E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi viziton sërish të plagosurit në Spitalin Ushtarak dhe shpreh mirënjohjen për profesionalizmin dhe punën e palodhur të stafit mjekësor.

16 mars 2008

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i shoqëruar edhe nga anëtarë të kabinetit të tij, vizitoi sërish të plagosurit e shtruar në Spitalin Ushtarak dhe Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës.

Në Spitalin Ushtarak, Kreu i shtetit, i shoqëruar edhe nga Drejtori i Përgjithshëm i këtij spitali, kirurgu Bedri Mihaj, vizitoi Repartin e Urgjencës ku u interesua për gjendjen e të shtruarve, duke u uruar atyre shërim të shpejtë dhe duke i siguruar për mbështetjen e gjithanshme të Institucionit të Presidentit dhe strukturave shtetërore.

I pyetur nga Tv Klan se si paraqitet gjendja e të lënduarve, Presidenti Topi u shpreh: “Gjendja paraqitet shumë e mirë, aq sa unë arrita të komunikoj lirshëm me ta. Kam rastin edhe njëherë të shpreh mirënjohje. Gjithmonë për bluzat e bardha duhet të shprehemi. Por ky ka qenë një rast shumë specifik. Kjo mirënjohje duhet shumëfishuar. Duhet thënë sepse, ka nevojë të thuhet para të gjithëve që, mjekësia, i gjithë personeli mjekësor, duke filluar nga mjekët, infermierët, kanë qenë vërtet jo vetëm në lartësinë e tyre, por shumë lart në detyrën e tyre. Meqënëse jemi në ambientet e spitalit, do të dëshiroja një mirënjohje dhe falenderim të veçantë për solidaritetin qytetar, për të gjithë ata që u vendosën në radhë për të dhënë gjak. Kam rastin, meqënëse televizioni juaj shihet edhe në Kosovë, të falenderoj të gjithë qytetarët e Kosovës, sepse edhe në simbolikën e vet, marrja e gjakut preferohet në situata të tilla të vijë ngado, por kur vjen nga vëllezërit e të njëjtit gjak, ka një simbolikë tjetër. Kështu që dëshiroj t’i falenderoj, nga njerëzit e thjeshtë, nga personalitetet e Kosovës, të gjithë njerëzit që i ofruan ndihmë spitalit, që kanë të gatshëm për të dhënë këtë ndihmë në shenjë solidariteti të paparë”

I pyetur sërish rreth gjendjes së disa të lënduarve në gjendje kritike për jetën, të cilët janë larguar në spitale jashtë shtetit për një ndihmë më të specializuar, Presidenti Topi u përgjigj: “Gjendja e tyre natyrisht që ka problemet e veta dhe këtë mund ta thonë më mirë mjekët. Kjo është arsyeja që ato është parë e udhës të shkojnë në klinika të specilaizuara. Këtu duhen përshëndetur edhe vendet që kanë dhënë këtë mikpritje për t’i dhënë ndihmën e kualifikuar. Fakti që kanë shkuar në ato klinika, ne jemi me shpresë që gjithçka do të shkojë mirë.”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›