E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama, Berisha të nxitojë me shpronësimet për Unazën e Vogël

Tiranë- Kryetari i Bashkisë, Edi Rama duke inspektuar sot punimet për rikonstruksionin e segmentit të tretë të Unazës së Vogël, (rruga “Luigj Gurakuqi” - rruga e Dibrës) i ka kujtuar kryeministrit të nxitojë me shpronësimet në Unazën e Vogël.

Ndryshe nuk do të mbyllet projketi i hartuar nga francezët.

Me një investim prej rreth 42 milionë lekësh nga te ardhurat e Bashkisë së Tiranës, rehabilitimi i këtij segmenti po çon drejt finalizimit projektin ambicioz për Unazën e Vogël të qytetit.

Si një zonë me trafik tejet të rënduar e duke vlerësuar rëndësinë që Unaza e Vogël ka në qarkullimin rrugor të kryeqytetit, u parashikua që në fillim, kur sapo filloi procesi i transformimit të këtij aksi, që punimettë realizoheshin pjesë-pjesë, duke lejuar njëkohësisht lëvizjen e trafikut në mënyrë graduale në ato pjesë të rikonstruktuara tashmë.

Ky segment i tretë mendohet të përfundojë pas gjashtë muajve. Projekti për Unazën e Vogël, është hartuar mbi bazën e propozimit të Studios Franceze për Qendrën e Tiranës.

“Ky është segmenti i tretë i Unazës së Vogël, i cili shkon drejt pikës së finalizimit të këtij projekti të rëndësishëm e që do të garantojë edhe transformimin e Sheshit “Skënderbej” në një shesh këmbësorësh”.

Sipas tij, Berisha duhet të nxitojë me shpronësimin për Unazën e Vogël, në rast se nuk ka si synim të bllokojë qytetin duke e lënë Sheshin “Skënderbej”, këtë projekt të financuar falë bujarisë së qeverisë kuvajtjane, të papërdorshëm si shesh për këmbësorët e njëkohësisht Unazën e Vogël të pambyllur, si një arterie që garanton pastaj lehtësimin maksimal të trafikut në qytet.

Trafiku në këtë rrugë do të lëvizë në një sens, atë antiorar. Janë parashikuar dy korsi shpejtësie për lëvizje, një korsi preferenciale për transport publik dhe lëvizje emergjence, si dhe një korsi shërbimi, 5 metra e gjerë në krahun e djathtë. Kjo korsi e cila po aplikohet për herë të parë do të shfrytëzohet nga mjetet që do hyjnë ose do të dalin nga parkimi i parashikuar në anë të rrugës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›