E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi dhënë për emisionin “Opinion”, në Tv "Klan"

24 janar 2008

Intervistë e Presidentit të Republikës Bamir Topi dhënë për emisionin “Opinion”, të gazetarit Blendi Fevziu në Tv "Klan".

Gazetari: Mirëmbrëma të nderuar teleshikues, ju flas nga Selia e Presidencës së Shqipërisë, në këtë intervistë të drejtëpërdrejtë me Presidentin e Republikës, z. Bamir Topi. Z. Topi mirëmbrëma dhe faleminderit që keni pranuar ftesën time sonte!

Presidenti Topi: Është kënaqësi për mua!

Gazetari: E që vini nga një axhendë shumë e ngarkuar dhe shkoni me një axhendë po aq të ngarkuar nesër në vizitën në Kosovë. Në të vertetë intervista e sotme do të fokusohet tek këto dy çështje kryesore, por edhe në çështje të tjera që shqetësojnë shoqërinë shqiptare dhe përbëjnë nganjëherë dhe një kuriozitet për mediat.

Presidenti Topi: Pse jo!

Gazetari: Do të doja ta filloja me vizitën tuaj të djeshme. Cili ishte perceptimi i kancelarive ndërkombëtare dhe atyre vendimmarrëse evropiane për problemin e Kosovës?

Presidenti Topi: Kam gjetur një klimë jashtëzakonisht të favorshme, duke pasur takime jo vetëm në pozicionin e Presidentit, por duke pasur edhe eksperiencën e takimeve parlamentare, mund t’ju them që progresi është i dukshëm dhe ka një ripozicionim gati-gati të sinkronizuar të të gjitha kancelarive perëndimore për çështjen e Kosovës dhe mund t’ju them që klima ishte mjaft realiste ...

Gazetari: Realiste në ç’kuptim?

Presidenti Topi: Realiste në kuptimin që të gjithë psikologjikisht janë të përgatitur që Kosova po shkon drejt pavarësisë.

Gazetari: A kishte ndonjë datë të përafërt se kur Kosova do të shpallë pavarësinë?

Presidenti Topi: Akush nuk flet për një datë ekzakte. Nëse i keni vënë re deklarimet rreth mënyrës, apo procedurës si do të realizohet shpallja e pavarësisë, kjo do të bëhet nga institucionet e Kosovës dhe pastaj hap pas hapi do të njihet nga kancelaritë. Të paktën ky është sfondi dhe ajo që kuptohet nga klima politike ndërkombëtare.

Gazetari: Cili është hezitimi më i madh që Perëndimi ka në këtë drejtim? Cili është shqetësimi ose frika më e madhe që ka?

Presidenti Topi: Besoj që të gjithë janë të interesuar që pavarësia e Kosovës së paku kjo kuptohet lehtë, të vijë në mënyrë shumë të qetë, në mënyrë të natyrshme, edhe vetë qytetarët e Kosovës duhet ta përjetojnë në mënyrë të matur, sepse e rëndësishme është që kjo klimë të pengojë ato qarqe, apo individë të cilët kanë demostruar në vitet e fundit që bëjnë ç’ka është e mundur për të prishur imazhin dhe për të penguar procesin që po shkon në mënyrë të mënyrë të natyrshme drejt përfundimit.

Gazetari: A do të krijojë probleme shpallja e pavarësisë së Kosovës me njërën prej fuqive të mëdha botërore që është Rusia? Ministri i jashtëm Llavrov është shrehur disa ditë më parë, ose ndoshta dje, që Kosova përbën një “vijë të kuqe”, duke perifrazuar, ose duke kujtuar deklaratën e famshme të Presidentit Bush po për Kosovën që e quante një vijë të kuqe në vitin 1992.

Presidenti Topi: Nëse do t’i bëni një analizë në retrospektivë çështjes së pavarësisë së Kosovës, Serbia dhe Rusia kanë qenë në një aleancë të dukshme, pra shumë aparente dhe kanë qenë të sintonizuara fort në një zë të përbashkët. Kjo ka sjellë si pasojë edhe dështimin e bisedimeve, edhe dështimin e bisedimeve shtesë 120 ditore si dhe deklarimin pa asnjë lloj ekuivoku që në Këshillin e Sigurimit, Rusia do të vendoste veton, pra unë nuk shikoj asnjë lloj modifikimi në pozicionin e Rusisë; si e ka filluar, ashtu edhe po e përfundon. Nisur edhe nga “backgroundi” historik i kësaj lidhjeje, e cila është një lidhje natyrale, unë besoj që nuk do të ketë asnjë lloj ndryshimi dhe ajo që vjen nga ana tjetër është se ata që futen çdo ditë e më shumë për të njohur Kosovën, janë jo vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jo vetëm vendet e Bashkimit Evropian, të cilat çdo ditë po u heqin skepticizmin edhe atyre pak vendeve të cilat mund të kenë probleme që ato i konsiderojnë të ngjashme, por argumentimi është që problemi i Kosovës është një problem shumë specifik dhe nuk do të influencojë në mënyrë absolute tek historitë e tyre.

Gazetari: Zoti President, doja t’ju pyesja, cila është ndihma konkrete që Shqipëria mund t’i japë Kosovës në këtë moment?

Presidenti Topi: Ndihma më e mirë është ruajtja e stabilitetit rajonal, nxitja e të gjitha institucioneve, inkurajimi për të gjitha hapat që kanë bërë institucionet e Kosovës. Kam rastin të them dhe ta deklaroj publikisht kjo ka edhe sensin e mirë, por edhe sensin negativ përsa i përket krahasimit të zgjedhjeve në Shqiëpëri dhe në Kosovë, Kosova ka zhvilluar zgjedhje në standardet evropiane dhe do të thoja...

Gazetari: Por edhe ka pasur ndërkombëtarë zoti President...

Presidenti Topi: Po sigurisht, sepse është shumë e rëndësishme të kesh suportin e ndërkombëtarëve, por edhe ne kemi pasur ndihmën e ndërkombëtarëve për çështjen e zgjedhjeve; uroj që ne të vijmë në ato standarde. Pra do të thoja që kjo i jep një shans shumë të madh Kosovës që të vlerësohen, sikurse janë vlerësuar me nota pozitive, qoftë për periudhën paraelektorale, qoftë për momentin e zgjedhjeve, për konstituimin e institucioneve dhe ç’ka është më e rëndësishme për administrimin e pushtetit në këto ditë. Kemi një President të rikonfirmuar, kemi një qeveri me bazë të gjerë duke marrë në konsideratë edhe ato premtime e ato standarde në respekt të minoriteteve dhe kemi një administrim shumë të butë për të krijuar një klimë të përshtatshme për të gjithë dhe për të larguar psikozat që kërkojnë të ngjallin qarqet ultranacionaliste.

Gazetari: Zoti President, ju thatë që ndihma më e madhe që mund t’i japë Shipëria Kosovës në këto momente është stabiliteti në rajon. Disa ditë më parë ju qetë mjaft i ashpër në raport me një nga fqinjët tanë, Maqedoninë në raport me viza, ose me vendosjen e vizave. A e tensionon kjo problemin, ose a shkon kjo në disfavor të Kosovës?

Presidenti Topi: Intonacionet e shprehura për një çështje nuk besoj se prekin asgjë në substancë që ne kemi marrëdhënie të mira me institucionet maqedonase. Unë kam pasur edhe një vizitë pune në Maqedoni. Kemi trajtuar çështje të aktualitetit. Në atë kohë kur kam qenë unë, ishin probleme të simboleve dhe për një vendim të Gjykatës Kushtetuese që hiqte të drejtën e përdorimit të flamurit, ç’ka presupozon edhe një hap mbrapa e në kundërshtim me marrëveshjen e Ohrit. Jemi shprehur publikisht edhe në një konferencë për shtyp me Presidentin Crvenkovski se Parlamenti mund ta merrte në rishqyrtim këtë çështje dhe shpresonim e shpresojmë akoma që kjo gjë të stabilizohet. Papritur erdhi çështja e regjimit të vizave, unë mendoj që ka progres këto ditë dhe besoj që është një çështje që do të zgjidhet jo vetëm me vullnetin e dy qeverive, por edhe me një lloj suporti të strukturave të Bashkimit Evropian.

