Projektligji i ri “Për barazinë gjinore” forcon masat kundër diskriminimit

TIRANË, 21 tetor/ATSH/ Projektligji i ri “Për barazinë gjinore” synon të forcojë mbrojtjen kundër diskriminimit gjinor dhe të garantojë të drejta të barabarta për burrat dhe gratë.
Ky projektligj zëvendëson ligjin e vitit 2008, duke sjellë një kuadër më të përshtatur me realitetin aktual dhe duke reflektuar standardet e reja të Bashkimit Evropian dhe të Kombeve të Bashkuara.
Ndërsa ligji në fuqi parashikon zbatimin e kuotës prej 30% në pozicionet vendimmarrëse, aktet ndërkombëtare kërkojnë praninë gjinore në masë të barabartë në pozicionet vendimmarrëse apo drejtuese.
Ndër risitë kryesore të p/ligjit të propozuar është vendosja e një kuote graduale për përfaqësim gjinor në nivelet e vendimmarrjes, duke synuar barazinë 50:50 në një afat 10-vjeçar, sipas rekomandimeve të CEDAW.
Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Denada Seferi, gjatë diskutimeve në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, theksoi se projektligji nuk krijon kategori të reja juridike të gjinive, por ndjek një qasje të integruar ndaj diskriminimit me bazë gjinore.
Ajo sqaroi se objektivi është eliminimi i pabarazive në të gjitha fushat e jetës shoqërore dhe ekonomike, pa devijuar nga përkufizimet binare “burrë” dhe “grua”.
Projektligji parashikon forcimin e mekanizmave institucionalë, si rritja e rolit të nëpunësit për barazi gjinore në institucionet publike dhe private, si dhe qartësimin e kompetencave të Këshillit Kombëtar për Barazinë Gjinore.
Gjithashtu, për herë të parë vendoset detyrimi për përfshirjen e dimensionit gjinor në të gjitha politikat dhe programet shtetërore, duke përfshirë buxhetimin dhe raportimin gjinor si mekanizma të detyrueshëm.
Në fushën e punës, theksoi Seferi, projektligji rishikon masat kundër diskriminimit në përputhje me direktivat e BE-së dhe Konventën C190 të Organizatës Ndërkombëtare të Punës.
“Një dispozitë e veçantë i kushtohet punës së papaguar, ku INSTAT do të publikojë të dhëna periodike për përdorimin e kohës, ndërsa ministria përkatëse do të hartojë udhëzimet për zbatimin e këtij detyrimi”, deklaroi ajo.
Duke sjellë edhe eksperiencën e vendeve të zhvilluara europiane, Deputeti i Paritisë Demokratike, Enno Bozdo vlerëson faktin se nuk duhet të hapet dera për të gjitha përkatësitë gjinore, që sipas tij shkatërron shtyllat e familjes
“Nuk mund të hapet dera për përkatësi të ndryshme gjinore, gjithëpërfshirëse, aq më tepër për ‘përkatësi e shumëfishtë gjinore’, siç është pika ‘g’, e cila, në fakt, e heq derën fare, dhe shpartallon kolona shumë të rëndësishme të shoqërisë dhe të familjes,” deklaroi deputeti demokrat.
“A nuk mendoni që me këtë term, ‘gjinia dhe përkatësia e shumëfishtë’, ju godisni konceptin jetik të shoqërisë njerëzore, të dy gjinive, mashkull dhe femër, për të përfshirë edhe identitete të tjera?” pyeti deputeti i PD-së, Bujar Leskaj.
“Koncepti i gjinisë në këtë projektligj nuk krijon kategori të reja juridike të gjinive, por përfshin qasjen e integruar ndaj diskriminimit me bazë gjinore. Projektligji nuk devijon nga ky binaritet, burrë dhe grua. Nuk përcakton gjini. Ky është një ligj i cili shprehet për mosdiskriminim gjinor,” sqaroi zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Denada Seferi.
Në fund të kësaj mbledhjeje, me sugjerimin e ndryshimeve në disa pika të neneve të tij, komisioni miratoi me shumicë votash ligjin “Për barazinë gjinore”.
Projektligji ofron gjithashtu të drejtën për të kërkuar shpërblim për dëmet e shkaktuara nga diskriminimi, përmes gjykatave ose organeve publike, duke ruajtur barrën e përmbysur të provës.
Sektorë si arsimi, teknologjia, bujqësia, media, sporti, shëndetësia, mbrojtja, infrastruktura, energjia dhe kultura, do të duhen të ndërmarrin masa konkrete për nxitjen e barazisë gjinore.
Përmes këtij projektligji, Shqipëria synon të përmbushë objektivat kombëtare dhe ndërkombëtare për barazi gjinore dhe të kontribuojë në ndërtimin e një shoqërie më gjithëpërfshirëse dhe të drejtë. /j.p/a.f/
Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, foto: Andrin Hoxha 1 nga 6