjete të bllokuara, ka sjellë shpeshherë pengesë për makinat e policisë, si dhe është bërë objekt vjedhjeje jo vetëm nga ana e uniformave blu, por edhe nga punonjës, të cilët janë duke punuar për rikonstruksionin e godinës së re të policisë. Përcaktohet më në fund "fati" i automjeteve të bllokuara brenda dyerve të policisë së Fierit. Rreth 900 automjete të bllokuara për një periudhe kohore prej 10 vjetësh, tashmë do t‘u nënshtrohen procedurave për kalimin e tyre në rezervat e shtetit. Sipas shefit të qarkullimit rrugor në Fier, Ardian Matani, është përgatitur i gjithë materiali i nevojshëm për këtë qëllim dhe brenda këtij muaji pritet të zbatohen edhe procedurat ligjore. Një pjesë e automjeteve do të kalojnë me shitje në ankand, kurse ato që nuk janë në gjendje teknike të mirë dhe që nuk kanë premisë për t‘u përmirësuar pas servisit do të dërgohen për skrap.
"Është bërë konfiskimi i mjeteve dhe është përfunduar edhe faza e kategorizimit të automjeteve. Mjetet që janë në gjendje pune, mjetet që janë për pjesë këmbimi dhe mjetet që nuk bëjnë më.
Janë klasifikuar në 3 grupe dhe të gjitha praktikat kanë kaluar në rezervat e shtetit të degës Vlorë dhe ata do të bëjnë tenderin për shitjen e këtyre mjeteve sipas kategorive. Veç automjeteve janë dhe rreth 70 motorë", ka thënë Ardian Matani.
Nga të dhënat teknike që paraqesin automjetet e bllokuara në Fier konfirmohet se shumica e makinave do të ikin për skrap, pasi pjesët e tyre mungojnë dhe ato janë plaçkitur. Shefi i qarkullimit rrugor edhe pse do ta anashkalojë këtë fazë ka pohuar se në përgjithësi makinat e bllokuara dy vitet e fundit, e që i përkasin edhe si vit prodhimi këtyre viteve, i janë dërguar në një fazë të mëparshme rezervave të shtetit, dhe prej kësaj të fundit i kanë marrë shumë institucione shtetërore. Ndërkohë që për skrap konfirmohet se do të ikin mbi 60% e makinave të bllokuara.