Presidenti Topi merr pjesë në tryezën e punës me temë “E drejta historike e pronësisë dhe statusi i kthimit të pronave”.

4 dhjetor 2007
Presidenti i Republikës, Bamir Topi ishte sot i pranishëm në tryezën e punës me temë “E drejta historike e pronësisë dhe statusi i kthimit të pronave”, e organizuar nga Instituti për Demokraci e Reforma, nën patronazhin e Presidentit Topi dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë.
Më poshtë vijon fjala e plotë e Kryetarit të Shtetit:
“Zonja dhe Zotërinj,
Është kënaqësi e veçantë të jem këtu mes jush për të dëgjuar në radhë të parë pastaj për të marrë pjesë në një debat të njerëzve ndoshta më të interesuar për çështjen ndoshta më madhore që ka sot shoqëria shqiptare, një çështje e cila konsiderohet mjaft e komplikuar, një çështje e cila në mënyrë permanente është konsideruar jo si e vështirë për t’u zgjidhur, por një çështje e cila më së shumti tek ata që e kanë pasur në dorë këtë problem kohë pas kohe një çështje që nuk gjen njerëz të motivuar për ta zgjidhur. Unë sot e kam të vështirë të dal nga formati, sepse njeriu përpara se të jetë President, ministër, deputet për një çështje kaq sensitive merr pozicionin e një qytetari të thjeshtë, e një qytetari i cili realisht është përballur drejtpërdrejt me çështjen më problematike që ka shteti dhe shoqëria shqiptare, por i ardhur në këtë pozicion të ri jam i detyruar që ta formatoj fjalën time brenda kornizave të institucionit të Presidentit.
Unë ndoshta po bëj një hapje jo fort të këndshme. Jemi mbledhur sot këtu me preokupacionin për t’i dhënë një shtysë çështjes së pronave, pra edhe në këtë moment kur ne jemi mbledhur për të diskutuar, ju siguroj që diku prona po vidhet, ju siguroj që diku një nëpunës i administratës e ka filluar ditën e punës me mendimin që diçka do të përvetësojë, diku do të hyjë në një pazar. Duket sikur po themi gjëra të tmerrshme për një shtet, por në fakt janë bërë aq familjare sa askush nuk mund të thotë të kundërtën. Prova më e qartë e asaj çfarë ka ndodhur me pronat, por vetëm një pjesë shumë e vogël është ajo që ju patë dje tek demostrohej përpara Gjykatës së Tiranës. Për të kapur edhe një element tjetër, ende njerëzit që janë të prekur drejtëpërdrejt nga abuzimi i pushtetit me të drejtën për pronën, ende janë të pasigurtë nëse drejtësia do të veprojë drejtë mbi abuzuesit. Kur ndonjë vjedhës i rëndomtë i fut dorën në xhep dikujt në autobus, menjëherë etiketohet “hajdut”. Ju e kuptoni se sa fjalë e rëndë është të jesh hajdut. Përfytyroni, ka njerëz që ndër vite janë të veshur shik, të veshur me kostumet e modës, të cilët kanë operuar si kasapë të vërtetë tek pronat e qytetarëve, një sëmundje e cila për fat të keq është futur në një shtrat kronik. Është një sëmundje e cila duhet të përballohet, duhet të njihet mirë, sepse për fat të keq ende nuk njihet mirë, duhet bërë diagnoza e qartë e kësaj sëmundjeje, sepse ende nuk ka një diagnozë të qartë të kësaj sëmundjeje dhe për ta kuruar atë në mënyrë definitive duhet një terapi profesionale.
Unë, në një farë mënyre, duke qenë protagonist në shumë vite i diskutimit të kësaj çështjeje, vazhdimisht e kam përjetuar në mënyrë jo të këndshme diskutimin e çështjes së pronave. Kam parë njerëz të cilët, e kam thënë edhe diku në një emision televiziv, që kanë filluar interesimin e tyre me letra dhe dokumenta të vyera, që ia kanë lënë paraardhësit, diku për t’i ruajtur gjatë kohës së izolimit, sepse edhe t’i ruaje ka qenë shumë e vështirë, e kanë filluar si qytetarë civilë të një shoqërie të re demokratike, kanë filluar të ndjekin çështjen e pronave, kanë hyrë me flokë të zeza, e kam thënë edhe një herë, dhe kanë dalë me flokë të bardha. Minimalisht të kishin dalë me pronat e tyre do të ishte shumë mirë, por kanë dalë me flokë të bardhë e vetëm me letra në duar, s’kishin ç’bënin. Këto janë eksperienca të drejtëpërdrejta që unë i kam nga njerëz që i njoh drejtëpërdrejt. Dhe sot me cilësinë e re të pozicionit që kam si President i Republikës, kam informacione të shumëfishta mjaft komplekse për këtë problem, i cili më shumë se sa është i ndërlikuar në terren, ndërlikohet në mënyrë subjektive nga njerëzit. Duhet të merrni në konsideratë që, për ta ulur në terren konkret, Shqipëria është një vend