Gazetari: Ky është një gabim zoti President, apo është një provokim i Maqedonisë që vjen në kontekstin e statusit final të Kosovës dhe integrimit ndërkohë dhe ftesës së mundshme për anëtarësimin në NATO?

Presidenti Topi: Njeriu mund të bëjë shumë supozime, ju keni një luks të madh si gazetar, si analist. Unë nuk e kam këtë luks, unë gjithmonë duhet t’i largohem klimës së paragjykimeve dhe shpresoj të ketë qenë një lapsus që duhet riparuar.

Gazetari: Zoti President, Kryeministri serb Koshtunica është shprehur në fillim të muajit nëntor dhe më pas ka rikonfirmuar se në rastin e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës, do të ketë një embargo të plotë ekonomike ndaj Kosovës. Nisur nga fakti që 60% e produkteve, sidomos atyre të konsumit të përditshëm vijojnë të shkojnë në Kosovë nga Serbia, Kosova mund të gjendet në një moment të vështirë. A ka ndonjë plan konkret Shqipëria për të ndihmuar Kosovën në një rast të tillë, apo do të rrimë t’i shohim nga kufiri?

Presidenti Topi: Mendoj që kjo situatë nuk është vetëm në vëmendjen e Shqipërisë, çështja e Kosovës sot është e ndërkombëtarizuar dhe mund t’ju them që nuk do të ketë absolutisht asnjë lloj pasoje, por do të thoja që ky do të ishte skenari më i keq, do të ishte një skenar komik që mund të merrej nga ana e qarqeve serbe për të krijuar një vështirësi të çastit. Me këtë ndihmë që ka Kosova, ju siguroj që situtata atje, me shpalljen e pavarësisë, do të jetë në kushtet kur të gjithë do ta shohin që Kosova shumë shpejt do të prosperojë drejt standardeve të Bashkimit Evropian.

Gazetari: Zoti President, ju kam dëgjuar disa herë që jeni shprehur publikisht që Shqipëria do të jetë ndër vendet e para që do ta njohë pavarësinë e Kosovës, ndërkohë ka një akt, apo vendim të Parlamentit të vitit 1991 që ka njohur pavarësinë e Kosovës, Republikën e Kosovës në fillim dhe pastaj pavarësinë e saj.

Presidenti Topi: Është një kontekst tjetër historik dhe gjeopolitik. Sot Kosova është hallka e fundit e shpërbërjes së një shtetit të ndërtuar artificialisht, sikurse ishte Republika Federative e Jugosllavisë. Në atë kohë ne kishim realizuar një mbështetje të natyrshme që do të vinte nga ne, tani është çështja e njohjes nga pikëpamja formale, por me një ndryshim: në koordinim të thellë me strukturat e Bashkimit Evropian dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra, do të ketë një njohje të karakterit formal, zyrtar që do të bëhet në një kontekst tjetër historik.

Gazetari: Zoti President, cili do të jetë problemi më i madh me të cilin do të përballet Kosova pas shpalljes së pavarësisë?

Presidenti Topi: Unë besoj që vëmendja pas shpalljes së pavarësisë do të përqendrohet në skemat e zhvillimit ekonomik, në forcimin e institucioneve demokratike dhe ç’ka është më e rëndësishmja në respektimin dhe demostrimin e respektimit ndaj të drejtave të minoriteteve, pikërisht në atë pikë që konsiderohet e dobët nga pikëpamja dhe ajo psikozë që është krijuar nga pala serbe. Unë jam i bindur që fakti që në qeveri ka një koalicion të gjerë edhe me pjesëmarrjen e forcave serbe, fakti që edhe sipas sondazheve vetëm një përqindje e vogël e serbëve mendojnë që ta lenë Kosovën pas shpalljes së pavarësisë, presupozon që atje hap pas hapi janë krijuar garanci të tilla, edhe me praninë e ndërkombëtarëve, që qeveria e Kosovës do ta administrojë shumë mirë pushtetin e saj.

Gazetari: Shpallja e pavarësisë së Kosovës a është një hap i parë drejt bashkimit të Shqipërisë me Kosovën?

Presidenti Topi: Në mënyrën më absolute jo, sepse ne jemi shprehur dhe kemi qenë mjaft elokuentë dhe ka qenë një pozicion zyrtar i institucioneve shqiptare, Shqipëria do të njohë pavarësinë e Kosovës, do të respektojë kufijtë e saj integralë do të ketë marrëdhënie, mund të them marrëdhëniet më të mira midis dy vendeve që janë fqinj dhe ju siguroj që këto marrëdhënie do të jenë në funksion të integrimit të Shqipërisë, të Kosovës dhe të gjitha vendeve të rajonit. Ju e patë sot që është vendosur në skedulat e Bashkimit Evropian dhe opsioni i futjes së Serbisë në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian, ç’ka do të thotë që e ardhmja e këtyre vendeve është në strukturat euroatlantike dhe sigurisht duke iu larguar sa më shpejt skenareve të luftës.

Gazetari: Ju do të ndërmerrni nesër vizitën e parë tuajën në Prishtinë. Cili është thelbi i vizitës tuaj?

Presidenti Topi:: Në fakt unë shkoj me një ftesë nga Kryeadministratori i Kosovës z. Ryker edhe nga Presidenti Sejdiu. Është një vizitë treditore. Është e tepërt të rrëfej këtu emocionet dhe gëzimin për këtë vizitë, e cila vjen në një moment historik.

Gazetari: Kur keni vizituar për herë të parë Kosovën?

Presidenti Topi: Disa ditë pas çlirimit të Kosovës dhe është bërë një udhëtim do të thoja në rrethana disi aventureske...

Gazetari: Përse?

Presidenti Topi: Duke mos njohur terrenin jemi futur nga Tetova në Rodovicë nga Malësia e Sharrit. Për hir të së vërtetës një zonë e mrekullueshme. Ishte një park natyror mjaft i veçantë për nga bukuria dhe kemi rënë në një situatë mjaft të vështirë me enklavat serbe ... Fatmirësisht shkoi mirë, sepse rreziku ishte evident.

Gazetari: Meqënëse ju shkëputa pak nga aktualiteti, cili ishte impresioni i parë që patët në Kosovën e asaj kohe?

Presidenti Topi: Është një impresion i cili nuk mund të shprehet, ka qenë i akumuluar jo thjesht nga ajo që ne kemi ndjerë për Kosovën, por gati-gati një akumulim gjenetik që vjen nga rrëfimet në familje, nga babai që e ka vizituar Kosovën, nga im vëlla që në vitet 70 pati rastin që ta vizitojë Kosovën dhe fatmirësisht erdhi një ditë kur Kosova që dukej shumë e largët për ne dhe anasjelltas, erdhi një ditë pra që ne mund të shkonim me vullnet të plotë dhe liri të plotë për ta vizituar.

Gazetari: Dhe ju keni shansin nesër për ta vizituar dhe në detyrën e Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Po i rikthehem pyetjes, cili është thelbi i vizitës?

Presidenti Topi: Thebi i vizitës është një përgjigje ndaj ftesës dhe e përsëris pa e tepruar në një moment historik për Kosovën në pragun e shpalljes së pavarësisë. Do të kem takime me të gjithë përfaqësuesit e institucioneve, me Kryeadministratorin Ryker, me Presidentin Sejdiu, me Kryeministrin Thaçi, me Kryeparlamentarin Krasniqi, do të kem një referat në Universitet, do të kem një fjalë në Kuvend, do të vizitoj Pejën, Prizrenin, do të shoh edhe institucione të kultit, pra është një vizitë që konsiderohet...

Gazetari: A do të vizitoni institucione të kultit serbe?

Presidenti Topi: Mendohet se në Prizren, aty është një rrugë ku gjenden tre institucione kulti që përfaqësojnë të tri fetë, islame, ortodokse dhe katolike, ç’ka presupozon që ai standard që është arritur prej kohësh në Shqipëri, harmonia fetare, duhet patjetër që të vijë në Kosovë dhe t’i kontribuojë çështjes së madhe që kanë qytetarët e Kosovës.

Gazetari: Kush do t’ju shoqërojë në delegacion?

Presidenti Topi: Është një delegacion i kompozuar në mënyrë shumë të kujdesshme.

Gazetari: Çdo me thënë në mënyrë shumë të kujdesshme?

