Presidenti Topi iu përgjigj pyetjeve të dëgjuesve të BBC, në emisionin “Zigzag”.

11 janar 2008
Presidenti i Republikës, Bamir Topi iu përgjigj pyetjeve të dëgjuesve të BBC, në emisionin “Zigzag”, të transmetuar sot në orën 10’00.
BBC: Miq të nderuar përshëndetje nga Tirana! Bashkëbiseduesi ynë dhe juaji, sikurse kemi paralajmëruar sot është Presidenti i Shqipërisë, zoti Bamir Topi.
Ky emision realizohet në zyrën e Presidentit. Unë jam Selaudin Xhezairi. Zoti Topi mirëserdhët në “Zigzag”!
Presidenti Topi: Faleminderit për ftesën! Është kënaqësi e veçantë të jem me dëgjuesit tuaj.
BBC: Zoti President, në këtë program fjalën kryesore e kanë dëgjuesit dhe lexuesit e faqes sonë të internetit bbcalbania.com. Deri sot kur po regjistrojmë këtë bashkëbisedim kemi marrë, nuk e teproj nëse them, një numër rekord pyetjesh që ju adresohen Juve e që kanë të bëjnë me realitetin dhe perspektivën shqiptare. Prandaj le t’iu përgjigjemi pa vonesë!
Edvini nga Tirana shkruan se është student. Uron për detyrën dhe shtron këtë pyetje: “Fundvitin që lamë pas dy sondazhe të bëra ju nxorën personalitetin e vitit. Si ndihet Presidenti pas këtyre vlerësimeve të cilat e rikonfirmojnë si politikan të parapëlqyer të shqiptarëve?
Presidenti Topi: Natyrisht më vjen mirë pasi të marrësh konsiderata pozitive në aspektin njerëzor gjithmonë është e pëlqyeshme për individin. Por unë nuk do ta konsideroja thjesht në planin personal, do t’i jepja nota mjaft institucionale këtij vlerësimi, pasi kyçi i suksesit për një pozicion të caktuar është pikërisht filozofia e punës në ekip dhe mbi të gjitha komunikimi me publikun, i cili kurrësesi nuk duhet të mungojë, përkundrazi duhet të jetë i natyrshëm, pavarësisht nga pozicioni që okupon në një moment të caktuar.
BBC: Besoj se i njëjti dëgjues do të mbetet i kënaqur edhe me përgjigjen për pyetjen tjetër se kujt ia dedikoni këtë popullaritet që e gëzoni ndër shqiptarët. Zoti President, le të kalojmë fillimisht tek çështja e Kosovës. Pas zgjedhjeve të Kosovës tashmë është bërë dhe konstituimi i institucioneve të reja, me mandat të ri është edhe homologu juaj, zoti Fatmir Sejdiu. Edhe ai, edhe Kryeministri Hashim Thaçi, si dhe Kryeparlamentari i Kosovës, zoti Jakup Krasniqi thonë se sfida kryesore ka për të qenë statusi i Kosovës. Cili është parashikimi juaj, si kanë për të ecur punët, ndërkohë që Rusia dhe Serbia kundërshtojnë pavarësinë e propozuar nga Presidenti finlandez Marti Ahtisari?
Presidenti Topi: Përpara se të kaloj në parashikimin tim, i cili kurrësesi nuk mund të jetë personal, do të doja që të uroja me rastin e konstituimit të institucioneve të Kosovës edhe një herë Presidentin e rimandatuar, zotin Sejdiu, Kryeministrin, zotin Thaçi, Kryeparlamentarin, zotin Krasniqi. Unë kam patur një komunikim telefonik me z. Sejdiu menjëherë pas rizgjedhjes së tij, si edhe me z. Thaçi dhe z. Krasniqi pas marrjes së mandatit. Është një moment historik për Kosovën dhe ajo ç’ka ndodhi dje në Kosovë, pikërisht konstituimi i institucioneve është do të thoja një element i qenësishëm që vjen natyrshëm, një hallkë paraprake e asaj që presin të gjithë, pikërisht pavarësinë e Kosovës. Unë mendoj që gjithçka po ecën në një shtrat normal, gjithçka është e parashikuar që të ecë në këtë mënyrë. Pas zgjedhjeve demokratike të zhvilluara në Kosovë në 17 nëntor të vitit që sapo lamë pas dhe sidomos pas një administrimi të admirueshëm të gjithë situatës politike dhe institucionale në Kosovë nga të gjithë përfaqësuesit e politikës kosovare, vjen momenti kur klasa politike kosovare, institucionet demokratike të ndërtuara në Kosovë dhe sidomos filozofia e ndërtimit të koalicionit, që merr në konsideratë edhe interesat e pakicave, e bën që Kosova tashmë të jetë plotësisht në kondicionin e marrjes së statusit të pavarësisë. Asgjë nuk ka qenë jashtë parashikimit edhe përsa i përket sjelljes së Rusisë, e cila në mënyrë permanente ka qenë në filozofinë e saj tradicionale në mbështetje të filozofisë së Serbisë së Madhe gjë që do të thoja që nuk është në sintoni me atë psikologji të re të politikës botërore. Kjo është arsyeja që qoftë Rusia, qoftë Serbia kanë mbetur në një binom të izoluar, ndërkohë që numri i shteteve që janë në mbështetje të pavarësisë së Kosovës, sigurisht duke iu referuar planit të z. Ahtisari, janë gjithmonë në rritje, aq sa dhe politika e Bashkimit Europian gjithnjë e më shumë po konsiderohet si një politikë e vendosur në bllok, pa diskutuar pastaj shtete të tjera dhe në mënyrë të veçantë Shtetet e Bashkuara të Amerikës që kanë qenë lokomotiva për marrjen e statusit të pavarësisë. Mendoj që është realisht çështje ditësh dhe them çështje ditësh duke iu referuar pikërisht atij momenti që u konsumua dje në Parlamentin e ri të Kosovës, ku gjithçka u fut në standardet e dëshiruara nga perëndimi.