me një sipërfaqe 28 mijë kilometra katrorë, ku tre të katërtat e territorit të saj janë terren kodrinor – malor, ku nga statistikat e vitit 1938 ne kemi trashëguar diku rreth 370 mijë hektar tokë, referuar pronësisë, kjo ishte sipas statistikave dhe ricikluar po kaq afërsisht gjatë periudhës socialiste. Në një vend ku lëvizjet demografike kanë qenë intensive nga periferia në qendër, në një vend ku në periferi në përgjithësi çështjet nuk ekzistojnë si të tilla, pra çështjet janë zgjidhur. Në një vend ku problemi kufizohet gjithnjë e më shumë në një zonë shumë të kufizuar, pra është zona ku njerëzit kanë interesat më të mëdha. Dhe padyshim ky është aksi Tiranë – Durrës, aksi shumë i preferuar dhe këtë e tregon fare mirë edhe çmimi i tokës në këtë zonë, pikërisht këtu janë edhe problemet më të mëdha. Nuk jam duke folur këtu për procese që konsiderohen si lëvizje të mëdha shoqërore, nuk e prek atë nivel, sepse janë gjëra që janë stabilizuar me ligj dhe Presidenti i Republikës duhet të flasë vetëm me gjuhën e ligjit. Shteti ka për detyrë që të bëjë rregullimin ligjor, sigurisht nëpërmjet Parlamentit, për të bërë sistemimin e interesave edhe të grupimeve të mëdha shoqërore. Fjalën e kam për një fenomen tjetër, një fenomen që në vite është parë tek zyrat e shtetit, në radhë të parë në pushtetin vendor. Nuk jam këtu për të atakuar një ligj që ka dalë, por jam këtu për të atakuar pikërisht abuzimet me aplikimin e ligjit, sepse është një debat shumë i gjerë politik dhe profesional për të atakuar një ligj. Nuk na takon ne ta atakojmë ligjin këtu, së paku mua. Por jemi këtu për të parë se si zbatohet ky ligj. Dhe të jeni të sigurtë që abuzime të mëdha janë bërë pikërisht në zbatimin e ligjit 7501. Dhe së pari kanë bërë abuzime pikërisht pushtetarët vendorë. Diku shprehet, diku nuk shprehet, diku sulmohet, sepse ata që sulmohen ose janë kampionë të korrupsionit, ose diku kanë gjetur një siguresë mbrojtjeje që nuk i atakon. Kjo është një sëmundje endemike që i ka kapur të gjithë. Në radhë të parë nuk ka kapur komunat e largëta ku nuk ka interesa, ku mund të shkosh dhe ta gjesh tokën me bollëk, ka kapur pikërisht strukturat e pushtetit vendor në vite, pavarësisht se kush ka qenë, pavarësisht se kush është, pikërisht në zonat preferenciale. Mbasi kanë marrë nën kontroll në një pjesë të konsiderueshme të rasteve në mënyrë abuzive në zonën që konsiderohet metropol, kanë kaluar në bregdet. Dhe ku kanë kaluar, kanë kaluar pikërisht atje për të fituar territore të reja dhe për t’i paraprirë pikërisht asaj që konsiderohet si prioritet i zhvillimit, sepse këta njerëz kanë aftësinë që të shikojnë larg, këta njerëz kanë aftësinë të shikojnë larg sepse ndjehen të rehatuar. Ndërsa ai që merret me parcelën e vet nuk mund të shikojë larg, ai shikon vetëm tek parcela e tij. A ka përgjegjësi? Sigurisht që përgjegjësitë janë për t’u evidentuar, që ka përgjegjësi kjo as që nuk diskutohet.
Fillimisht mendova që të flas me një gjuhë tjetër. Nuk e kemi komoditetin që të flasim me një gjuhë tjetër. Sepse babëzia po avancon me ritme jashtëzakonisht intensive. Të flasësh me një gjuhë tjetër do të thotë të bësh kozmetikë tek një trup i cili lëngon, është i sëmurë rëndë. Unë mendoj që këtu duhet të kalojmë në gjëra më konkrete. Kjo është arsyeja që unë e vlerësoj shumë jo thjesht këtë takim, por edhe investimin që është bërë nga zoti Aliaj në vite edhe nga mjaft protagonistë këtu, të cilët, secili nga këta individë këtu, edhe të tjerë që janë jashtë kësaj salle, janë munduar të bëjnë diçka, por për fat të keq nuk është sintonizuar, nuk është sinkronizuar zëri dhe metoda e zgjidhjes së problemit. Një grup interesi ka luftuar politikisht për çështjet e ndryshimit të ligjit, përkrahur edhe nga subjekte politike. Pastaj ky debat është bërë në vite mjaft i ashpër. Tani problemi nuk më duket thjeshtë i ripozicionimit të ligjit, sepse ka mbetur shumë pak për ta parë këtë punë. Këtu, tani jemi në një pozicion, jemi fokusuar pikërisht tek e drejta universale për të kërkuar pronën, pikërisht aty ku janë mundësitë, dhe këtë duhet ta ketë shteti, duhet ta ketë politika, duhet ta ketë pushteti vendor, duhet ta kenë profesionistët. Pra në vitin 2007 çfarë do të bëhet për të rikuperuar çështjen e