E Diel, 1 Nëntor 2026

Vizat, Fratini premton heqjen e plotë në vitin 2009

Për shqiptarët duket se po fryjnë erëra të mbara. Pas konsensusit të arritur mes pozitës dhe opozitës për realizmin e reformave në vend, nuk vonojnë dhe vlerësimet pozitive nga Bashkimi Evropian. Shqipëria ka hapur dje negociatat me BE për liberalizmin e vizave. Zëvendëspresidenti i KE-së, Franco Frattini, i cili ka vizituar vendin tonë dje, gjatë një konference për shtyp me Kryeministrin Berisha ka deklaruar se nëse shqiptarët ecin në këtë rrugë për realizmin e reformave, liberalizimi i vizave për ta nuk do të jetë i largët, kjo mund të ndodhë brenda 2009. Zëvendëspresidenti Frattini ka sqaruar më tej se vizita e tij në Shqipëri bëhet menjëherë sapo BE-ja ka hapur negociatat për regjimin e vizave. Zëvendëspresidenti i KE-së ka vlerësuar Shqipërinë për procesin e bërë dhe duke iu drejtuar Kryeministrit Berisha, ministrit të Drejtësisë dhe ministrit të Brendshëm ka theksuar se ky proces i arritur duhet të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme, pasi ruajtja e këtij procesi është e rëndësishme. Duke kujtuar edhe një herë kushtet, BE-ja kërkon që të plotësohen nga Shqipëria për ta pasur më të lehtë liberalizmin e regjimit të vizave, Frattini ka vënë theksin se "duhet të përmirësohen siguria e dokumenteve, pra pajisja e shqiptarëve me dokumentet biometrike dhe hartimi i regjistrit elektronik të gjendjes civile, lufta kundër kriminalitetit dhe emigracionit të paligjshëm, mbrojtja e kufijve të jashtëm të vendit tuaj". Këto kushte, tha Fratini, nuk i duam thjesht për hir të Brukselit, por janë të rëndësishme për vetë Shqipërinë. "Ju keni hartuar një program shumë të mirë reformash. Ajo që është e rëndësishme është që ky program shumë i mirë reformash të përkthehet në rezultate të prekshme konkrete. Unë jam shumë i kënaqur me angazhimin shumë të madh të Kryeministrit dhe të ministrave të tjerë. Përvoja ka treguar se kur ka vullnet të mirë politik, rezultatet mund të arrihen në një kohë shumë të shkurtër", është shprehur zëvendëspresidenti i KE-së. Ai ka theksuar me tej se nuk i konsideron vendet e Ballkanit Perëndimor si një paketë. Sipas tij, "secili vend nga ky rajon do të vlerësohet mbi bazën e meritave të veta. Vendi që do të plotësojë kërkesat më herët, do të marrë më herët regjimin e lirë të vizave. Le të japim një shembull nga përvoja e kaluar. U deshën disa muaj që të hapeshin negociatat dhe pastaj nënshkrimi i marrëveshjes për liberalizimin e regjimit e vizave". Ne, theksoi Frattini më tej, hapëm sot negociatat për liberalizimin e vizave dhe kur Shqipëria do të marrë regjimin e lirë të vizave, kjo do të varet nga rezultatet. "Unë dua të them se rezultatet mund të arrihen në një kohë shumë të shkurtër. Personalisht, mendoj se mund të arrihen rezultate të rëndësishme edhe para mbarimit të mandatit të zotit Barroso", ka përfunduar fjalën e tij zëvendëspresidenti i KE-së, Franco Frattini.

Berisha: Do të plotësojmë të gjitha kushtet e BE

Hapjen e negociatave me BE-në për liberalizimin e vizave me Shqipërinë, Kryeministri Berisha e ka vlerësuar si një moment historik për shqiptarët. "Ky është një moment historik, sepse në historinë e një njeriu dhe të një kombi nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa historia e lirive të tij. Liria e lëvizjes është një nga liritë më themelore të individit dhe çdo hap drejt saj, sikundër edhe drejt lirive të tjera, është hap drejt një të ardhmeje më të mirë", është shprehur dje Kryeministri gjatë konferencës për shtyp me zëvendëspresidentin e KE-së, Frattini. Ne, theksoi Kryeministri më tej, nisim procesin, në përfundim të të cilit shqiptarët do të ndihen në aspektin lëvizjes, qytetarë të hapësirës më të madhe, të hapësirës evropiane. Berisha ka siguruar zv/presidentin Frattini dhe ministrin e qeverisë së Sllovenisë, Mate, që kryeson BE-në, se qeveria shqiptare do të bëjë çdo përpjekje për të merituar këtë besim, do të marrë e zbatojë çdo vendim, ligj e reformë që nevojitet, që ky besim i madh të përdoret në përputhje me standardet evropiane. Më tej, ai ka informuar zyrtarët e lartë të BE-së, se qeveria shqiptare është në procesin e pajisjes së qytetarëve shqiptarë me letërnjoftimet dhe pasaportat më të avancuara dhe të standardeve më të mira. "Ne po dixhitalizojmë tërësisht regjistrin e gjendjes civile, po vendosim një sistem të ri adresash, kemi vendosur kontrollin e integruar të kufijve dhe së shpejti, instalojmë skanerin e parë në doganat tona, për ta përhapur më tej në pikat e tjera kufitare. Ne do të bëjmë çdo përpjekje për të luftuar trafiqet ilegale. Toleranca zero ndaj krimit të organizuar do të mbetet motoja jonë. Rezultatet tona janë të qarta, por ne do t‘i konsolidojmë ato më tej. Ne do të firmosim çdo marrëveshje bashkëpunimi, ekstradimi, riparimi e të çdo lloji me vendet anëtare të BE-së dhe do t‘i zbatojmë ato me seriozitetin më të madh", është shprehur Berisha. Kryeministri shqiptar ka shprehur mirënjohjen për Komisionin Evropian e vendet anëtare për besimin e madh që kanë dëshmuar ndaj qeverisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›