Burg katër të dyshuarve për vrasjen në Lushnjë
Gjykata e rrethit gjyqësor Lushnjë ka vendosur dje të lërë në burg katër autorët e dyshuar si persona "kyçë" në zbërthimin e vrasjes së 33-vjeçarit nga Peqini, Artur Karina. Ndërsa është vënë në dispozicion garancia pasurore prej 30 milionë lekësh për tre autorët e dyshuar, me dyer të mbyllura është zhvilluar seanca e parë gjyqësore për të dashurën e Karinës, e cila u arrestua tri ditë më parë, nën akuzën e "pengimit të të vërtetës për zbardhjen e krimit". Tre të pandehurit meshkuj janë përfaqësuar nga i njëjti avokat, ndërkohë që kanë depozituar edhe faturën e garancisë pasurore, ndërsa e dashura e Karinës, edhe pse në moshë minorene, është përfaqësuar nga avokati që është vënë në dispozicion nga gjykata. Rreth orës 11:15 janë sjellë në Gjykatën e Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Lushnjë katër të pandehurit: Felis dhe Klodian Tushe, Jugert Likja dhe Esmeralda Basha. Pas sistemimit të të afërmve të tre të arrestuarve meshkuj është bërë largimi nga ana e policisë e Esmeralda Bashës, pasi gjyqtarja ka vendosur ta gjykojë atë në një seancë me dyer të mbyllura. Gjyqtarja e çështjes ka qenë Abena Ahmetaj, ndërkohë që organi i akuzës përfaqësohej nga prokurori Adriatik Camaj. Kurse avokat mbrojtës për dy kushërinjtë e parë, Felis dhe Klodian Tushe dhe mikun e tyre, Jugert Likja, ka qenë Gramoz Lika, i cili vinte nga Dhoma e Avokatisë Durrës. Prokurori i çështjes, Adriatik Camaj, pasi ka referuar të gjithë ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e dy shkurtit, ka kërkuar për tre të pandehurit Tushe dhe Likja vlerësimin të vlefshëm të arrestit në flagrancë, si dhe masë sigurie për ta burg pa afat. Madje prokurori Camaj ka sjellë dhe fakte të reja në këtë seancë të parë gjyqësore. Duke këmbëngulur për përfshirjen e tre të arrestuarve në krim, prokurori ka treguar për trupin gjykues se përveç aparateve të telefonit, të cilët janë sekuestruar si provë materiale, ku është gjetur edhe numri i telefonit të Artur Karinës me të cilin ata kishin folur, në banesën e Klodian Tushes gjatë kontrollit policor është gjetur dhe një sasi prej 173 fishekësh të kalibrave të ndryshëm. Nga ana tjetër, avokati mbrojtës Gramoz Lika i ka dhënë gjyqtares Abena Ahmetaj garancinë pasurore për të tre klientët e tij, që kapte shifrën e 30 milionë lekëve dhe ka kërkuar për ta jo vetëm të pavlefshëm arrestimin në flagrancë, por edhe masë sigurie më të lehtë. Pasi ka dëgjuar të dyja palët dhe pasi është tërhequr për më shumë se 40 minuta, gjyqtarja e çështjes, Abena Ahmetaj, ka vlerësuar si të ligjshëm arrestin në flagrancë për dy nga të ndaluarit Felis Tushen dhe Jugert Likjan, ndërkohë që së bashku me bashkëpunëtorin e tyre, Klodian Likja, trupi gjykues ka vendosur gjithashtu që t‘i lërë në burg. As masa e garancisë pasurore e vënë në dispozicion nuk mundi të zbuste vendimin e gjykatës.
Për Esmeralda Bashën, për shkak të moshës së saj të vogël, gjyqtarja e çështje vendosi që përballjen e saj të parë me togat e zeza ta kryente me dyer të mbyllura. Masa e vlerësimit për të është marrë menjëherë pas përfundimit të tre shokëve të saj Tushe dhe Likja. Në prani të seancës së saj të parë gjyqësore ka qenë edhe psikologia. Mësohet zyrtarisht nga Gjykata e Lushnjës se edhe për Esmeralda Bashën është vendosur si masë vlerësimi "burg pa afat". Ndërkohë, nga dosja e ngritur për ish të dashurën e Karinës mësohet se ajo është jetime nga i ati, që ka vdekur vite më parë, dhe nëna e saj është duke vuajtur dënimin, pasi rezulton si autore e një vjedhjeje me dhunë e me maskë që ka ndodhur pak muaj më parë në rrethin e Lushnjës. Burimet zyrtare nga Prokuroria e Lushnjës bëjnë të ditur për "Shqip" se Esmeralda Basha është vajza e madhe e tre fëmijëve të familjes Basha. Ajo nuk ka pasur strehë ku të qëndronte pas vdekjes së babait dhe arrestimit të nënës. Me dhjetëra familjarë kishin mbushur sheshin përballë Gjykatës së Lushnjës qysh në orët e paradites së të dielës, ndërkohë që më pas kanë marrë pjesë në seancën gjyqësore. Në një komunikim me gazetën "Shqip", familjarët e tre të rinjve të arrestuar e kanë cilësuar si jo të drejtë prangosjen e tyre, si dhe një veprim joligjor nga ana e policisë, e cila është nën presion për gjetjen e autorëve.