E Diel, 1 Nëntor 2026

Përzënë me armë firmën e kromit, në kërkim autorët

Mirditë- Pesë persona të një fisi në fshatin Lam i Madh të Matit, kanë përzënë me armë firmën e liencuar për nxjerrjen e kromit në afërsi të Hurdhës së Tolles, një vend kufitar në mes Matit e Mirditës, në malet e Kunor-Valmorit, për shkak të pranisë së kromit të pasur në atë vend.

Sipas burimeve policore, kanë qenë pesë persona nga fshati Lam i Madh i Matit që kanë shkuar tek vendi ku punonte firma e licencuar për shfrytëzimin e kromit në këtë rajon. Duke përdorur armët si presion ata kanë kërcënuar punëtorët, duke i larguar me forcë, pasi sipas tyre kjo tokë u përkiste atyre.

Të kërcënuar për jetën punëtorët janë larguar nga vendi i punës, ndërsa është bërë denoncimi në polici. Pas njoftimit në vendin e ngjarjes kanë shkuar forca policore të dy komisariateve, të Mirditës dhe të Burrelit, që kanë mundur të bllokojnë automjetin me të cilin kishin udhëtuar për tek miniera e kromit pesë personat e armatosur nga fshati Lam i Madh.

Policia ka mundur të bllokojë si provë materiale automjetin tip Land Rover, të përdorur nga kërcënuesit e armatosur ndërsa ka identifikuar dhe personat që banojnë në Lamin e Madh, të cilët i ka shpallur në kërkim.

Kjo është dhe miniera e parë që hapet në rajonin e Mirditës, si minierë kromi, pasi përgjithësisht rajoni i Mirditës njihet si bakërmbajtës, por me sa duket ky trup kromi lidhet më tej me masivet e Matit dhe më tej përt në Bulqizë e Martanesh, dhe përmban krom të pasur.

Prej tri javësh ishte bërë e mundur fillimi i nxjerrjes së mineralit të kromit nga firma e licencuar, por me sa duket sapo është marrë vesh nga banorët e fshatit, pesë prej tyre nën pretendimin se toka u përkiste atyre dhe natyrisht edhe miniera, duke mos dashur t’u binden ligjeve, kanë vendosur që gjërat t’i zgjidhin me grykën e armave.

Ka kohë që rajone të tilla më krom ku banojnë familje me probleme të theksuar sociale e ekonomike, janë bërë arena të përplasjes së grupeve dhe individëve të ndryshëm në zona të tilla, madje janë shënuar dhe në Bulqizë të tilla konflikte, ndërsa na rajonin e Mirditës është i pari rast i shënuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›