Presidenti Topi: Do me thënë që të realizojë të gjithë konfiguracionin e botës politike, institucionale, botës së artit dhe të biznesit. Do të kem zv/kryeministrin z. Oketa, disa ministra të Kabinetit Berisha, do të kem kryetarët e grupeve parlamentare të PD-së dhe PS-së, z. Ceka, z.Brokaj, do të kem kryetarë bashkivë që i përkasin dhe opozitës dhe pozitës së sotme, sikurse do të ketë biznesmenë dhe përfaqësues nga bota akademike, do të jenë rektorët e sapozgjedhur të universiteteve, pra realisht do të ketë nga të përndjekurit politikë, do të ketë edhe nga disa kategori të tjera që ky delegacion realisht të përfaqësojë me dinjitet dhe të shprehë atë mbështetje të gjerë që realisht ekziston në Shqipëri.

Gazetari: Pse një delegacion kaq i madh zoti Topi?

Presidenti Topi: Mund të ishte edhe më i madh, ju siguroj që është më i madh. Unë mora në konsideratë ata që do të jenë në avion, sepse shumë të tjerë kanë ikur në rrugë tokësore. Është dëshira, unë nuk kam dëshirë më të shprehur se sa në rastin e vizitës në Kosovë, që deputetë, politikanë në përgjithësi, njerëz të fushave të ndryshme kanë kërkuar që të jenë pjesë e delegacionit, jo se nuk e kanë parë Kosovën, por për faktin se vizita bëhet në një moment shumë historik, njerëzit dëshirojnë të jenë pjesë e kësaj historie dhe kanë një lloj ndjenje që buron nga brendësia e qënies së tyre.

Gazetari: Zoti Topi, a do të ketë mundësinë reale Kosova që të mudësojë të drejtat e minoriteteve serbe atje pas asaj që ka ndodhur në vitin 1999, por edhe më parë?

Presidenti Topi: Unë kam pasur rastin të bisedoj në rrethana të ndryshme me njerëz që kanë marrë pjesë në luftë, me njerëz që kanë mjaft të rënë, kanë dëshmorë të luftës dhe ajo që të krijon vërtet respekt për këta njerëz është që në respekt të historisë së tyre duan të ndërtojnë një Kosovë të re, një shtet të ri, shtetin më të ri të Evropës me të gjitha standardet, ç’ka presupozon larg urrejtjes së të kaluarës dhe ndërtimit të urave të bashkëpunimit me minoritetet, për të ndërtuar një shtet multietnike, i cili do të operojë me të gjitha standardet më të mira evropiane.

Gazetari: Zoti Topi nëse unë ju pyes jashtë kamerave se çfarë mesazhi do t’i jepni drejtuesve kosovarë, a mund të na e thoni?

Presidenti Topi: Unë me gjithë respektin që kam për ju dhe për të gjithë teleshikuesit, më lejoni dhe më jepni kënaqësinë që këtë mesazh ta jap nesër në Kosovë.

Gazetari: Cili është politikani me të cilin keni më shumë miqësi se sa me të tjerët në Kosovë zoti Topi?

Presidenti Topi: Unë përgjithësisht kam shumë miq dhe jo të lidhura me momentet kur jam në Presidencë, në të gjithë spektrin politik, do ta konsideroja të tepërt të përmendja emra, sepse janë shumë.

Gazetari: Zoti President, ndoshta pyetja me të cilën do të përballeni më së shpeshti në Kosovë do të jetë pyetja për rrugën Durrës-Kukës-Morinë. Do të doja të dija edhe një herë pavarësisht se e keni shprehur në disa raste, opinionin tuaj lidhur me ndërtimin e kësaj rruge.

Presidenti Topi: Kjo është padyshim, edhe pse është ezauruar si pyetje dhe përgjigje, mund t’ju them që kjo është një rrugë historike dhe keqardhja më e madhe është që nuk është ndërtuar vite më parë. Kjo rrugë duhet të ndërtohet me çdo kusht ...

Gazetari: Edhe me një kosto prej afro 1 miliard eurosh zoti President?

Presidenti Topi: Kjo rrugë justifikon çdo lloj kosoje reale mbi rrugën dhe natyrisht, duke mos bërë asnjë lloj justifikimi për abuzimet që bëhen tek rruga. E kam fjalën që kjo rrugë ...

Gazetari: ǒdoni të thoni? Mund të ma rishpejgoni edhe një herë?

Presidenti Topi: Pra, kur flasim për koston e rrugës, koston reale që ka rruga, një rrugë që konsiderohet korridori vital i lidhjes së Shqipërisë me Kosovën, aty ku do të lëvizin njerëz, do të lëvizin mallra, do të ketë patjetër një klimë të shkëmbimit të biznesit dhe konsiderohet jo vetëm si rrugë biznesi dhe rrugë e nevojave jetësore, por do të jetë edhe rrugë e turizmit. Unë e di fare mirë nga miqtë e mi në territoret ku kalon rruga, që kanë qenë territore të humbura, që sot po projektojnë bizneset dhe kjo është një gjë e madhe, sepse ne jo vetëm realizojmë lidhjen me Kosovën, por i japim mundësinë edhe biznesit vendas.

Gazetari: A e ka luksin Shqipëria që të investojë 1 miliardë euro vetëm në një rrugë zoti Topi?

Presidenti Topi: Unë nuk mund të them që Shqipëria është një vend potencialisht i fuqishëm ekonomikisht, por për rëndësinë që ka kjo rrugë unë mund të them që shumë shpejt të gjitha përfitimet që do të vijnë nga kjo rrugë do të ndihen nga çdo qytetar.

Gazetari: Dhe po i rikthehemi një problemi shumë të prekshëm me të cilin ju jeni përballur gjatë vizitave tuaja të fundit dhe besoj do të jetë pjesë kryesore në axhendën tuaj të ardhshme. A ka shanse Shqipëria, shanse reale flas, që të marrë ftesën për anëtarësimin në NATO në Samitin e Bukureshtit?

Presidenti Topi: Unë mund të them me propabilitetin më të lartë që shanset janë reale… Nuk mund të bësh deklarata për një gjë që varet nga të tjerët. Kur flasim, flasim gjithnjë jo për një gjë që e kam unë në dorë, pra nuk e kanë institucionet shqiptare. Bëhet fjalë për një perceptim që kanë vendet e NATO-s. Gjatë kësaj periudhe, unë mund t’ju them që kam pasur, pa e tepruar, të them me dhjetra takime me përfaqësues të NATO-s

Gazetari: Përse varet nga ata dhe jo nga ne zoti Topi?

Presidenti Topi: Varet nga pikëpamja e vendimmarrjes, ndërsa nga mjaft elementë të tjerë varet nga ne, pikërisht për të plotësuar ato detyrime që kemi, sepse futja në NATO nuk do të jetë një fenomen pasiv, por do të jetë një fenomen shumë aktiv, duhet ta meritojmë që të futemi dhe kushtet që janë vendosur, besoj që po plotësohen hap pas hapi.

Gazetari: Janë kushte të standardeve, apo janë kushte politike?

Presidenti Topi: Në radhë të parë janë kushte politike. Askush nuk mund të mendojë që Shqipëria brenda tre muajve do të arrijë standartet teknologjike të vendeve të NATO-s. Askush nuk mund të ushtrojë një presion që brenda tre muajve do të mbarojnë reformat në drejtësi, sepse reforma në drejtësi është një reformë integrale që kërkon më shumë kohë, por e rëndësishme është që vullneti politik i shprehur, ai lloj bashkëpunimi dhe ai lloj programi që ka opozita dhe pozita të japin mundësi që të fillojnë punën, të demostrojnë që ka progres dhe ju siguroj që bujaria do të thoja edhe për shkak të situatës gjeopolitike, situatës që lidhet me sigurinë e rajonit dhe të atij partneriteti që Shqipëria ka treguar në bashkëpunim me NATO-n, është e tillë që të jep shanse dhe krijon respekt që Shqipëria të jetë një nga vendet që do të futet në NATO.

Gazetari: Cili është kushti politik më thelbësor, që do të vlerësojë komuniteti ndërkombëtar?

Presidenti Topi: Reforma në drejtësi pa dyshim, dhe, së dyti, reforma elektorale që në thelbin, apo në bazamentin e tyre, kanë bashkëpunimin politik pozitë-opozitë.

Gazetari: Në ç’nivel është ky bashkëpunim sipas jush?

