E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi bën vizita ngushëllimi tek familjarët e viktimave të shpërthimit në fshatin Gërdec.

19 mars 2008

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i shoqëruar nga Prefekti i Tiranës, Ruzhdi Keçi, Kryetari i Qarkut të Tiranës, Tasim Mema, Kryetari i Bashkisë së Vorës, Fiqiri Ismaili, zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Pone, si dhe Drejtori i Kabinetit, Dashamir Xhaxhiu vizitoi disa prej familjeve të viktimave që humbën jetën në ngjarjen tragjike të Gërdecit.

Vizitën e parë Kreu i shtetit e bëri në familjen Deliu, në Lagjen “Kombinat” të Tiranës e cila ka humbur tre anëtarë të saj: Jetmirin, 21 vjeç, Liljanën 24 vjeç dhe Flavjon 3 vjeç. Presidenti Topi i shprehu familjes Deliu ngushëllimet e sinqerta, duke e siguruar njëkohësisht që do të punohet intensivisht dhe me profesionalizëm për të kaluar fillimisht traumën psikologjike dhe më pas, për të siguruar rikuperimin ekonomik. Presidenti Topi u shpreh se megjithëse tragjedia mund të ketë ardhur si pasojë e një gabimi njerëzor, interesimi i strukturave të shtetit është maksimal për të siguruar zbatimin e ligjit dhe për të mundësuar që organet përkatëse të drejtësisë që të bëjnë punën e tyre nëpërmjet një procesi të pastër hetimor, por më e rëndësishme është që të kapërcehen pasojat e rënda dhe jeta të kthehet në normalitet.

Anëtarët e familjes Deliu falenderuan Presidentin Topi për respektin dhe ndihmën e dhënë për kapërcimin e traumës psikologjike dhe shprehën gjithashtu mirënjohjen për të gjitha strukturat e shtetit, të cilat u janë gjendur pranë qysh në momentin e parë të tragjedisë.

Më pas, Presidenti i Republikës u ndal në qytetin e Vorës për t’u shprehur ngushëllimet respektivisht familjeve të Reshit Haxhi Krujës, Besim Cangës dhe Rajmonda Durdajt. Pasi u shpreh se vizita e tij është një detyrim njerëzor dhe institucional, Kreu u shtetit u garantoi atyre se të gjitha strukturat e shtetit janë në këmbë duke punuar dhe se hetimi e gjykimi i ngjarjes do të jetë i drejtë. Gjithashtu, Presidenti Topi i siguroi familjarët e viktimave që çdo shqiptar në këto momente është pranë tyre për t’ua lehtësuar dhimbjen.

Familjarët i shprehën mirënjohjen Kreut të shtetit për interesimin dhe ndihmesën, duke vënë në pah se dhimbja dhe hidhërimi i tyre është lehtësuar nga solidariteti i madh njerëzor.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›