E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi viziton të prekurit e pastrehë të shpërthimit të Gërdecit, të cilët gjenden të strehuar në Shtëpinë e Pushimit të Ministrisë së Brendshme në Durrës.

17 mars 2008
Durrës

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i shoqëruar nga Zëvendëskryeministri Gazmend Oketa, Presidenti i Asamblesë së Partisë Republikane Sabri Godo dhe nga stafi drejtues i Institucionit të Presidencës, zhvilloi sot një vizitë në Shtëpinë e Pushimit të Ministrisë së Brendshme në Durrës ku janë strehuar të prekurit nga shpërthimi tragjik i Gërdecit, të cilët përkohësisht kanë mbetur pa strehë.

Presidenti Topi pasi u prit nga nga Kryebashkiaku i Durrësit, Vangjel Dako, Drejtori i Shtëpisë së Pushimit, Mysli Shala, deputetë të zonës dhe autoritete vendore, u takua përzemërisht me disa familje të pastreha, duke u dhënë zemër dhe siguruar ata mbi mbështetjen e plotë nga ana e Institucionit të Presidentit dhe mbi vëmendjen maksimale të të gjitha strukturave shtetërore për kapërcimin dhe lehtësimin e kësaj gjendjeje të rëndë.

Gjatë një komunikimi të shkurtër me banorët e pastrehë të prekur nga shpërthimi në Gërdec, Kreu i shtetit u shpreh: “Me zotin Oketa, me zotin Ndoka, me deputetin Xhaferri, me gjithë personalitetet e pushtetit vendor këtu në Durrës jemi në këtë komunikim me ju për t’iu dhënë informacionet e fundit që kanë të bëjnë me organizimin e punës dhe do të jetë një punë shumë e shpejtë. Këtë informacion e mora nga Kryetari i Bashkisë së Vorës, sepse asistova në një takim atje. Janë 10 komisione që janë ngritur nga njerëz të pushtetit, por edhe nga specialistë, të cilët do të evidentojnë të gjitha dëmet. Do të jetë një proces shumë i shpejtë, nuk do të jetë një proces i zvarritur në kohë, do të evidentohen dëmet dhe do të bëhet një plan i ndërhyrjes emergjente në mënyrë që ju të ktheheni sa më shpejt në banesat tuaja. Më e rëndësishmja në këtë periudhë ka qenë që të kalohet faza e emergjencës, për t’iu dhënë ndihmë të plagosurve dhe ju e dini fare mirë që shteti shqiptar në bashkëpunim edhe me shtetet fqinjë i ka çuar ata që kanë qenë të plagosur më rëndë në klinika shumë të specializuara dhe ne shpresojmë shumë që gjithçka do të kthehet në normalitet. Vazhdojnë operacionet për ata që nuk i përgjigjen apelit. Pra, situata ka qenë komplekse, por po vjen duke u normalizuar. Ju jeni strehuar këtu, natyrisht që ky është një strehim i përkohshëm, por ne shumë shpejt do të bëjmë të mundur përmes një organizimi të të gjithë strukturave të shtetit, të qeverisë e të pushtetit vendor, të ndihmave që do të vijnë nga biznesi, të ndihmave që do të vijnë edhe nga jashtë, që ju të rregulloheni sa më shpejt që të jetë e mundur. Pra i gjithë shteti, e gjithë shoqëria është në këmbë që t’ju vijë në ndihmë, kjo ndihmë duhet të jetë direkte, duhet të jetë morale, ekonomike, psikologjike, pra duhet të jemi të qetë, sepse çdo gjë do të shkojë në normalitet. Unë erdha të bëj këtë komunikim të drejtëpërdrejtë me ju për t’iu dhënë garanci, për t’ju inkurajuar, për t’ju dhënë mbështetje morale së bashku me kolegët e tjerë në këtë situatë të vështirë. E keni kaluar atë tmerrin e parë. Ju siguroj që shoqëria, shteti është me ju. Këto i keni garanci të plota që ju vinë nga të gjithë strukturat e shtetit dhe qeveria. Gëzohem që u takuam! Shëndet për ju, për familjet tuaja, për fëmijët dhe shpresojmë dhe jemi të bindur që situata të tilla nuk do të përsëriten më. Urimet më të mira!”

* * *

Presidenti Topi në përfundim të vizitës në Kovaleshencë iu përgjigj interesimit të mediave të pranishme duke thënë: “Patëm një komunikim të natyrshëm njerëzor me të gjithë banorët që janë strehuar në ambientet e Konvaleshencës. Vij këtu pas një takimi që ju e ndoqët në Bashkinë e Vorës. Sot ka nisur puna në 10 komisione, të cilat do të operojnë në fusha të ndryshme, por është shumë e rëndësishme që normaliteti të kthehet në të gjitha këndvështrimet e mundshme. Pra, të sistemohen viktimat, të punohet me shumë përkushtim në gjetjen e njerëzve, të cilët i mungojnë apelit, por sigurisht që jeta do të vazhdojë dhe njerëzit kërkojnë që sa më shpejt të kthehen në banesat e tyre. Kuptohet që shumë banesa janë të dëmtuara, janë të rrënuara, një pjesë kërkon që të riparohen, pra gjithë puna është për të evidentuar dëmin, për të pasur një preventiv real dhe nga i gjithë informacioni që kemi nga strukturat e shtetit dhe të qeverisë dhe të pushtetit vendor, ndërhyrja do të jetë emergjente dhe shumë e shpejtë për t’u rikthyer në normalitet dhe për t’iu larguar këtij shoku psikologjik dhe jam i bindur që e gjithë shoqëria është shumë solidare për kalimin e këtyre momenteve.

Pyetje: Ka ndonjë gjë konkrete që iu afrohet këtyre banorëve?

Presidenti Topi: Gjëja konkrete është kjo, që sot, nesër, pasnesër, pra do të jetë një proces shumë i shpejtë, evidentohen dëmet, del preventivi dhe ndihma do të jetë e menjëhershme. Përgjegjësia pastaj është një çështje e institucioneve specifike ,që do të merren me këtë punë dhe nuk mund të dalë sot.

Pyetje: A është e lejueshme që fabrika të tilla …

Presidenti Topi: Unë nuk mund ta zgjeroj këtë komunikim, sepse kam ardhur me një motiv të caktuar, por ju siguroj që transparenca do të jetë e plotë për të gjitha.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›