Presidenti Topi: Unë jam i priur të besoj që më fundi ky bashkëpunim jo vetëm ka filluar, por do të vazhdojë të japë produktin e vet. Edhe në këtë sens, mund t’ju them që mund të kishim qenë më rezultativë, në rast se pas takimit me krerët e partive parlamentare, në shtatorin e vitit që kaloi nuk do të kishim humbur kohë katër muaj për të ardhur në një situatë të re.

Gazetari: Pse ndodhi kjo ndërkohë?

Presidenti Topi: Është jashtë institucionit të Presidentit, sepse gjithçka u projektua në Parlament. Kryetarët e partive politike parlamentare u shprehën njëzëri që do të fillojnë reformën, u përcaktua dhe kryetari i komisionit të posaçëm, arsyet realisht mund të kërkohen, apo të demostrohen nga aktorët e tjerë që sidoqoftë janë aktorë politikë që sot janë në Parlament.

Gazetari: Zoti President a varet integrimi i Shqipërisë në NATO dhe nga pozicioni i Maqedonisë. Një konfilikt i tejzgjatur, ndoshta më shumë sesa duhet mediatik midis Maqedonisë dhe Greqisë, a mund të lërë jashtë NATO-s Shqipërinë?

Presidenti Topi: Edhe në këtë sens ka patur një modifikim të tezave, të qëndrimeve. Fillimisht Karta e Adriatikut presupozonte që Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia ishin vende të një blloku që do të integroheshin në NATO, duke respektuar të gjitha ato kërkesa dhe standardet e parashtruar. Por mund t’ju them që kohët e fundit në marrëdhëniet midis Maqedonisë dhe Greqisë ka dalë çështja e emrit.

Gazetari: Çështja e hershme e emrit …

Presidenti Topi: Çështje e hershme që kohë pas kohe riaktivizohet për t’i dhënë mundësi një shteti, i cili ka të drejtën e vetos për ta përdorur politikisht. Unë në çdo lloj rrethane mendoj që do të ishte më e mira që këto vende të futeshin në bllok, por gjithsesi në fund fare ne do të mendonim për fatet e vendit tonë në sens relativ dhe unë besoj që Shqipëria është shumë afër, ndoshta dhe mbi bazën e një skeme tjetër. Uroj që të jenë tre, mund të jenë dhe 2 plus 1.

Gazetari: Mund të ndodhë që veç Kroacisë mund të pranohemi dhe ne, pa u pranuar Maqedonia?

Presidenti Topi: Është një opsion që është shumë i mundshëm. Kjo do të thotë që para Maqedonisë, besoj se do të ketë një lloj reflektimi për të përmbushur ato standarde. Unë jam i besimit që këto vende do të futen në bllok.

Gazetari: Zoti President do të futesha në disa probleme të brendshme, ato që pak më parë i quajta dhe pak më kurioze për mediat. Po bëj një pyetje që është paksa e çuditshme por që është dhe thelbi i një Presidence. Cila është filozofia, apo modeli që ju do të ndiqni si President i Republikës. Cilat janë kolonat, mbi të cilat ju do të mbështesni Presidencën tuaj?

Presidenti Topi: Unë besoj se më e rëndësishmja është që Presidenti të jetë në konturet e Kushtetutës, për të respektuar në mënyrën formale do të thoja, respektimin e një baze kushtetuese dhe ligjet e shkruara, dhe përtej këtij roli që ka Presidenti për të ekuilibruar jetën politike në aktivitetet politike që kanë partitë, që për hir të së vërtetës, në retrospektivë, kanë demostruar herë pas here një debat të ashpër politik. Kam qenë dhe unë pjesë e kësaj eksperience në të kaluarën. Besoj se e njoh mirë terrenin shqiptar të politikës ç’ka presupozon që…

Gazetari: Cili është terreni shqiptar i politikës?

Presidenti Topi: Terreni shqiptar i politikës është disi specifik. Ju e keni vënë re që ndonjëherë gjërat sekondare, jo shumë të rëndësishme bëhen primare, keni vënë re gjithashtu që gjërat shumë parimore, shumë principiale, bëhen më sekondare apo terciale, apo harrohen. Do të thotë që ndryshimi i mentalitetit politik në Shqipëri është në radhë të parë tek filozofia e ndryshimit të kësaj klime. Të gjithë personalitet e politikës duhet të kuptojnë, që, sikurse po e kuptojnë ç’është e vërteta, që janë disa gjëra që të imponpojnë detyrimisht bashkëpunimin. Fatmirësisht, në prag të këtyre evenimenteve historike klasa politike shqiptare është në unison. Kohë pas kohe në mënyrë natyrale klasa politike e ka demonstruar. Në Parlament ne kemi parë që gjëra që kanë qenë të absorbuara në mënyrë të menjëhershme si gjëra shumë të rëndësishme, kanë detyruar Parlamentin shqiptar që të jetë unison në votime. Dhe unë besoj që të gjithë duhet t’i drejtohen prioriteteve dhe duhet të kuptojnë që rotacioni i pushtetit politik është rregulli bazë i demokracisë dhe besoj që dhe ajo që ka ndodhur në botën demokratike perëndimore do të jetë pjesë e jetës politike shqiptare. Njerëzit marrin mandatet për një periudhë të caktuar, sipas Kushtetutës, duhet ti ushtrojnë ato mandate me përgjegjësi dhe përgjithësisht duhet të vijnë pikërisht me limitet kushtetuese kur ndodh rotacioni. Unë besoj që klasa politike shqiptare ka treguar se po maturohet.

Gazetari: Por zoti Topi, bashkëpunimi i imponuar siç e quajtët ju midis maxhorancës dhe opozitës në Parlament shpesh herë dhe në disa raste nuk ka ndodhur, si në rastin e zgjedhjes suaj për shembull.

Presidenti Topi: Është e natyrshme që sikurse ndodh në botë, ju keni në këtë moment që ne po flasim, çështjen e Kryeministrit italian Romano Prodi i cili realisht ndodhet në një situatë ku nuk i ka votat që i kishte kur u zgjodh Kryeministër. Pra jeta politike është dinamike, kjo është arsyeja që kërkohen 84 vota në rastin e zgjedhjes së Presidentit ndërkohë që maxhoranca politike, pas zgjedhjeve politike ishte e tillë që nuk garantonte 84 votat. Pra mos prisni një mbështetje absolute. E tillë është politika, ka interesa, ka konjukturat politike të çastit, ka tendenca për të riformatuar qeverinë, politikën në përgjithësi, pra ne e kemi parë vetë që aktorët politikë kohë pas kohe janë shfaqur në funksion të interesave të tyre dhe është normale.

Gazetari: Zoti President, dua t’ju bëj një pyetje të drejtpërdrejtë që disa herë ka qenë si akuzë e e përgjithshme por nuk ka marrë përgjigje konkrete. A keni influencuar ju, mbështetës tuaj, apo Kryeministri dhe lideri i PD-së, zoti Sali Berisha, në blerje deputetësh në votimin tuaj? Blerje përmes trafiqeve të ndryshme, jo vetëm blerjeve direkte.

Presidenti Topi: Së pari, këto veprime nuk mund të vijnë spontanisht tek figura e një politikani, i cili gjatë gjithë kohës së tij ka demonstruar që nuk di të merret me këto pazare. Së dyti, unë mund t’ju them që vërtet u bënë 85 persona që votuan, por aksioni politik i zotit Nano në ato momente ishte i tillë që mund të bëheshin dhe 90. Në ato momente, për tu rikthyer gjashtë muaj përpara në mos gaboj, jemi ekzaktësisht, sot është data 24 janar, pra jemi ekzaktësisht gjashtë muaj nga momenti i betimit. Mund t’ju them që kanë qenë vetëm aksione politike dhe ju e shikoni që dhe brenda formacioneve të caktuara, pa përmendur emra partish, vazhdojnë të ekzistojnë këto ndarje dhe sigurisht akuzat politike pastaj gjithsecili i artikulon në funksion të interesit.

Gazetari: Cili është motivi që e shtyu zotin Nano, një konkurent tuajin t’i bashkonte votat me mazhorancën për zgjedhjen tuaj, zoti Topi?

Presidenti Topi: Po, kur ta keni zotin Nano në studio mund ta pyesni, por besoj që kanë qenë vetëm motivime të karakterit politik.

Gazetari: Cilat janë raportet tuaja me të aktualisht?

