E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi përuron në Prishtinë hapjen e Zyrës për Biznes dhe Komunikim të Shqipërisë.

26 janar 2008

Në ditën e dytë të vzitës së tij në Prishtinë, Presidenti i Republikës Bamir Topi mori pjesë në ceremoninë e hapjes së Zyrës për Biznes dhe Komunikim, të Shqipërisë, ku ndodhet edhe Zyra e ATSH-së në Kosovë, në ambientet e Hotel Grand.

Kryetari i Shtetit e vlerësoi hapjen e Zyrës si një mundësi të re bashkëpunimesh shumë të mëdha mes Shqipërisë e Kosovës. "Unë jam i bindur sikurse të gjithë se pas fitimit të statusit të pavarësisë së Kosovës, një dimension i ri do të hapet edhe në bashkëpunimin ekonomik midis Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë e të gjithë rajonit. Ndërtimi i korridorit nga porti i Durrësit e deri në Kosovë do të jetë një mundësi jashtëzakonisht e madhe për shkëmbimin e njerëzve e të mallrave", - theksoi Presidenti Topi.

Presidenti Topi ka uruar për Zyrën edhe përfaqësuesit e Agjensisë Telegrafike Shqiptare. Drejtori i ATSH-së Artur Kopani, tha se "Kosova është një shtet i ri që sapo lind. Në ditët që vijnë do të ketë shumë gjëra që ndodhin për herë të parë. Por, unë sot jam shumë i lumtur dhe i nderuar që bashkë me presidentin Bamir Topi inauguruam hapjen e zyrës së parë editoriale të Agjencisë Telegrafike Shqiptare në Prishtinë. Ky është një bashkëpunim me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, në krijimin e një Qendre të Biznesit dhe Komunikimit".

Në këtë ceremoni ishin të pranishëm edhe përfaqësues të shumtë të institucioneve, politikës, biznesit dhe mediave të Kosovës e të Shqipërisë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›