Zbulohet kutia e Shën Joan Vladimirit
Kutia e shenjtorit ballkanas, Shën Joan Vladimiri, gjallon tashmë në qytetin e Elbasanit. I mitizuar si "mbret" i Shqipërisë, Serbisë e Bullgarisë, kutia e argjendtë, që mund të ketë mbajtur një pjesë të kockave të tij, ka "fjetur" prej më tepër se dy shekujsh, në një familje të lagjes "Kala" në qytetin e Elbasanit. Ka qenë koleksionisti më i njohur i këtij qyteti, Vangjel Kapedani që ka pikasur këtë relike më vlerë dhe më pas ka fituar "pronësinë" mbi të në saj të bujarisë të kësaj familjeje, e cila nuk ka pranuar të bëhet publike. Është një kuti e tëra prej argjendi në balloren e së cilës është punuar në reliev figura mistike e shenjtorit Joan, këmbët e të cilit janë vendosur mbi shpatën që i preu kokën, në dorën e djathtë të tij mban kokën e tij të prerë, në dorën e majtë, një degë palme që simbolizon fitoren në Parajsë, kryqi në pjesën e sipërme, por mungon vetëm shqiponja që legjenda e lashtë e ka sjellë këtë figurë malazeze, por me mjedis shqiptar, në trojet tona. Në krye të pjesës ballore të kapakut të kutisë së argjendtë, shkruhet në greqisht "Albania- Serbia-Ballgaria". "Është një zbulim i veçantë, një vepër arti religjioze e klasit të parë për martirin e madh Shën Joan Vladimiri", ka pohuar studiuesi i njohur, Moikom Zeqo, që ka ardhur dje në qytetin e Elbasanit, posaçërisht për këtë vlerë arkeologjike. Sipas Zeqos, vepra i takon shekullit XVIII, e punuar me shumë mjeshtëri nga argjendarë me famë elbasanas të cilët pas Krajës në afërsi të Ulqinit, Durrësit, mbeten të tretët në Ballkan, me kishën e Shën Joan Vladimirit, pesë kilometra në Perëndim të qytetit të Elbasanit, i dhanë shenjtit ballkanas, shpirtin dhe trimërinë shqiptare. Kutia në fjalë, mendohet të jetë origjinalja që ka mbajtur një pjesë të gjymtyrëve të ruajtura të shenjtit ballkanas, por jo të gjithë trupit. "Ia vlen të studiohet mirë kjo vepër sikurse edhe legjendat për Shën Joan Vladimirin dhe mendoj se ky është zbulimi i dytë për nga rëndësia që merr///////// autoknitetin në metropolin e kulturës shqiptare që është Elbasani", ka shpjeguar sërish Zeqo. Kutia në fjalë u shtohet mijëra relikeve të hershme dhe dokumenteve me vlera të mëdha historiko-kombëtare që ruhen nga koleksionisti i njohur elbasanas, Kapedani.