BBC: Zoti President, përmendët Serbinë e Madhe. Çfarë iu thoni atyre që thonë se pavarësimi i Kosovës do të thoshte, në fakt do të shënojë një hap drejt asaj që ata e quajnë Shqipëri e Madhe?
Presidenti Topi: Juve besoj e keni në konsideratë gjuhën politike të të gjithë liderëve shqiptarë qofshin këta në Shqipëri, qofshin në Kosovë. Pikë e referimit tashmë për vendet tona dhe për pjesën dërrmuese të vendeve ballkanike është familja euroatlantike, ç’ka do të thotë që marrja në konsideratë e standardeve të integrimit, hapja e kufijve do të presupozonte që sikurse ka ndodhur ai proces i natyrshëm në familjen europiane, në vendet më të qytetëruara të Europës, të cilat i kanë realizuar këto lëvizje dekada më parë, ajo të ndodhë edhe në vendet ballkanike, ku hapja e kufijve, arritja e standardeve dhe besoj sintonizimi i politikave nacionale me ato të familjes europiane dhe më gjerë euroatlantike do të bëjë që çdo njeri të ndjehet qytetar i Europës, ç’ka do të thotë që të gjitha aludimet që kanë të bëjnë me atë që ju shtruat në pyetjen tuaj nuk kanë sens të diskutohen sot.
BBC: Për Kosovën kemi edhe një pyetje të regjistruar! Le ta dëgjojmë! Mirëdita Zoti Topi, unë jam Behar Kryeziu nga Prishtina. Dëshiroj t’ju pyes a do ta njohë Shqipëria pavarësinë e Kosovës nëse Kosova e shpall në mënyrë të njëanshme atë, apo do të presë sinjalin nga shtetet e tjera perëndimore?
Presidenti Topi: Unë ju falenderoj për pyetjen! Pozicioni i Shqipërisë ndaj pavarësisë së Kosovës në mënyrë të natyrshme dhe gati organik ka qenë mjaft I qartë, ka qenë elokuent dhe i padiskutueshëm në çdo kohë. Çështja shtrohet nëse Shqipëria do ta njohë e para nga pikëpamja e reagimit diplomatik, apo do të jetë në vijim të reagimit të shteteve të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Unë ju siguroj që nëse ka një dëshirë po aq të zjarrtë sa ekziston në Kosovë ekziston tek çdo shqiptar, pavarësisht se ku jeton, nëse jeton në Shqipëri, jeton në Kosovë, jeton në Maqedoni, jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pra është një dëshirë që nuk ka nevojë të komentohet. Problemi është në sensin diplomatik. Edhe liderët politikë kosovarë dhe ne natyrisht këtu në Shqipëri kemi thënë që gjithçka do ta përputhim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Bashkimin Europian dhe po të kishte qenë për të operuar jashtë terrenit diplomatik besoj që kjo pyetje që ju bëni, me shumë dashamirësi po jua them nuk do të kishte vend.
BBC: Besoj që dëgjuesi ynë do të dalë i kënaqur me përgjigjen që sapo mori. Kalojmë në pyetjet që lidhem me realitetin shqiptar. Ilir Lushaj nga Shtetet e Bashkuara shtron dy pyetje: E para “ç’mund të thoni rreth faktit që vizioni i politikës shqiptare aktualisht është vetëm sot për sot. Fakti që Shqipëria është një ndër vendet më të korruptuara, ku krimi”, - thotë ai, - “është tepër i lartë dhe drejtësia vazhdon të ecë me një këmbë gjatë këtyre viteve, ndërsa dihet se kohët e vështira kërkojnë edhe veprime të vështira”?