Presidenti Topi: Janë raporte normale, qytetare do të thoja, kemi komunikime të natyrës së punës. Sigurisht zoti Nano nuk ka qenë miku im ndonjëherë, por kemi respektuar njëri-tjetrin në të gjitha kontaktet zyrtare, shoqërore dhe mbi të gjitha në bazament qytetar.

Gazetari: Zoti President cilat janë marrëdhëniet që ju keni aktualisht me Kryeministrin Berisha?

Presidenti Topi: Janë marrëdhënie konstante.

Gazetari: ǒdomethënë marrëdhënie konstante?

Presidenti Topi: Marrëdhënie konstante, ashtu siç kanë qenë më parë, kemi respektuar thellësisht personalitetin e njëri-tjetrit. Kjo nuk do të thotë që midis nesh në vazhdimësi nuk ka pasur debate parimore. Është një debat, i cili ka qenë në vazhdimësi dhe unë rikthej në vëmendje qysh nga fillimet e themelimit të PD-së, për debatet, të cilat pranuar si të tilla nga të dy palët.

Gazetari: Cili ishte debati parimor i radhës midis jush?

Presidenti Topi: Debati parimor i radhës nuk konsiderohet shumë parimor, sepse tani jemi futur në probleme që jemi të detyruar edhe duke respektuar parimet, por në radhë të parë, duke respektuar marrëdhëniet instucionale dhe ligjet. Tani është ligji, ndryshe nga marrëdhëniet brenda një subjekti politik, ligji që të imponon që të jesh brenda asaj kornize. Dhe të dy palët mundohen ta respektojnë.

Gazetari: A vijoni të keni raporte miqësore midis jush?

Presidenti Topi: Po natyrisht natyrisht janë raporte normale, miqësore. Sigurisht, unë e kam thënë dhe herë tjetër, miqtë e mi realë, unë nuk i kam pasur përgjithësisht nga politika. Kam ruajtur raporte me kolegët politikë në një nivel të caktuar, në doza të caktuara dhe kjo presupozon që korrektësia e marrëdhënieve përcaktohet nga parametra të tjerë.

Gazetari: Zoti Topi doja t’ju bëja një pyetje që vjen nga kjo. Në raportet institucionale mes jush si President i Republikës dhe atij si Kryeministër i vendit. Cila është vërejtja kryesore që keni për të, pra jo për zotin Berisha, por për Kryeministrin e Shqipërisë?

Presidenti Topi: Jemi në një emision i cili u projektua në funksion të një evenimenti tjetër dhe dëshiroj që duke qenë vazhdimisht korrekt në përgjigjet e pyetjeve të mos ta vazhdonim më këtë lloj komunikimi për marrëdhëniet me Kryeministrin. Ju thashë me pak fjalë që janë marrëdhënie shumë korrekte, në të cilat prevalojnë marrëdhëniet institucionale.

Gazetari: Jo me Kryeministrin, po me qeverinë, cilat janë vërejtjet që do t’i bënit qeverisjes së vendit?

Presidenti Topi: Unë jam në një pozicion që duhet të flas, ose më mirë të mos flas fare për vërejtje të këtij karakteri, sepse është përgjegjësi e mazhorancës, e Kryeministrit që të bëjë analizën për ministrat. Por, unë nuk mund të qëndroj indiferent për probleme që prekin shoqërinë. Kriza energjitike është një element që unë e kam thënë dhe herë tjetër, që në një mënyrë ose një tjetër prek çdo qelizë të shoqërisë shqiptare. Menaxhimi i krizës energjitike duhej të ishte bërë, sipas mendimit tim, më mirë, duhej të ishin parashikuar gjërat më me realizëm dhe të mos vendoseshim në kushtet kur kriza energjitike, jo vetëm problemet ekonomike, por edhe çështje të sensibilitetit dhe të ndjeshmërisë së qytetarëve i bën që të jenë nervozë. Ky është një element sa për ta ilustruar.

Gazetari: Ju keni prekur një problem që konsiderohet i mprehtë lidhur me pronën dhe të drejtën e saj.

Presidenti Topi: Unë mund të kem elementë të ndryshëm për ta ilustruar. Besoj që çështja e pronave është e tillë që edhe pas apeleve që janë bërë vazhdimisht, edhe në këto momente që po flasim është një problem që nuk po ndiqet dhe nuk po zbatohet në mënyrë shkencore dhe metodike. Ka shumë konfuzion në çështjen e pronave ...

Gazetari: Me apo pa qëllim zoti President?

Presidenti Topi: Për nder, në shumë raste me qëllim. Ka edhe shumë raste të tjera që janë pa qëllim, por ajo që e bën Presidentin e Republikës të jetë kurajoz ta thotë këtë, do të thotë që nuk vjen thjesht si një mendim personal, por vjen mbi bazën e mjaft informacioneve që vijnë nga qytetarë të ndryshëm dhe për fat të keq ka një lidhje të shkurtër midis këtij problemi dhe asaj sëmundjeje që ka kapur sistemin e drejtësisë. Pra, kur diskuton për çështjen e pronave, problemi nuk është thjeshtë administrativ, por problemi futet edhe në analet e drejtësisë që le shumë për të dëshiruar. Mund t’ju jap një argument shumë kuptimplotë, fakti që Gjykata e Strasburgut, e cila po merret me çështjen e pronave jep vendime ndryshe nga ato që jep në mjaft raste drejtësia shqiptare, do të thotë që drejtësia shqiptare është e infektuar edhe në këtë sens, tek çështja e pronave është infektuar.

Gazetari: Nëse do t’ju pyes dhe jo thjeshtë si President, a ka zgjidhje ky problem, ç’përgjigje do të më jepnit?

Presidenti Topi: Nëse do ta menaxhonte një grup njerëzish të ndershëm dhe profesionistë, do të kishte një zgjidhje parciale, sepse për shumë gjëra, koha ka bërë punën e vet, ligji ka bërë punën e vet, por së paku në këtë zgjidhje parciale do të kishim mundësinë që të shikonim se më së fundi po zbatohet ligji dhe pronarët mund të marrin diçka nga prona e tyre. Por, rikuperim në kufijtë realë siç i kanë pasur ju siguroj që është thuajse i pamundur.

Gazetari: Zoti President, janë bërë mjaft komente në shtyp për një drekë dy javë më parë që ju shtruat në Durrës për një grup deputetësh të mazhorancës. Përse ishte kjo drekë?

Presidenti Topi: Ashtu sikurse e ka emrin ishte një drekë për t’u ulur me miqtë dhe për të konsumuar asortimentet e drekës.

Gazetari: Si shpejgohet që Presidenti i Republikës një figurë mbi palët fton vetëm deputetët e mazhorancës?

Presidenti Topi: Kam pasur dreka dhe darka jo demonstrative edhe me përfaqësues shumë të rëndësishëm të opozitës, por ka qenë një lloj prirjeje për ta deformuar dhe për ta mediatizuar sipas interesave të tjera ajo i ka dhënë kësaj dreke një natyrë të caktuar politike. Mund të them për të hequr merakun e atyre që kanë bërë shumë hipoteza mbi këtë drekë, ishte periudha mbas vitit të ri, kur është e natyrshme që njeriu të kërkojë të festojë me miq. Nisi si një drekë e vogël dhe pas marrjes së këtij informacioni erdhi dëshira për të marrë pjesë në të, madje ndoshta i kërkoj ndjesë atyre të tjerëve që e kanë komentuar ndryshe mospraninë e tyre në këtë drekë. Pra është një moment kur njerëzit vijnë me kënaqësi për të kaluar disa çaste relaksi dhe komunikimi shoqëror. Në natyrën time unë nuk i kam bërë gjërat në mënyrë anësore. Kur kam pasur për të demonstruar diçka, kam pasur kurajon dhe i kam përpunuar e i kam demonstruar tezat e mia publikisht dhe aq më tepër sot nuk besoj se ka asnjë lloj interesi që unë të demonstroj në mënyrë meskine, sipas komenteve që janë bërë, një drekë që ka marrë një konotacion të një karakteri politik.

Gazetari: Ka pasur komente që kjo drekë kërkonte që të bënte vizibël një grup brenda PD-së...

Presidenti Topi: Absolutisht jo!

