Prangoset për mitmarrje mjeku në QSUT
Tiranë- Një mjek i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është ndaluar nga policia, pasi akuzohet për mitmarrje.
Sipas burimeve zyrtare të policisë së Tiranës bëhet me dije se në pranga ka rënë mjeku urolog, Kastriot Dautaj, mbi të cilin rëndon akuza për veprën penale të korrupsionit.
Mjeku i qendrës më të madhe spitalore në vend është kapur në kushtet e flagrancës, teksa ishte duke i marrë para një pacienti të tij, në këmbim të shërbimit të ofruar.
Nga të dhënat paraprake mësohet se mjeku merrte para për operacionet që kryente, në shumën e 50 mijë lekëve për çdo ndërhyrje.
Ai u shoqërua në ambientet e komisariatit dhe do të merret në pyetje për të dhënë versionin e tij rreth akuzave që janë ngritur mbi të. Sipas policisë, gjithçka është ende në hetim dhe detaje për fajësinë ose pafajësinë e tij do të dalin pas hetimeve.