Presidenti Topi: Unë ndaj përgjithësisht këtë shqetësim me qytetarin që drejton pyetjen. Por do të thoja që në komunikimin publik sot disa elementë amplifikohen më shumë seç duhet. Vërtet konstatohen simptoma të qarta të korrupsionit administrativ në Shqipëri, por unë mendoj që korrupsioni çdo ditë tentohet të luftohet në mënyrë institucionale. Por për të qenë transparent me ndjesitë jo thjesht të Presidentit, por në radhë të parë të qytetarit, ky korrupsion për fat të keq ekziston, ekziston në fusha të ndryshme të jetës, por e rëndësishme është që duhet të ketë një sistem frontal të të gjithë institucioneve të politikës në mënyrë që lufta kundër korrupsionit të mos mbetet si një element retorik, por të jetë pjesë e atij plan veprimi ku gjërat nga deklaratat duhet të jenë në elementë konkretë të zbatimit. Unë mendoj që ky korrupsion i cili realisht ekziston, ekziston pak a shumë në filozofinë e një pjese të madhe të shoqërisë. Me këtë rast nuk dua të bëj fajtor ata që përfshihen në mënyrë pasive, ose janë të detyruar që të futen në marrëdhënie korruptive, por do të thoja që gjithësecili, çdo qytetar shqiptar, duhet të lajmërojë me zë të lartë çdo fenomen korruptiv në radhë të parë për të krijuar një klimë psikologjike që korrupsioni në Shqipëri nuk duhet të luftohet thjesht me deklarata politike, por duhet të jetë pjesë e jetës së qytetarit. Unë besoj që ka iniciativa që vijnë nga forume të qytetarëve, nga zyra për mbrojtjen e qytetarëve dhe më pak zëra konkretë vijnë nga personazhe të njohura të jetës publike, të cilët mund të jenë pjesë e këtij fronti. Mendoj që ka progres, por më shumë duhet bërë dhe elementë konkretë unë mund t’jua them ka jo vetëm në fushën e shëndetësisë, ku besoj është momenti më i dhimbshëm, ku bluzat e bardha shpeshherë futen në këto pozicione jo të këndshme dhe pikërisht me pjesën që është më në nevojë. E dyta është çështja e pronave, që është çështje madhore në Shqipëri.
BBC: Për pronat gjithashtu kemi marrë disa pyetje. Ndërkohë kur është fjala për shqetësimet e qytetarëve. Ylli Dosku nga Nju Jorku, duke iu referuar reformave në drejtësi, nevojës së reformave në drejtësi, përmend rastin e një gjyqtari të njohuri të tij këtu në Shqipëri, i cili, sipas Yllit, megjithëse me një rrogë vjetore jo më të lartë se 10 mijë dollarë kishte krijuar një pasuri 15 herë më të madhe se ai që jeton dhe punon në Amerikë. Pyetja është, “a ka mundësi kontrollimi i fletëve të deklarimit të pasurisë dhe nga ana tjetër të krijohet një komision hetimi për këta abuzues të ligjit që po ia nxijnë faqen Shqipërisë?”, - thotë dëgjuesi.
Presidenti Topi: Kur diskutojmë për fenomenin e korrupsionit kjo merr trajtën e një sindrome që kap të gjitha institucionet. Pra, në rast se themi se a do të ketë supervizion nga institucioni i kontrollit të pasurive, sigurisht që kur themi se duhet të ketë supervizion do të marrim edhe atë tjetrën që edhe aty jo gjithçka shkon mirë, jo gjithçka trajtohet me objektivitet, pasi është e pamundur që edhe ky institucion të mos jetë kapur nga elementë të korrupsionit. Nëse do e diskutojmë në sensin e sindromës së korrupsionit. Por nga ana tjetër mund t’ju them që korrupsioni sot, edhe në ato forma që shfaqet, shfaqet në mënyrën më të sofistikuar. Po mundohem të jem sa më i drejtëpërdrejtë me detyrimin që ka Presidenti i Republikës për të qenë komunikues dhe i drejtëpërdrejtë me qytetarët. Jo të gjitha pasuritë vihen në emër të personit që okupon një pozicion të caktuar. Ka metoda të sofistikuara, ku ia kalojnë personave të tjerë, duke fshehur në këtë mënyrë pasurinë reale. Por shqetësimi i qyetarit është i drejtë, është një fenomen që konstatohet në mjaft raste, kur njerëzit që zenë një pozicion të caktuar sidomos në administratë dhe në gjyqësor e kanë të pamundur në asnjë lloj rrethane që të justifikojnë pikërisht atë që kanë akumuluar duke ditur që rroga është e përcaktuar. Kjo të jep të drejtën që në mënyrë alternative që të pohosh se korrupsioni në drejtësi është një element i dukshëm.
BBC: Jeni në programin “Zigzag” Mysafir i yni dhe i juaji sot është zoti Bamir Topi, Presidenti i Shqipërisë. Zoti President le të dëgjojmë tani një pyetje që lidhet me përpjekjet e Shqipërisë për t’u përfshirë në familjen euroatlantike. “Jam Suljeman Morina nga Zvicra. Kam këtë pyetje për z. President. I nderuar zoti President Topi, a jeni optimist se dy sfidat kryesore për shqiptarët, hyrja në NATO dhe në Bashkimin Europian do të realizohet gjatë mandatit tuaj”?