Gazetari: Si e shpejgoni ju atëherë që në këtë drekë mungonte Kryetarja e Kuvendit zj. Topalli, kryetari i grupit parlamentar të PD-së, z. Patozi dhe të tjerë?

Presidenti Topi: Unë nuk mund të komentoj axhendën e gjithsecilit. Ju thashë ajo mori formatin e një tavoline të madhe ndërkohë që nisi në një grup më të ngushtë. Por unë jam i prirur të besoj që gjërat e rastësishme mbeten shumë natyrale dhe nuk kanë asnjë lloj “bacground”-i me qëllime të caktuara politike.

Gazetari: A pati lidhje kjo drekë me takimin që patët pak orë përpara saj me Kryeministrin Berisha?

Presidenti Topi: Jo, absolutisht! Me Kryeministrin Berisha u takuam për arsye pune dhe kjo ka të bëjë me rastësinë e atij takimi që nuk ka fare lidhje me drekën absolutisht.

Gazetari: Zoti Topi, ka shumë komente të shtypit të fokusuara sidomos tre katër javët e fundit në grupimet, ose në luftën e brendshme brenda PD-së.

Presidenti Topi: Unë e njoh shumë mirë situatën në Partinë Demokratike.

Gazetari: Nuk dyshoj për këtë.

Presidenti Topi: Por jam i motivuar të mos bëj asnjë lloj komenti sot që jam President.

Gazetari: A ka ndonjë tentativë tuajën për të krijuar një grupim brenda partisë?

Presidenti Topi: Ansjëherë nuk kam pasur grupe, asnjëherë unë nuk kam punuar me formatin grupal, kam qenë një njeri i lirë, kam qenë një njeri që nuk ia kam pasur asnjëherë nevojën politikës dhe politikën e kam pasur për mision. Nuk kam kërkuar që të përpunoj teza në takime klanesh, më vjen keq për termin se mos marrë ndonjë konotacion për televizionin tuaj, por kam qenë vazhdimisht dhe do të jem vazhdimisht i hapur. Nuk është faji im, përkundrazi e konsideroj si një element shumë të natyrshëm që kam shumë miq.

Gazetari: Zoti Topi, a do të tentonit ju, a shihni ju si ambicjen tuaj politike që pas mbarimit të një, apo dy mandateve presidencile, sepse aq lejon ligji maksimalisht, të tentonit të ktheheni në kreun e Partisë Demokratike?

Presidenti Topi Këtë pyetje mund të ma bënit nëse kishin mbetur gjashtë muaj nga mandati. Sot jemi gjashtë muaj nga mandati, kështu që parashikimi është ende shumë larg për të përcaktuar se si do të shkojnë gjërat.

Gazetari: Ka pasur edhe një akuzë tjetër nga shtypi sipas të cilës ju keni marrë pjesë, ose në një farë mënyre keni qenë i involvuar në largimin, ose në dorëheqjen e ish-Ministrit të Drejtësisë, Rusmali.

Presidenti Topi: Absolutisht jo!

Gazetari: Nuk është e vërtetë?

Presidenti Topi: Nuk është e vërtetë, përkundrazi me zotin Rusmali historikisht sa kohë që njihemi kemi pasur marrëdhënie mjaft korrekte dhe nuk kemi pasur qoftë edhe një rast të vetëm për të shkëmbyer ndonjë batutë, apo debat.

Gazetari: Zoti Topi, cilat janë marrëdhëniet tuaja me opozitën shqiptare? Në momentin e parë ajo kontestoi, por më pas mori pjesë në të gjitha aktivitetet e organizuara prej jush, por duket se pati një tensionim në momentin e emërimit të Prokrurores së re të Përgjithshme të Republikës.

Presidenti Topi: Por besoj se janë momente të kalueshme. Unë besoj që janë marrëdhënie normale dhe jemi të gjithë në një klimë që sikurse është parë nuk ka pasur asnjë lloj qëllimi nga Presidenti për të privatizuar një pozicion të caktuar. Ajo që kam diskutuar gjithmonë me personazhet e politikës në funksion të zgjedhjes, ka qenë çështja e standardeve. Fakti që patëm një zgjedhje brenda standardeve, presupozohet që emri mbas standardeve është një emër i pranueshëm. Ju siguroj që këtë person nuk e kam njohur dhe nuk e kam parë.

Gazetari: Nuk e njihnit? Atëherë si vendosët për të?

Presidenti Topi: Unë në natyrën tim nëse duhet të përzgjedh, përzgjedh sipas një metodike të caktuar.

Gazetari: Ishte përzgjedhja juaj, apo ishte dhe në konsultim me faktorë të tjerë politikë?

Presidenti Topi: Unë i qëndroj shumë luajal të drejtës time kushtetuese. Është në natyrën tim të konsultohem, por në fund vendimmarrjen e marr vetë.

Gazetari: Jeni penduar për këtë zgjedhje?

Presidenti Topi: Absolutisht, jam i gëzuar dhe çdo ditë po shikoj që kam bërë një zgjedhje, e cila premton shumë.

Gazetari: Thatë që nuk e njihnit Prokruren përpara emërimit, në momentin që e takuat a ishit i bindur që kishit bërë zgjedhjen e duhur?

Presidenti Topi: Kryeprokuroren për herë të parë e kam takuar disa ditë përpara se të bëja zgjedhjen dhe informacionet që vinin, interesimi ishte i tillë që bënte të mundur që unë të merrja një vendim të bazuar në informacione shumë pozitive.

Gazetari: A patët në ndonjë moment hezitim për të shkarkuar Sollakun?

Presidenti Topi: Absolutisht!

Gazetari: U duk sikur zgjatja në kohë...

Presidenti Topi: Absolutisht, zgjatja në kohë ka të bëjë me kujdesin që duhet të ketë Presidenti, pavarësisht nga pasionet politike që shprehen. Unë erdha në një pozicion të ri dhe nuk mund të ishte vendimmarrja e Presidentit pjesë e një presioni që mund të vinte nga cilido krah i politikës. Unë kam pasur konsultime me disa grupe që kanë punuar të pavarur nga njëri-tjetri, me konstitucionalistë, me njerëz me eksperiencë dhe i kam bazuar konsultimet e mia pikërisht me këshilltarin tim ligjor, i cili për hir të së vërtetës dhe eksperiencës kishte pasur një përvojë më parë për të njëjtin person, për të njëjtin institucion, i cili kishte influencuar që të mos ndodhte shkarkimi. Pra fakti që të dhënat që jepeshin ishin ...

Gazetari: Ju kishit të dhëna plotësuese nga ato që kishte pasur përpara jush Presidenti Moisiu?

Presidenti Topi: Nga momenti i parë tek momenti i dytë ishte një periudhë gati dy vjeçare, që merrej në analizë. Njeriu mund të jetë perfekt deri në momentin kur ne po flasim dhe gabimin ta bëjë nesër. Brenda dy viteve kanë dalë në evidencë mjaft gjëra. Ndërkohë që gabimi mund të bëhet edhe brenda një çasti.

Gazetari: Zoti Topi, cilat janë marrëdhëniet tuaja me kreun e opozitës zotin Rama?

Presidenti Topi: Besoj që janë marrëdhënie normale. Besoj që është terreni që këto marrëdhënie të jenë më intensive në funksion të marrëdhnieve institucionale dhe në funksion të çështjeve madhore që duhet të përmbushë Shqipëria.

Gazetari: Dhe një pyetje tjetër që është relativisht e lidhur me çështjen e Sollakut, ka të bëjë me vendin e zotit Gjermeni si anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ju keni qenë mjaft i ashpër me të në fillim, ndërkohë që ...

Presidenti Topi: Asnjëherë nuk kam qenë i ashpër. Në rast se ju keni një dokument filmik që unë ta kem përdorur qoftë edhe një herë këtë emër, atëherë mund të më thoni. Por, në misionin politik unë kam qenë kryetar i grupit parlamentar të Partisë Demokratike dhe në debatet politike po t’i riktheheni në memorie, diskutimet e mia kanë qenë gjithmonë parimore. Jam mundur që t’i shkëputem analizave që kanë të bëjnë me individin.

Gazetari: Për ç’arsye?

