I vjedhin makinën, vetëhelmohet 52-vjeçari
Nuk është thjesht një koincidencë e rastit. I kanë vjedhur makinën e më pas një 52-vjeçar është vetëhelmuar për vdekje. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur se shtetasi Gani Biba 52 vjeç, banues në qytetin e Elbasanit, në kushte mjaft të mira ekonomike është vetëhelmuar me një lloj helmi bujqësor. Kanë qenë familjarët ata që kanë bërë të mundur dërgimin e tij të shpejtë në spitalin kirurgjik të Elbasanit. Me gjithë ndërhyrjen e mjekëve specialistë, ai nuk ka mundur të shpëtojë dot, pasi sipas mjekëve, sasia e helmit që ai kishte konsumuar ishte shumë e madhe. Sipas burimeve të policisë dhe grupit hetimor të ndodhur në vendin e ngjarjes, bëhet e ditur se 52-vjeçari është vetëhelmuar në kushte depresive. Përpara dy ditësh këtij personi i kishin vjedhur mjetin e tij tip "Benz", dhe mendohet se këtu është zanafilla që ai ka kaluar në depresion. Gjithsesi, nga ana e grupit hetimor vazhdojnë hetimet për të zbardhur përfundimisht këtë ngjarje me pasojë humbjen e jetës së 52-vjeçarit.