Presidenti Topi: Faleminderit zoti Morina për pyetjen! Unë mendoj që njërën prej sfidave ne e kemi shumë të afërt. Pikërisht ajo që ka të bëjë me marrjen e ftesës në Samitin e Bukureshtit që do të zhvillohet në prill, pra mbas 3 muajsh. Janë bërë të gjitha përpjekjet dhe politika shqiptare në përgjithësi, qoftë mazhoranca dhe opozita kanë demostruar një vullnet të ri për të plotësuar ato detyrime të fundit që kanë të bëjnë me vazhdimin e reformave qoftë në fushën e drejtësisë, qoftë në problemet elektorale. Besoj që është një rast i veçantë ku klasa politike shqiptare dhe sidomos vullneti i shoqërisë shqiptare është në tregues kaq të lartë. Parlamenti shqiptar në unison, por edhe 94% e popullsisë në sondazhe shprehet për nevojën e integrimit në NATO. Besoj se edhe më ndihmën e partnerëve dhe atij vullneti të vrullshëm diplomatik që ne kemi pasur në funksion të integrimit në NATO, besoj që kjo është një sfidë e cila do të kalohet me sukses. Çështja e integrimit në Bashkimin Europian për hir të së vërtetës është një çështje që konsiderohet më afatgjatë, që ka të bëjë me plotësimin e standardeve, jo thjesht në vullnetet politike dhe në çështjet politike, por janë standarde administrative, janë standarde ekonomike që kërkojnë më shumë kohë. Unë do të isha i lumtur që të isha shumë optimist që kjo gjë të zhvillohej brenda mandatit që kam unë si President, por dëshiroj t’ju them që duhet të jemi më objektiv. Besoj që sfida e parë e integrimit në NATO realizohet shumë shpejt, e dyta kërkon pak më shumë kohë.
BBC: Quhem Gent Metaj. Ky mesazh vjen nga Brukseli. Aktualisht jam punonjës i administratës belge, për ta përforcuar jam atashe i kabinetit i njërit prej kryetarëve të grupit parlamentar të Parlamentit të Brukselit. Zoti President, pyetja ime konsiston në një reflektim dhe një konstatim që kam bërë përgjatë një takimi që ju keni pasur në fundin e vitit të kaluar me emigrantët në Bruksel, ku meraku i emigrantëve ishte i mëposhtmi. Në fakt ju erdhët në krye të Republikës së Shqipërisë si President i saj i zgjedhur nga Partia Demokratike, pra keni qenë një ndër figurat më kryesore të PD-së, tanimë në postin e Presidentit. Meraku i emigrantëve në atë kohë ishte nëse do të mundnit ju si President i ri i Republikës së Shqipërisë të humbisnit komplet lidhjet politike që keni pasur me PD-në për t’u bërë President i të gjithë shqiptarëve dhe jo i një partie politike dhe i një personi të veçantë. Pas disa muajsh që juve jeni në postin e Presidentit të Republikës, cili është mendimi juaj, cili është konstatimi juaj në lidhje me këtë merak të emigrantëve?
Presidenti Topi: Zoti Metaj, në fakt juve këtë pyetje duhet t’ia drejtoni vetes dhe emigrantëve në përgjithësi se cila është ndjesia e tyre për mënyrën e sjelljes institucionale të Presidentit, sepse bindja ime që në momentin e ndërmarrjes së kësaj sfide për të ardhur në postin e Presidentit të Republikës, ka qenë në radhë të parë me vetveten, sepse Presidenti i Republikës detyrimisht, jo thjesht për shkak të detyrimit të tij kushtetues, duhet të jetë President i të gjithëve, duhet të jetë midis palëve, kur duhet duhet të jetë mbi palët, pra unë këtë problem e konsideroj të ezauruar që në fillimin e marrjes së ftesës për të zhvilluar një garë në Parlament për t’u zgjedhur President. Tashmë është një gjë, e cila çdo ditë e më shumë konsolidohet, janë më shumë terrene të tjera paragjykuese që vazhdojnë ta gjykojnë në këtë mënyrë, unë jam i bindur që do të jem gjithmonë në perfeksionim të ushtrimit të detyrës në pozicionin e Presidentit për të qenë President i të gjithëve dhe i shkëputur nga “backgrund”-et partiake.
BBC: Besoj se me këtë pyetje mbetet i kënaqur edhe dëgjuesi ynë nga Kanadaja, Petro Vidhi, si dhe Bashkim Shala nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërkaq, Hajredin Nasufaga nga Tirana, zoti President, ka dërguar këtë pyetje: “Përpara se të bëheshit President në një prononcim për media jeni shprehur se ‘PD është e larguar nga qëllimi për të cilën u krijuar dhe se i ka braktisur interesat e shtresave që përfaqëson, se lidershipi i PD-së përbëhet nga njerëz që udhëhiqen nga interesa të ngushta vetjake’. Tanimë që u zgjodhët President, a i qëndroni kësaj deklarate”?
Presidenti Topi: Unë zoti Nasufaga e kam shprehur nëse nuk gaboj në një intervistë të zhvilluar në muajin qershor të vitit 2007 dhe i jam referuar një konteksti të caktuar lidhur me zhvillimet politike në Shqipëri dhe me atë ç’ka unë kam pasur në funksion të një analize që kam bërë për qeverisjen dhe për misionin e Partisë Demokratike në atë kohë kur jam shprehur. Sigurisht, e gjithë kjo terminologji nuk kap në bllok Partinë Demokratike, kam thënë për elementë të caktuar që janë edhe me peshë në PD dhe është në parimet e mia që atë që them në një kohë nuk e zhbëj në një kohë tjetër. Këto kritika mund të jene të vlefshme në çdo kohë, por sigurisht me detyrën që kam sot si President i Republikës edhe për të qenë në koherencë me atë që shpreha në përgjigjen e pyetjes paraprake që do t’i largohem marrëdhënieve të karakterit partiak, qoftë edhe me Partinë Demokratike, do të thoja që këto vërejtje në kohën që unë i kam bërë sigurisht sipas këndvështrimit tim kanë qëndruar dhe nëse do t’i kthehem vlerësimit në retrospektivë pa lidhje me pozicionin tim ato qëndrime kanë qenë solide të miat dhe i konfirmoj për kontekstin me të cilin jam shprehur.
