E Diel, 1 Nëntor 2026

"Mjaft!" shet bukë 50 lekë para Kryeministrisë

"Shitet bukë me 50 lekë përpara Kryeministrisë. Çmimi i shitjes së bukës afër kostos së saj të prodhimit është bërë posaçërisht për të kompensuar Kryeministrin Berisha dhe qeveritarët e tjerë, që rezultojnë të varfër, sipas deklarimeve të pasurisë së tyre". Kjo ka qenë mënyra e përzgjedhur nga lëvizja "Mjaft!" për të protestuar kundër rritjes së shfrenuar të çmimeve në tregun shqiptar, përfshirë edhe atë ushqimor.

Aktivistë të lëvizjes "Mjaft!" dje, në mesditë, duke mbajtur në duar disa arka me bukë, u vendosën përpara selisë së Kryeministrisë, për të shitur këtë produkt nga më të rëndësishmit në tregun shqiptar, përafërsisht me çmimin e kostos së prodhimit.

Ky aksion, edhe pse si qëllim ka pasur ironizimin e qëndrimit krejtësisht indiferent të qeverisë, ndaj varfërimit të shqiptarëve, bëri që disa familje të kryeqytetit të përfitonin. Ata kanë mundur që të paktën për një ditë të blejnë bukën me 50 lekë dhe jo me 100 lekë, sa kushton ajo në të gjitha furrat e vendit. Kështu, sapo aktivistët e "Mjaft!"-it u vendosën në trotuarin para Kryeministrisë, qytetarë të shumtë që kalonin aty, filluan të ndalonin dhe të blinin bukë, duke treguar edhe njëherë situatën aspak të lehtë në të cilën familjet shqiptare janë gjendur së fundmi, përballë rritjes së paprecedentë të çmimeve.

"Do të jeni këtu edhe nesër?". Kjo ishte pyetja e një pensionisteje, që konsiderohet edhe si kategoria më e goditur nga rritja e përgjithshme e çmimeve dhe ulja e nivelit të jetesës. "Jemi sot këtu në zonën më të varfër të kryeqytetit, për t‘i ardhur në ndihmë Kryeministrit Berisha dhe ministrave të tij që ta blejnë bukën lirë, pasi, siç edhe e keni vënë re nga deklarimet e tyre të pasurisë, ata kanë në llogaritë e tyre bankare veç disa qindarka", ironizuan përpara gazetarëve përfaqësuesit e lëvizjes "Mjaft!". Në njërën nga pankartat që ata mbanin në duar, teksa shisnin bukë me çmim të lirë shkruhej "ky është këndi i SUBVENCIONIMIT të shtetit".

Por protesta nuk do të ndalet këtu. Lëvizja "Mjaft!", së bashku me Konfederatën e Sindikatave të Shqipërisë, ish-ushtarakët, me Shoqatën e Invalidëve të Punës, pensionistët dhe grupe të tjera të shoqërisë civile, ka bërë të ditur se do të protestojë sërish ditën e sotme, në orën 12:00, në sheshin "Skënderbej" kundër rritjes së çmimeve. Pas grumbullimit në shesh, ata kanë njoftuar se do të marshojnë drejt Kryeministrisë.
"Mjaft!" ka kërkuar këto ditë që qeveria të luftojë realisht monopolet dhe të veprojë në një situatë kur po abuzohet me varfërinë e shqiptarëve, përmes rritjes së frikshme të çmimeve. Organizatorët e protestës së nesërme u kanë bërë thirrje për pjesëmarrje atyre mijëra qytetarëve, të cilët nuk mund ta përballojnë dot rritjen prej 40 për qind të bukës, rritjen 38 për qind të frutave, të zarzavateve në 22 për qind, rritjen e gazit dhe karburantit në 90 për qind, apo rritjen e produkteve të tjera, të cilave çmimi u ka shkuar në nivele gati të papërballueshme për shumë qytetarë me të ardhura të ulëta apo që jetojnë me ndihmë ekonomike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›