Presidenti Topi: Arsyeja ka të bëjë me formimin e personit, të individit. Njeriu kur i bën analizë çështjeve që kanë të bëjnë me parimet, pyetje të cilën ju e realizuat pak më parë se “si do e realizonit punën?”, pra për mua parimet janë shumë të rëndësishme. Çështja e gabimeve individuale është një çështje që prek çdo qënie njerëzore në një moment të caktuar. Ti mund të kesh një peformancë shumë të mirë për një kohë të gjatë, në një moment mund të bësh edhe një gabim që mund të jetë njerëzor. Ndërsa për lidhjet i takon institucioneve që të bëjnë skanerin e tyre për të thënë që ky individ ka këto probleme, apo probleme të tjera.

Gazetari: Zoti President, dua t’ju bëj edhe një pyetje lidhur me një debat që ka qenë mjaft i përhapur këto dy muajt e fundit. Po ju pyes si President i Republikës, por edhe si një njeri që e njihni futbollin, lidhur me konfliktin me Federatën Shqiptare të Futbollit, është një konflikt që ka mbërthyer Federatën me shtetin, ku ka ndërhyrë aktualisht edhe FIFA edhe UEFA. Cili është aktualisht ky debat?

Presidenti Topi: Bota e sportit, sidomos bota e futbollit nuk është vetëm një specifikë, por edhe një ndjeshmëri shumë specifike.

Gazetari: Në ç’kuptim?

Presidenti Topi: Në kuptimin që në nivelet e njerëzve që shkojnë dhe mbushin shkallët e stadiumeve, ka një bazament shumë shpirtëror në shprehjen e emocioneve. Njerëzit nuk shkojnë të detyruar në shkallët e stadiumeve, por me pasion. Mua ky pasion më ndjek edhe sot. Kur e kam të mundur, unë shkoj në stadium. Pra nuk lidhet me pozicionin që ti ke në një moment të caktuar, lidhet me ndjeshmërinë, dhe kjo e bën njeriun që të jetë i lirë të ushtrojë të gjithë veprimtarinë e tij njerëzore. Ka ndeshje që sjellin sportdashës edhe nga Kosova, ju e keni parë që pjesa më aktive e tifozerisë vjen nga Kosova, me një admirim dhe duke krijuar një atmosferë jashtëzakonishtë të veçantë. Përfytyroni se si ndihen këta sportdashës, tifozë do të thoja, kur shikojnë që brenda lojës ka trukime. Nuk janë eksperienca thjesht shqiptare, ju keni parë që janë edhe eksperienca ndërkombëtare, edhe në Itali që është konsideruar vitet e fundit si industri futbollistike, ju keni parë që personazhe të caktuara, sikurse ishte Moxhi i Juventusit, ai kishte infektuar jo vetëm futbollin dhe tifozerinë në Itali, por edhe skedinën angeleze, ç’ka do të thotë që ky fenomen është një fenomen që nuk mund të mohohet se ekziston, apo jo? Sepse të thuash që ky fenomen nuk ekziston, kjo është mungesë sinqeriteti. Ky problem ekziston për ata që e njohin futbollin, që janë pjesë e vazhdueshme e atmosferës së futbollit, e që e dinë fare mirë që edhe nëse nuk e trukon i gjithë ekipi, janë elemente të veçantë që janë të predispozuar dhe njihen. Unë besoj që është një moment që kërkon reflektim të të gjithëve. Ndërsa përsa i përket çështjes së auditimit, apo vlerësimit të financave, vërtetë ka një lloj lirie relative Federata e Futbollit nga rregullat që ka FIFA, apo UEFA, por fakti që ky aktivitet zhvillohet brenda një legjislacioni shqiptar, askush nuk mund të thotë që po preket dinjiteti, apo preket ajo kornizë e paprekshmërisë së titullarëve që kanë Federatat. Kur gjërat janë të pastra dhe transparente, njeriu pranon me kënaqësi që të bëjë auditim dhe të bëjë një skaner të të gjithë veprimtarisë së tij dhe nuk ka pse të mohohet dhe të krijohet një tension që merr përmasa politike.

Gazetari: Në momentin që ju u zgjodhët President i Republikës, ju i kushtuat një rëndësi ish-të përndjekurve, i pritët në zyrën tuaj, i përfshitë në delegacionin që do të vizitojë Kosovën, por u shprehët edhe disa herë për ta. A nuk ju duket se çështja e të përndjekurve vazhdon të mbetet thjeshtë retorikë dhe vetëm kaq? Jo vetëm tek ju, por në përgjithësi tek politika shqiptare.

Presidenti Topi: Jo, jo s’ka asgjë që ka të bëjë me Institucionin e Presidentit. Kjo është një çështje e qeverisë, e skemave që ka qeveria. Me sa jam i informuar ekzistojnë skema që kërkojnë të implementohen. Nëse do të kishte qenë në mundësinë e Presidentit, gjëja e parë që do të kisha bërë do të kisha mbyllur kapitullin për kompensimin e të përndjekurve politikë.

Gazetari: Si do ta kishit bërë?

Presidenti Topi: Nëse do të kisha mundësi dhe do të ishte në kompetencat e mia që mund të ishte edhe natyra ekzekutive sikurse janë disa modele presidenciale, do të isha marrë dhe do t’i kisha dhënë prioritet pikërisht mbylljes së kësaj plage të shoqërisë që është trashëguar nga sistemi komunist.

Gazetari: Kam një pyetje të një lexuesi nga Kosova që thotë a i lexon personalisht Presidenti letrat që i vijnë nga populli?

Presidenti Topi: Për hir të transparencës, unë marr një ekstrakt me të gjithë emrat e personave që kanë drejtuar shqetësimet e tyre, kjo vjen në mënyrë periodike dhe jepet emri dhe shqetësimi kryesor që ka dhe aparati, apo administrata që merret me këto çështje specifike është e detyruar të japë përgjigje.

Gazetari: Një pyetje tjetër që thotë a do të ketë falje nga ana e Presidentit për të dënuarit?

Presidenti Topi: Sigurisht, që Presidenti do të ushtrojë të drejtën e tij kushtetuese për të bërë falje. Për shkak të vështirësisë që ka ky proces, duhen të dhëna të plota që ky proces të jetë shumë transparent, të jetë një proces shumë i pastër, i painfluencuar subjektivisht, do të merren kategori të caktuara, kryesisht do të jenë prioritet në faljen e parë minorenët, gratë, të moshuarit dhe kuptohet pastaj që në varësi të llojit të krimit, unë do të jem shumë i kujdesshëm.

Gazetari: Zoti President, do të doja t’u pyesja, përse vijoni të banoni në banesën tuaj private dhe jo në atë që quhet rezidenca shtetërore e Presidentit?

Presidenti Topi: Së pari është një moment psikologjik, nuk më kanë pëlqyer rezidencat e shtetit. Ka një lloj memorie jo të këndshme që kanë njerëzit në Shqipëri me rezidencat e ish bllokut të byrosë politike. Së dyti nuk e kam ndjerë realisht të nevojshme. Unë kam rastin që të shpreh këtu sot, ndoshta për herë të parë që pavarësisht se jam President i Republikës, unë konsumoj gjithçka që ka të bëjë me mua, paguaj rregullisht energjinë elektrike dhe ujin dhe të gjitha detyrimet që ka çdo qytetar dhe kurrësesi nuk kam ardhur në këtë pozicion për të patur akses edhe në ato gjëra që më takojnë me ligj. Pra është një lloj pozicionimi i imi dhe dëshiroj të shkoj shumë natyrshëm në këtë linjë.

Gazetari: Si e keni përzgjedhur stafin tuaj? Cili është stafi me të cilin juve punoni?

Presidenti Topi: Stafi politik mund të konsiderohet një kombinacion i njerëzve, të cilët unë i kam njohur prej vitesh me aftësitë e tyre intelektuale dhe profesionale. Ju siguroj që baza e njohjes sime është mjaft e gjerë, por unë kam ekstraktuar njerëzit që janë pikërisht për këtë punë. Nuk kam demonstruar thjesht nevojën për të pasur njerëz që unë i kam njohur por që dinë të bëjnë punën e tyre. Natyrisht ka pasur njerëz të cilët unë nuk i kam njohur, njerëz që unë i kam marrë nga konsideratat dhe gjurma që ata kanë lënë në administratë dhe mjaft njerëz që unë i kam gjetur dhe i kam rikonfirmuar në administratën e Presidencës, sepse do të ishte gabimi më i madh që një zyrtar kudo që të jetë, në momentin që shkon të bëjë spastrime dhe të punojë totalisht me grupin e tij, sepse procesi i formimit në administratë është një proces evolutiv, ç’ka do të thotë që nuk e ke të lehtë që pas shumë vitesh të heqësh një njeri për shkak të eksperiencës që ka krijuar. Unë jam i prirur që të besoj në vlerat e administratës dhe në njerëzit që e meritojnë, njerëzit që nuk e meritojnë ka njëmijë arsye përse ato nuk duhet të qëndrojnë në administratë.