BBC: Zyhdi Reci nga Detroiti, të thuash në një farë mënyre vë në dyshim deklaratat e juaja kur flisni për prokurorë të pavarur, këshilltarë të pavarur, sepse sot këta i caktoni ju.
Presidenti Topi: Jo, duhet të kesh njohuri të mjaftueshme për ndërtimin e shtetit, duhet të kesh njohuri të mjaftueshme për pozicionin insitucional dhe kushtetues të Presidentit. Presidenti në rastin e gjyqtarëve është vetëm në fazën e dekretimit, sepse ju e dini që është Këshilli i Lartë i Drejtësisë që funksionon si një strukturë kolegjiale, ndonëse në krye të këtij këshilli është Presidenti i Republikës, ai, sipas Kushtetutës ka të drejtën vetëm të një vote. Pra, duke përdorur një term latinisht është “primus inter paris”, pra është i pari mes të barabartëve, ç’ka do të thotë që edhe Prokuroria funksionin mbi bazën e një ligji dhe Presidenti është vetëm ai që bën natyrisht dekretim, që nuk do ta konsideroja thjesht një proces formal, por do ta konsideroja një proces substancial në kuadrin e të gjithë bashkëpunimit institucional. Pra unë nuk jam ekskluziv në detyrën time.
BBC: Jemi me programin “Zigzag”. Mysafir i yni dhe bashkëbiseduesi juaj sot është zoti Bamir Topi, Presidenti i Shqipërisë. Ky emision është i regjistruar. Zoti President, vazhdojmë me pyetjet e dëgjuesve tanë. Florenc Rama nga Durrësi shkruan: “Një nga kushtet që i janë vënë Shqipërisë nga Bashkimi Europian janë kartat e identitetit. Pse nuk po bëhen këto karta? Pse mungon vullneti politik i të dy krahëve për pajisjen e shqiptarëve me to? Për t’u pajisur nuk duhen as pesë minuta,” - mendon Florenci.
Presidenti Topi: Florenci këtë pyetje ta orientojë tek ekzekutivi, sepse detyrimin për të bërë kartat e identitetit e ka qeveria shqiptare. Nuk besoj se është çështje e vullneteve të ndryshme politike për këtë punë, por është një çështje që ka të bëjë sikurse thashë me detyrimin që ka qeveria për të plotësuar qytetarët me kartat e identitetit. Do të thoni ju, qëndron Presidenti indiferent. Përkundrazi, ka qenë pjesë e ligjëratave të mia që nëse do të kishte sens çdo lloj diskutimi dhe veprimi institucional, ajo të bëhej vetëm mbi bazën e pajisjes me kartat e identitetit, që do të ishte momenti bazal i identifikimit të shtetasve dhe i veprimeve administrative që bëhen me qytetarët dhe në funksion të qytetarëve. Kështu që, kjo pyetje në mënyrë specifike i takon ekzekutivit. Përsa i përket pozicionit tim unë sigurisht që kam qenë i hapur dhe do të vazhdoj të jem gjithmonë në ndjekje të këtij problemi që është mjaft i rëndësishëm për shqitparët dhe për imazhin e Shqipërisë.
BBC: Zoti President, keni marrë një letër të gjatë nga Gëzim Aliko nga Toronto i Kanadasë, i cili thotë se ju ka shkruar edhe Juve. Gëzimi ngre shqetësimin për dëmtimin e varreve për qëllime përfitimi dhe për këtë përmend shkatërrimin e varrit të babait të tij. Si u përgjigjeni letrave që vijnë në adresën tuaj me probleme dhe me halle që edhe nuk janë në kompetencat e Presidentit të Republikës?
Presidenti Topi: Unë vlerësoj ndjeshmërinë e Gëzimit. Është një ndjeshmëri qytetare dhe besoj që ka kapur një temë që duhet marrë në konsideratë nga të gjithë. Së pari kujdesi dhe memoria për familjarët që nuk janë më në këtë botë të gjallë është detyrimi i parë i familjarëve, por duhet të jetë një detyrim edhe për pushtetin vendor, sepse simbas ligjit që ekziston sot, të gjitha varrezat, qofshin këto pranë qyteteve dhe qëndrave të mëdha urbane, qofshin pranë komunave janë në kompetencë të pushtetit vendor, por natyrisht në bashkëpunim edhe me strukturat qëndrore. Të dhunosh varret besoj nga individë të papërgjegjshëm, kjo përbën një përgjegjësi edhe për strukturat e shtetit që duhet të jenë në ndjekje të këtij problemi. Nuk mund t’ju them një rast specifik, sepse nuk e di për ku bëhet fjalë, por në parim ndaj shqetësimin tim me atë të Gëzimit që shteti në përgjithësi, strukturat e pushtetit vendor duhet të kenë një planifikim të gjatë edhe për perspektivën e varrezave kudo ku ato ndodhen. Për ta ilustruar mund të them këtë që në Tiranë banorët e Tiranës po kalojnë shifrën e 1 milionë banorëve dhe për fat të keq sot ende nuk ka një perspektivë të qartë të varrezave të reja, sepse njerëzit lindin dhe do të vdesin dhe kuptohet kur qyteti pesëfishohet dhe kur kapaciteti i varrezave ekzistuese është në ezaurim, kjo tregon që detyrimisht duhet të ketë mendime dhe veprime energjike që bashkë me qytetin duhet të ketë edhe varreza të reja. Pra unë mendoj që çështja e interesimit të qytetarit nuk ka të bëjë thjesht me një ndjesi personale, por besoj që të jep shansin për të trajtuar edhe një problem që i takon shtetit edhe pushtetit vendor.
