E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dhunohen varrezat, asnjë i arrestuar

Të vdekurit nuk mund të prehen të qetë as një fshatin Mbrorje të Korçës. Ata kanë tërhequr edhe këtë herë autorët e grabitjeve të objekteve dekorative, duke zhvendosur fenomenin e dhunimit të varreve në një zonë rurale jo shumë larg qytetit. Ndërsa në juglindje të vendit është kthyer tashmë në një problem shqetësues dhunimi i varrezave këtë herë të njëjtin fat kanë pësuar varret e fshatit Mbrorje që ndodhet në periferi të qytetit të Korçës, jo më larg se një kilometër prej tij. Varrezat e fshatit Mbrorje janë bërë pre e dëmtimeve dhe grabitjeve të objekteve prej bronzi dhe mermeri gjatë natës, ndërsa vetëm kur kanë shkuar te varrezat banorët e zonës kanë parë se çdo gjë ka qenë në një rrëmujë të plotë, me objekte të zhvendosura, të shkulura e të vjedhura, por edhe me kandila të thyer, pllaka të dëmtuara e kështu me radhë. Kjo ka bërë që banorët të alarmohen për një situatë të tillë, për të cilën kanë vënë në dijeni edhe policinë lokale krahas komunës. Të paktën 20 vazo prej bronzi janë hequr nga varret që ndodhen në një zonë jo shumë larg nga fshati dhe me rrugë që mundëson transportin e lëvizjen e lirë të makinave. Ndërsa banorët kanë reaguar menjëherë, pasi kanë konstatuar mungesën e këtyre objekteve në vendet ku prehen të afërmit e tyre, policia që është vënë në lëvizje për të gjetur autorët nuk ka ende asnjë person të dyshuar, edhe pse deklaron se ky akt mund të ketë për protagonist të mitur që kërkojnë të nxjerrin fitime nga shkrirja e objekteve prej bronzi. Sipas policisë, mendohet se personat nuk janë banorë të zonës, por ata mund të kenë ardhur nga qyteti edhe për shkak të afërsisë që ka fshati Mbrorje. Shumë nga vazot janë shkulur nga varret dhe më pas janë transportuar nga persona ende të panjohur për policinë lokale, ndërsa një pjesë tjetër janë dëmtuar dhe thyer. Banorët kanë gjetur vazo të thyera, të cilat mund të jenë dëmtuar gjatë shkuljes nga vendet ku kanë qenë vendosur, kryesisht mbajtëse të qirinjve, objekte prej mermeri dhe të pakta kanë qenë vazot imitime bronzi që janë hedhur të thyera në tokë. Banorët thonë se këto akte kryhen gjatë natës kur varrezat nuk mund të ruhen, ndërsa nga ana e saj policia konfirmon se autorët kryesisht në të tilla raste i përdorin objektet prej bronzi për shkrirje, ndërsa ato prej mermeri i shesin kundrejt një vlere të vogël në pika tregtimi dhe prodhimi në zona të tjera rurale për të humbur gjurmët. Sipas gruas që mirëmban varrezat e fshatit, kjo nuk është hera e parë që varret sulmohen dhe dhunohen. Lola Elmazi thotë se kjo ndodh nga pamundësia që varrezat të ruhen gjatë natës, edhe pse kanë roje deri në mesditë. Por ajo deklaron se autorët vijnë në fshehtësi dhe gjithnjë këto akte kryhen natën, ndërsa në mëngjes dyert e varrezave gjenden të hapura dhe në to mungojnë objekte dekorative. Por siç tregon gruaja që mirëmban varrezat e fshatit, Lola Elmazi, varret nuk mund të ruhen edhe gjatë natës, edhe pse së fundi ky është bërë një problem shqetësues për banorët. "Varrezat hapen në mëngjes dhe ruhen deri në drekë ka raste edhe gjatë pasdites. Por natën asnjë nuk merr përsipër të ruajë varret se kanë frikë. Kjo nuk është hera e parë që varrezat dëmtohen. Ka pasur edhe raste të tjera, por këtë herë janë hequr shumë vazo prej bronzi. Pasi u ankuan disa nga banorët që erdhën te varret njoftova komunën dhe policinë, por nuk dihet se kush mund t‘i ketë marrë. Ky është një veprim i rëndë për fshatin tonë që ka qenë gjithnjë një fshat i qetë. Është e rëndë pasi tani as të vdekurit nuk i lënë rehat", thotë Lola Elmazi. Sipas saj, kjo është hera e dytë që varrezat sulmohen, dhunohen dhe vidhen, por kjo ndodh natën, atëherë kur nuk ka lëvizje dhe për më tepër pa roje. Objektet kryesisht përdoren për qëllimi fitimi edhe pse përfitimi prej tyre është minimal. Të paktën pesë fshatra të Korçës janë prekur nga ky fenomen krahas vjedhjeve të herëpashershme që kryhen në qytet. Vetëm për vitin e kaluar policia e Korçës ka shoqëruar të paktën 10 të mitur për këto akte, midis të cilëve tre në mënyrë të përsëritur, por që për shkak të moshës nuk mund të mbahen të izoluar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›