Gazetari: Zoti Topi, në momentin që hytë në këtë godinë si President i Republikës dhe jo thjesht si një politikan që keni qenë shumë herë, a keni menduar ndonjëherë se kjo është godina më e shëmtuar e shtetit shqiptar?

Presidenti Topi: Unë kam hyrë në mjaft raste këtu, por ajo që unë mund të them këtu sot dhe kam të drejtë ta them, përgjegjësinë për gjendjen që ka kjo ndërtesë e kanë të gjitha qeveritë me radhë, duke filluar me qeverinë e parë demokratike, me qeverinë socialiste, me qeverinë aktuale, e cila për hir të së vërtetës në kërkesën që kam bërë ka dhënë fonde për të bërë rregullimet e duhura në këtë ndërtesë. Kjo nuk është një ndërtesë private, kjo është një ndërtesa më e rëndësishme e shtetit, ku bëhen vizita shumë të rëndësishme protokollare dhe këtu mund të gjesh zyra ...

Gazetari: Ndoshta ju mund të skuqeni në disa raste ...

Presidenti Topi: Jo nuk skuqem, sepse e shikoj këtë problem si një problem që duhet ta ndryshojmë pa u skuqur, pra nuk mjafton të skuqesh por njeriu duhet të ndërhyjë për ta sistemuar. Por ju siguroj për një lloj paralelizmi që sot ke zyra të kryetarëve të komunave të larta që mund të jenë në standarde më të pranueshme se zyra e Presidentit. Unë personalisht nuk do ta lejoj këtë situatë, sepse është imazhi i shtetit, pikërisht atëherë kur diferenca mes ambjenteve, zyrave private, është goxha e ndjeshme në diferencë me zyrat e shtetit. Kur njeriu shkon në një zyrë, shteti duhet të kujdeset për zyrën e tij, për ambjentet, sepse është një ambjent, që mund të të nderojë, ose mund të turpërojë. Prandaj kam besimin që ekziston kjo frymë dhe jam i bindur që kjo ndërtesë që mund të duket me atë lloj vlerësimi që thatë ju ...

Gazetari: Është e stilit sovjetik ...

Presidenti Topi: Është e stilit sovjetik ç’është e vërteta, ndërkohë që ne kemi ndërtesa siç është Pallati i Brigadave që ka vlera të vërteta.

Gazetari: Ka patur një ide për transferimin e Presidencës, të stafit të ngushtë të Presidentit dhe të rezidencës së tij në Pallatin e Brigadave, Pallatin Mbretëror, se Pallati i Brigadave është quajtur më pas, një ndër godinat tona më të mira dhe monumentale, por në rrënim për shkak të mosbanimit. A e keni menduar ndonjëherë këtë ide?

Presidenti Topi: Unë e kam menduar, por kam menduar që kohë pas kohe nuk ka ekzistuar ai predispozicion që ajo ndërtesë të restaurohet dhe të marrë vlerat e veta. Njerëzit këtu ...

Gazetari: A e ka luksin Shqipëria që godinën më të mirë të saj ta lërë dhe të përdorë godina të tjera?

Presidenti Topi: Sigurisht nuk e ka këtë luks. Atje mund të shkosh në ditë të ftohta të dimrit dhe e ke të vështirë të ngrohesh dhe të shkosh në ditë të nxehta të verës dhe e ke të vështirë të freskohesh. Unë mendoj, ndoshta nuk është në formatin e kësaj bisede, por unë mendoj që disa ndërtesa që janë pika referimi të vlerësimit të seriozitetit të shtetit, duhet të ndryshojnë me çdo kusht. Atje bëhen evenimentet më të rëndësishme, atje paraqiten letrat kredenciale që është momenti i parë i ballafaqimit zyrtar me zyrtarët e huaj, atje priten delegacione, por unë mendoj që të gjithë të jenë të motivuar dhe të mos ta shohin në mënyrë absolute me xhelozi, ajo është ndërtesë e shtetit dhe duhet të bëhet me çdo kusht.

Gazetari: Zoti Topi, ç’ka ndodhur në jetën e familjes tuaj pas zgjedhjes suaj President?

Presidenti Topi: Nga një njeri aktiv në shoqëri, që shfrytëzoja më së miri orët e mbasdites, tani jam i detyruar që t’i kaloj në vizita pas vizitash. Pra dita është kthyer në një ditë realisht të gjatë pune, ndërsa përsa i përket ndryshimit të modaliteteve të jetës nuk ka ndryshuar asgjë.

Gazetari: Po në jetën tuaj çfarë ka ndryshuar?

Presidenti Topi:Sigurisht që kur shkëputesh nga ambjentet që ke frekuentuar dhe mbyllesh në shtëpi ka ndryshuar shumë.

Gazetari: E keni të vështirë të qëndroni i mbyllur në zyrë?

Presidenti Topi: Njeriu akomodohet me çfarëdolloj rrethane, tani më është bërë diçka shumë e natyrshme.

Gazetari: A vijoni të jeni i pranishëm në stadium?

Presidenti Topi: Shkoj kohë mbas kohe, natyrisht kur jam në Tiranë, shkoj dhe me shumë dëshirë. E kam thënë dhe herë tjetër dhe nuk e teproj ta them është ambienti ku më rikthehen kontakte me njerëz që i kam njohur shumë vite përpara, njerëz të cilët përveç pasionit të sportit nuk kanë asnjë interes tjetër, janë njerëz shumë të pastër, shumë dashamirës dhe pasioni për sportin besoj është pasioni më i pastër i njeriut.

Gazetari: Cila është jeta juaj jashtë zyrtares, cilat janë aktivitetet me të cilat ju merreni jashtë angazhimit si President i Republikës?

Presidenti Topi: Tani është momenti kur njeriu është shumë selektiv për aktivitetet jashtë shtëpisë.

Gazetari: Për shkak të kohës së pakët?

Presidenti Topi: Për shkak të kohës relativisht të pakët që ke në përdorim. Unë kam qenë natyrë sportive, jam marrë me sport, tani e kam gati të pamundur, por shfrytëzoj fundjavën dhe plotësoj edhe atë pasion që kam patur për drejtimin e makinës edhe sot, ditëve të diela i jap vetë makinës.

Gazetari: Ju lejon Garda ta bëni këtë?

Presidenti Topi: Në praninë e Gardës dhe i asistuar shumë mirë.

Gazetari: Edhe një pyetje të fundit. Cili është avantazhi që një person ka kur bëhet President i Shqipërisë? Cili është avantazhi i parë që ndjetë kur u bëtë President?

Presidenti Topi: Ju siguroj që momenti i gëzimit është në momentet e para dhe mbas atij momenti nuk bëhet fjalë më për të shprehur gëzim, por ke vetëm impenjim. Dhe besoj që, për të qenë i sinqertë, njeriu ndjehet i vlerësuar dhe mbi të gjitha ndjehet shumë i detyruar ...

Gazetari: I detyruar ndaj ...

Presidenti Topi: I detyruar ndaj interesave të qytetarëve, të cilët kanë shprehur një besim tek ty dhe gjëja më e rëndësishme është që njeriu nuk duhet të zhgënjejë. Fakti që unë kam qenë vazhdimisht në kontakt me njerëzit ...

Gazetari: Duhet të jetë reduktuar mjaft besoj ...

Presidenti Topi: Kontakti është reduktuar, por nuk është kufizuar në mënyë totale. Kontaktet sigurisht që janë më të pakta, por me njerëzit e domosdoshëm që duhet të ruaj kontaktin, unë e ruaj kontaktin.

Gazetari: Në ç’mënyrë?

Presidenti Topi: Po kontaktet i mbaj jo thjesht nëpërmjet telefonit.

Gazetari: Atëherë s’besoj se mund të zgjatem më. Unë ju falenderoj për këtë intervistë dhe ju uroj rrugë të mbarë nesër!

Presidenti Topi: Faleminderit!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›