BBC: Jam Merita Gashi nga Shkupi. Përshëndes Presidentin e Shqipërisë, zotin Bamir Topi. Doja nga ai që të japë një vlerësim për marrëdhëniet në relacionin Shqipëri – Maqedoni. Në të shumtën e rasteve ato cilësohen shumë të mira sidomos në rrafshin politik, por kështu sigurisht që nuk ndodh edhe në bashkëpunimin ekonomik. ǒka duhet të bëjnë dy shtetet që bashkëpunimi ekonomik të jetë në shkallën e duhur?
Presidenti Topi: Faleminderit zonja Gashi për pyetjen tuaj! E bëni pyetjen në një momentin kur debati për çështjen e regjimit të vizave me Maqedoninë. Shqipëria dhe Maqedonia janë dy shtete fqinje dhe besoj kanë bërë mjaft progres gjatë viteve të fundit. Shqipëria dhe Maqedonia, përveç marrëdhënieve bilaterale janë edhe në kuadrin e nismave rajonale dhe të Kartës së Adriatikut për t’u anëtarësuar në NATO, por edhe në BE. Besoj që në nivel politik këto marrëdhënie kanë ardhur duke u forcuar. Ndaj të njëjtin shqetësim me ju sa i përket intensitetit të marrëdhënieve ekonomike. Duket sikur këto dy vende nuk po gjejnë një bashkëpunim substancial, por kanë mbetur më shumë si territore tranzit dhe mendoj që e ardhmja e vendeve tona në integrimin rajonal dhe atë europian do t’i japë më shumë shanse që të kualifikojnë orientimet ekonomike dhe të specializojnë në mënyrë të detajuar marrëdhëniet që deri në këtë fazë janë më shumë në shkëmbimin e produkteve bujqësore dhe më shumë në shpenzimin e fundjavave, apo të sezonit turistik.
BBC: Dhe tani le të ndjekim një pyetje të regjistruar për çështjen që sapo prekëm, atë të vizave. “Jam Remzi Rexhepi Pojani. Zoti President, si do të veproni tani që dihet se janë vënë vizat për shtetasit shqiptarë nga shteti maqedonas. Por kam një nënpyetje kur tani dihet se në pushtet është në pushtet është Partia Demokratike Shqiptare si do të veproni ju tani”?
Presidenti Topi: Faleminderit zoti Rexhepi! Çështja është mjaft e ndjeshme. Padyshim që kjo përbën një shqetësim të madh për qytetarët, qytetarët e Shqipërisë, por edhe ata të Maqedonisë. Unë mendoj që është një veprim i nxituar i palës maqedonase, sepse ka një klimë paradoksale. Ndërkohë që Brukseli lehtëson regjimin e vizave me Shqipërinë, edhe për vende të cilat kanë qenë mjaft hermetike për lëvizjen e shqiptarëve, sot çuditërisht Maqedonia hedh ide për të forcuar regjimin e vizave, ndërkohë që nga lëvizja e lirë e njerëzve midis Shqipërisë dhe Maqedonisë ka pasur vetëm të mira, njerëzit kanë komunikuar më lirisht, biznesi është zhvilluar më shumë, turizmi më shumë dhe besoj këto hapa retrogradë që vijnë nga segmente të caktuara të politikës maqedonase natyrisht që nuk do të kenë shansin që të implementohen, sepse kuptohet që edhe Shqipëria edhe Maqedonia janë pjesë e politikave europiane, të cilat do t’i japin padyshim dhe detyrimin që kufijtë të vijnë duke e liberalizuar lëvizjen e tyre dhe jo të hermetizohen, sikurse ka ndodhur në kohën e izolimit. Por politika shqiptare, institucionet shqiptare dhe në mënyrë të veçantë Ministria e Jashtme dhe qeveria, por pse jo edhe Presidenti do të jenë të angazhuar fuqishëm që kjo çështje të rikthehet në normalitet.
BBC: Pyetja në vazhdim na rikthen në problemet në realitetin e brendshëm shqiptar, le ta dëgjojmë: “Jam Edona nga Shqipëria. Zoti President i Shqipërisë, pak kohë më parë ju reaguat shumë ashpër lidhur me atë që Agjensia e Kompensimit dhe Kthimit të Pronave po bën me pronat e qytetarëve. Ju lutem, çfarë është bërë deri tani në këtë drejtim”? Lidhur me pronat na shkruan edhe Ajet Delaj nga Nju Jorku dhe ju pyet se a jeni ju zoti President si garant i Kushtetutës që të gjithë ata funksionarë të shtetit të cilët pas vitit 98 shkelën Kushtetutën, kryesisht kur është fjala për të drejtën e qytetarëve shqiptarë për të poseduar pronat e trashëguara dhe të grabitura nga regjimi komunist të përfundojnë në burg? Si e shikoni këtë çështje?