pronës? Do një angazhim madhor dhe do së pari një zë profesional. Profesionistët duhet të japin realisht zgjidhje konkrete për strukturat e shtetit, sepse në mjaft raste ne vërtet i kemi strukturat, por strukturat ose janë të dobëta dhe nuk i kanë mundësitë të gjitha në terren dhe punojnë vetëm në qendër, ose nuk e njohin mirë realitetin. Pra, ajo për të cilën unë jam mjaft i shqetësuar dhe do të dëshiroja fort që profesionistët të ngrenë zërin e tyre, por jo të fragmentuar, individualisht. Profesionisti i vërtetë është ai që gjen zërin e bashkëpunimit në mënyrë kolegjiale, ku i thotë strukturave të shtetit, i thotë politikës zgjidhja për këtë moment është kjo! Çështja e pronave, të jemi të ndërgjegjshëm, nuk zgjidhet me pesë milionë dollarë në vit. Pesë milion dollarë kushton vetëm një pronë në qendër të Tiranës. Ka një dëshirë për të bërë kompensim, nuk është kjo rruga e zgjidhjes, sepse sot ekziston një rrugë tjetër, të ketë një “check up”, një transparencë të plotë të të gjitha pronave të bregdetit. Nuk është e vështirë për ta bërë. Nuk është fare e vështirë për ta bërë! Kush i ka këto prona? Kush i disponon dhe në emër të kujt janë? Do të kishte qenë minimumi i së keqes po të dilnin në pah se kush janë, së pari ose për të bërë bujqësi në zonat të cilat janë pranë detit, ose për të bërë turizëm. Nuk është as njëra, as tjetra. Vijnë investitorë të huaj me kapitale, sigurisht që ka edhe kapitalistë shqiptarë që me të drejtë kërkojnë të investojnë dhe pengesën e kanë në bazë, e kanë tek çështja e pronësisë.
Pra pa u zgjatur shumë, sepse kjo është një temë ku njeriu e ka të vështirë të ndalojë, unë do të isha i mendimit që zëri i kësaj tryeze duhet të shkojë në radhë të parë tek politika shqiptare, tek Parlamenti shqiptar, tek qeveria, tek strukturat që merren në mënyrë specifike me çështjen e pronave, për të bërë një transparencë të plotë të të gjitha akteve të dhënies së pronësisë, pikërisht aty ku gjërat konsiderohen preferenciale dhe të bëhet gradualisht një koncentrim tek problemi. Të ikin të gjitha ato probleme që nuk ekzistojnë në zonat periferike të Shqipërisë, ose problemet janë shumë minimale, dhe vëmendja të përqendrohet pikërisht aty ku janë problemet dhe aty ku është fondi dhe mundësia për të pasur mundësi kompensimi fizik. Ndryshe vlera e pronave që pronarët kërkojnë të kompensohen janë me shifra marramendëse, të jemi realistë, të jemi me këmbë në tokë, shteti ynë është ende i dobët për të mos thënë i varfër për t’i hyrë ndërmarrjeve të tilla për kompensime financiare. Do të iki ky brez që aspiron të marrë pronën, do të ikë dhe brezi tjetër dhe nuk do të kompensohen më financiarisht. Ka metoda më realiste, më e ndershme, është metoda e transparencës së plotë me pronat, sidomos në zonën bregdetare dhe nuk ka kohë të pritet më. Kjo transparencë duhet të bëhet në mënyrë ligjore, zyrtare. Nuk jam këtu për të hedhur kritika ndaj strukturave, por jam për të sensibilizuar problemin, se me cilësinë e Presidentit të Republikës jam i detyruar që të shpreh sensibilitetin qytetar, i cili është i jashtëzakonshëm. Nuk duhet të futem në tentativat e zyrtarëve të vegjël, mesatarë … po e ndërpres këtu, e për ta vazhduar historinë e përvetësimit të pronave. Kështu që unë do t’ju kërkoja sinqerisht, do t’i bënit shërbimin më të mirë shtetit në radhë të parë, qytetarëve që zgjidhjet të jenë sa më të thjeshta, zgjidhjet e ndërlikuara nuk të ofrojnë shanse, pra duhet të thjeshtohet problemi. Problemi kërkon një metodikë të qartë dhe këtë metodikë nuk mund ta japë asnjë politikan. Metodikën e japin profesionistët, të cilët realisht janë në gjendje që të zgjidhin këtë “nyje gordiane” siç është çështja e pronave. Unë kam besim të plotë dhe me këtë rast dëshiroj që t’ju falenderoj për ftesën dhe t’ju uroj suksese në këtë tryezë. Unë gjithsesi jam shumë i dëshiruar të dëgjoj zgjidhje, të bashkërendojmë forcat që së bashku me të gjitha strukturat e shtetit të gjejmë një zgjidhje që do të ishte e dëshiruar për të gjithë. Të përfundojë historia e pronave për t’i lënë vendin një kohe tjetër, kohës së investimeve, sepse kapitali ekziston, kapitali është në pritje. Ajo që duhet të japim ne është zgjidhja ligjore, definitive e çështjes së pronave.
Ju faleminderit!