E Diel, 1 Nëntor 2026

Privatizimi i OSSH-së, fatura e qeverisë 100 mln dollarë

100 milionë dollarë është fatura që qeveria duhet të paguajë për privatizimin e Sistemit të Shpërndarjes së energjisë. Burime të sigurta në ministrinë e Ekonomisë bënë të ditur se kaq është shuma që konsumatorët kanë si kamatë vonesë për mospagimin e energjisë. Shuma e cila do të falet nën kuadrin e një amnistie është në llogari të OSSH-së, por burimet kanë sqaruar se kjo faturë do t`i kalojë korporatës dhe rrjedhimisht qeverisë. Falja e kamatë vonesave është bërë e ditur dhe nga ministri i Ekonomisë, por detajet i kanë ngelur qeverisë. Amnistia  bëhet në prag të privatizimit të Shpërndarjes, por nuk ka detaje nëse blerësi do të mbledhë sërish detyrimet e prapambetura. Bëhet e ditur se detyrimet e palëve të treta nga KESH-it janë rreth 500 milionë dollarë, dhe një të pestën e tyre do ta shlyejë direkt qeveria me anë të amnistisë. Tashmë për faljen e rreth 100 milion dollarëve janë bërë të ditura dhe afatet për pagesat. Këshilli Mbikëqyrës i OSSH-së ka marrë vendim që lejon të gjithë debitorët familjarë të  paguajnë detyrimet e prapambetura në vlerën e principalit. Këta abonentë do të tolerohen në pagesa deri në fund të këtij viti, më pas detyrimet do të jenë dhe më kamatëvonesa. Një propozim i tillë është bërë dhe në para disa vitesh, por qeveria e atëhershme nuk e miratoi. Duket se privatizimi ka detyruar pagesën e kësaj fature kaq të rëndë nga qeveria. Tenderi ndërkombëtar i OSSH-së do të hapet në shtator.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›