Presidenti Topi: Natyrisht që do e trajtoj më gjerë se sa ajo që kërkohet në pyetjen e fundit nga zotëria. Çështja e pronave nuk është fokusuar thjesht tek Komisioni i Kthimit dhe i Kompensimit të Pronës, pasi çështja që ka të bëjë me kthimin e pronave është një çështje mjaft komplekse. Unë në ligjëratën që kam referuar për çështjen e pronave kam bërë një analizë integrale dhe nuk është analiza e vetme, por ndoshta është e para në pozicionin si President. Kjo është një çështje e akumuluar kohë pas kohe dhe nuk kam trajtuar çështje të ndryshimit të ligjit, por kam diskutuar për zbatimin me rigorozitet të ligjit, ajo që kërkohet edhe nga Institucioni i Presidentit. Abuzime ka pasur me ligjin 7501, abuzime ka pasur nëpër hipoteka, abuzime ka pasur nëpër arshiva dhe këto që po ju them i kam mbi bazën e të dhënave të akumuluara. Sigurisht shpërdorime me pronat e qytetarëve kanë ardhur edhe në nivelet e pushtetit vendor. Pra është për fat të keq një problem i gjeneralizuar, sepse nuk kap thjesht çështje që kanë të bëjnë me qendrën e Tiranës, ka probleme në bregdet, ka probleme nëpër komuna. Fakti që një pjesë e këtyre njerëzve sot janë në dyert e drejtësisë presupozon që shteti ka filluar të funksionojë edhe mbi bazën e këtij shqetësimi madhor. Besoj që hapa më konkretë do të realizohen. Unë do të jem shumë i angazhuar që ta ndjek procesin brenda kompetencave të mia, por këto gjëra duhet të ecin paralelisht edhe me reformimin e sistemit të drejtësisë, sepse çështja e pronave është një çështje që ka të bëjë me të drejtën legjitime të qytetarit për të kërkuar të drejtën e tij, pra për të kërkuar drejtësinë. Për të kërkuar drejtësinë nuk mjafton të shkosh në zyrat e shtetit, por mjaft çështje që kanë të bëjnë me deformimin e problemit të pronës vijnë edhe si pasojë e vendimeve jo të drejta që jipen në sistemin e drejtësisë. Pra me pak fjalë do të doja t’ju thoja që ky është një problem kompleks që kërkon një përballim kompleks nga të gjitha strukturat e shtetit. Ju siguroj që po punohet me shumë intensitet për të parë në radhë të parë se si është situata reale, për të bërë diagnostikimin e sëmundjes dhe pastaj për të shëruar atë që mund të shërohet.
BBC: Kemi edhe dy pyetje nga Shtetet e Bashkuara. Gjergji Cakra: “A do të kërkojë Presidenti hapjen e dosjeve të ’97-s”?
Presidenti Topi: Çështja e dosjeve nuk ka të bëjë me vullnetin e Presidentit, por çështja e dosjeve është një vullnet që projektohet në Parlament. Ju e dini që ka pasur mjaft debate për problemin e dosjeve, unë rezervohem të shprehem në këtë poziciom që jam, por po t’i kthehemi memories, do të shikoni që unë jam prononcuar në mënyrë të qartë për problemin e dosjeve dhe besoj që vetë politika shqiptare, sidomos politika në Parlament duhet t’i japë zgjidhje këtyre problemeve që sot nuk janë më një kompetencë, apo një çështje që i takon Presidentit.
BBC: Një pyetje na vjen nga Kosova dhe ka të bëjë me: “Unë jam Reshat Bubaci prej Prizreni nga Kosova. Kam dëshirë të di se a ka ndonjë prapavijë tjetër, natyrisht përveç eventualitetit Tiranë-Prishtinë për rrugën Durrës-Kukës-Morinë, apo janë dhe pengesa të natyrës tjetër?
Presidenti Topi: Faleminderit për pyetjen! Besoj që për çdo shqiptar të ndershëm rruga Durrës-Morinë është një rrugë, e cila normalisht duhej të ishte realizuar dekada më parë, por për shkak të politikës së izolimit, për shkak të asaj politike që në mënyrë të qëllimshme është bërë që Shqipëria dhe në mënyrë të veçantë, veriu i Shqipërisë të mbetet i izoluar, të mbetet larg nga Kosova. Unë besoj që kjo është rruga, besoj, që duhet t’i bashkojë shqiptarët e Kosovës dhe të Shqipërisë jo thjesht në aspektin njerëzor, por për t’i dhënë mundësi hapjes së tregjeve të reja të komunikimit, për t’i dhënë mundësi këtij komunikimi që është vital për Kosovën dhe Shqipërinë dhe kur juve me të drejtë hidhni dyshimin nëse ka prapavijë. Unë në këndvështrimin tim sigurisht që aprovoj një pjesë të asaj që ju dyshoni. Kjo është një rrugë, e cila është e pamundur që të mos ketë pasur edhe segmente që nuk e kanë dëshiruar, por ju siguroj që sot politika institucionale e Shqipërisë dhe çdo shqiptar i thjeshtë i painfluencuar nga presione të jashtme, ju siguroj që është mëse i bindur që kjo do të jetë rruga e së ardhmes që do të bashkojë Shqipërinë dhe Kosovën në tregjet dhe në familjen europiane.
BBC: Unë quhem Avni Dervishi jam magjistër i shkencave politike dhe këshilltar politik në Parlamentin e Suedisë, në Stokholm. Kam një pyetje për zotin President. Pyetja ime është kjo, në mesin tuaj ju keni këshilltarë politikë të fushave të ndryshme. A keni ndonjë këshilltar shqiptar që vjen nga diaspora, që janë intelektualë dhe që kanë punuar e punojnë në institucione të ndryshme perëndimore?
Presidenti Topi: Faleminderit! Unë i nderuar bashkëatdhetar e kam filluar punën si President i Republikës, duke gjetur një staf politik, sigurisht duke pasur edhe një staf administrativ, i cili sipas ligjeve të shtetit gëzon statusin e nëpunësit civil. Pra, në aksesin që ka Presidenti, ai ndërron stafin politik dhe në stafin politik kuptohet që janë këshilltarët që janë të domosdoshëm për aktivitetin e Presidentit. Unë jam munduar që të bëj vlerësime komplekse për individët dhe mbi të gjitha kam vlerësuar edhe eksperiencën e tyre dhe do të ishte gjithmonë tregu i hapur nëse do të ketë njerëz shumë cilësorë që vijnë edhe nga diaspora, duke ju siguruar që ka njerëz po aq cilësorë që jetojnë në Shqipëri. Ju siguroj që do të isha i hapur për të bërë zgjedhjen më të mirë midis intelektualëve shqiptarë, pavarësisht nëse jetojnë në Shqipëri, apo aktualisht jetojnë jashtë Shqipërisë.
BBC: Pyetja e fundit zoti President lidhet me marrëdhëniet shqiptaro-greke. “Përshëndetje nga Prishtina, quhem Menduh Gashi. Doja ta pyesja Presidentin Topi lidhur me kontekstin e pronave çame në Greqi. Aktualisht, ky problem duket se është anashkaluar disi. A ka mundësi që zoti President, përfaqësues i unitetit të kombit, që të inicojë këtë çështje me palën greke dhe përfundimisht çështja e pronave të çamëve të zgjidhet?
Presidenti Topi: Zoti Gashi, ju falenderoj për pyetjen! Më lejoni që t’ju kontestoj pikërisht në atë që çështja e pronave të shqiptarëve, ku futen edhe pronat e çamëve të jetë anashkaluar. Në vizitë time zyrtare në Greqi ka qenë një ndër termat e referencës së bisedimeve, por sigurisht nuk mund ta mohoj që në epiqendër të diskutimeve çështja e pavarësisë së Kosovës, ka qenë çështja e integrimit në NATO dhe në komunikimin zyrtar dhe diplomatik ka gjëra që vendosen më në evidencë në funksion të kohës dhe të konjukturës, por ju siguroj me ndjeshmërinë që ka shteti shqiptar, me ndjeshmërinë time personale si individ, këtë çështje e kam trajtuar si një çështje të së drejtës ndërkombëtare të individëve për pronën dhe i kam trajtuar si çështje të pronave të shqiptarëve në Greqi duke iu referuar në mënyrë eksplicite protokollit të miqësisë dhe nenit 15 që e qartëson që është pikërisht çështja e pronave të çamëve në trojet e tyre natyrale.
BBC: Përmendët Kosovën, zoti President, krejtësisht në fund kemi marrë disa pyetje që kanë një emërues të përbashkët se kur Presidenti shqiptar zyrtarisht do të vizitojë Prishtinën.
Presidenti Topi: Tashmë është zyrtarizuar. Me ftesë të zotit Ryker dhe të zotit Sejdiu, i cili u rikonfirmua për një mandat pesëvjeçar si President i Kosovës, unë do të vizitoj Kosovën në datë 25, 26 dhe 27 janar, ç’ka do të thotë pas dy javësh. Ndihem i lumturuar që do të jem në Kosovë në një moment historik për Kosovën, kur Kosova më shumë se kurrë është në prag të marrjes së statusit të pavarësisë dhe besoj se komentet për këtë vizitë janë të tepërta. Jam i mbushur me emocion për këtë vizitë dhe sigurisht që jam shumë i motivuar dhe mezi pres që të shkojmë në këtë vizitë zyrtare, ndonëse Kosovën për herë të parë e kam vizituar menjëherë pas çlirimit me dëshirën e madhe që ishte akumuluar tek unë edhe mbi bazën e asaj që më kishin treguar të afërmit dhe prindërit. Kështu që unë mezi e pres këtë vizitë, e cila po përgatitet me mjaft kujdes.
BBC: Zoti President, ju faleminderit që ishit mysafir i programit tonë “Zigzag”.
President Topi: Ishte kënaqësi për mua!
BBC: Ishte Presidenti shqiptar Bamir Topi në “Zigzag”-un e regjistruar më 10 janar 2008. Në realizimin e emisionit morën pjesë dhe kolegët Fatos Ahmati dhe Aleksandër Furxhi. Unë jam Selaudin Xhezairi. Qëndroni me BBC.