E Diel, 1 Nëntor 2026

Mungojnë përkthyesit e shqipes

Kur në fund të viteve ‘70-të, atëherë vetëm 20 vjeç, Robert udhëtoi drejt Prishtinës dhe Tiranës nuk mund ta mendonte se me këtë vend me një hapësirë disi të vrazhdë do të lidhej më pas gjithë jeta e tij. Atëherë ishte thjesht pasioni për të shkelur në vende ende të panjohura për Perëndimin, që e shtyu djaloshin që e tërhiqnin gjuhët drejt Shqipërisë. Ndërsa sot gati 40 vjet më pas, ai udhëtim shpjegon gati-gati se asgjë nuk është e rastësishme, qoftë dhe një udhëtim.

"Në vitet ‘80, bota dinte për letërsinë shqiptare aq sa di unë sot për letërsinë e Koresë së Veriut", tregon ai. Puna e parë e tij do të ishte hartimi i dy antologjive shqiptare, një vëllim gjermanisht dhe një anglisht "Si një shqiponjë antologjia e lirikës shqiptare që prej shek të 16 deri më sot", botuar më 1988 dhe "Antologjia moderne shqiptare: një shqiponjë e arratisur që fluturon" botuar në vitin 1993. Në atë kohë ai kishte përkthyer dhe tërë veprën poetike të Migjenit, e cila ishte botuar në gjermanisht më 1987 dhe në anglisht më 1991. Në vitin 1986, ai boton një fjalor të letërsisë shqiptare në anglisht, duke dashur të përhapë disa njohur për këtë letërsi. Një nga problemet që e ka shoqëruar që kur mori këtë nismë e deri tani që është një nga personalitetet e njohura për përcjelljen e shqipes në Perëndim ka qenë gjetja e shtëpive botuese për ta botuar këtë letërsi. Elsie ka qenë i bindur që në fillim se kjo nismë nuk mund të kishte përfitime financiare, duke qenë se i ofronte lexuesit të huaj një letërsi ende të panjohur, e cila nuk e kishte provuar veten se duhet të shpenzojë për të.

Por përtej barrierave që duhet të kalonte për të bërë të pranishme punën e tij, Elsie ka qenë i bindur se librat që ai i ofronte lexuesit të tij, duhet të ishin në bibliotekën e kujtdo.

P.sh "Krushqit e ngrirë" të Ismail Kadaresë për të është një roman që duhet ta ketë çdokush në këndin e librave të dashur.

"Megjithëse i vogël në përmasa, ai më pëlqen në mënyrë të veçantë, sepse jep një tablo të mundshme të jetës së intelektualit në Kosovë në vitet 1980. Sipas meje, është një përpunim i bukur letrar i konfliktit shekullor aty", thotë Elsie.

Ndryshe nga vitet kur Elsie i ofronte lexuesit anglez një libër të këtij shkrimtari, tashmë ky i fundit i ka thyer prej vitesh me librat e tij barrierat që ekzistojnë për letërsinë e vendeve të vogla. Emri i Kadaresë është i pranishëm në çdo recension të bërë nga gazetat më të njohura mbi letërsinë sot, duke e bërë letërsinë shqipe pjesë të debateve mbi letërsinë bashkëkohore. Por për Elsie, ajo çfarë është një problem që ai e quan kyç për autorët shqiptarë është përkthimi. "Konkretisht, mungojnë njerëz me aftësi për të përkthyer tekste letrare direkt nga shqipja në anglisht dhe kështu, në një farë mënyre, letërsia shqipe është bllokuar. Lidhur me rastin e Kadaresë, them se ai ka tashmë ka kaq shumë libra që meritojnë të përkthehen saqë i duhet një përkthyes profesionist me orar të plotë pune, pra një njeri kushtuar vetëm veprës së tij, ashtu siç duket se ka për frëngjisht, gjermanisht, spanjisht dhe holandisht", thotë Elsie.

Robert vazhdon në mënyrën e tij të kontribuojë në pasionin e vjetër për shqipen, duke besuar se tashmë ai nuk është thjesht i tillë. Albanologu dhe përkthyesi Robert Elsie lindi në Vankuvër (Vancouver) të Kanadasë më 29 qershor 1950. Ndoqi Universitetin e Kolumbisë Britanike (University of British Columbia), ku mbaroi

studimet e filologjisë klasike dhe të gjuhësisë më 1972. Po në atë vit, erdhi në Evropë me një bursë studimesh. Vazhdoi studimet e larta në Universitetin e Lirë të Berlinit Perëndimor (Freie Universität Berlin), në Shkollën Praktike të Studimeve të Larta (Ecole Pratique des Hautes Etudes) në Paris, në Institutin e Dublinit për Studime të Larta (Dublin Institute for

Advanced Studies) në Irlandë dhe në Universitetin e Bonit (Universität Bonn), ku mbrojti doktoraturën më 1978. Që nga 1978 pati mundësi të vizitojë Shqipërinë disa herë në kuadrin

e ‘takimeve shkencore‘ midis Institutit të Gjuhësisë së Universitetit të Bonit dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Gjithashtu, mori pjesë disa vite me radhë në Seminarin

Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Kosovë. Pas studimeve universitare, ai punoi për Ministrinë e Punëve të Jashtme gjermane në Bon. Është anëtar i

Shoqatës së Evropës Juglindore (Südosteuropa_Gesellschaft), anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, si dhe anëtar nderi i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Jeton në një fshat malor të Gjermanisë afër kufirit belg.

Shumë lexues do të ishin kuriozë të dinin që si ndodhi që një anglez si ju, të bëhej një nga përkthyesit më të njohur të shqipes.

Ishte një proces në zhvillim. Kur shkova për herë të parë në Shqipëri dhe Kosovë në fund të viteve ‘70, nuk mendoja kurrë se kjo kulturë do të bëhej pasioni im. Duhet të pranoj se m‘u nevojitën shumë vite për të mësuar gjuhën shqipe, më shumë sesa kisha menduar. Nuk është një gjuhë që mësohet lehtë. Edhe për t‘u futur në lëmin e përkthimit letrar m‘u desh të kaloja shumë vite. Por përkthimi letrar është vetëm një aspekt i interesimit tim për kulturën shqiptare.

Që prej vitit 1993 ju jeni një ndër përkthyesit e shkrimtarit Ismail Kadare në gjuhën angleze. Mund të na flisni pak për romanin "Krushqit e ngrirë dhe pritjen që i është bërë këtij libri në SHBA? Pse zgjodhët pikërisht këtë vepër për ta sjellë në gjuhën angleze?

Krushqit janë të ngrirë është një ndër romanet e shumta të shkëlqyera të Ismail Kadaresë. Megjithëse i vogël në përmasa, ai më pëlqen në mënyrë të veçantë, sepse jep një tablo të mundshme të jetës së intelektualit në Kosovë në vitet 1980. Sipas meje, është një përpunim i bukur letrar i konfliktit shekullor aty. Unë e përktheva anglisht si pjesë rrënjësore të antologjisë time për Kosovën Kosova: in the Heart of the Powder Keg (botuar në SHBA në vitin 1997), i cili ishte libri i parë i madh anglisht kushtuar Kosovës. Se si u prit në Amerikë nuk mund të them. Pak kohë pas botimit të librit, çështja e Kosovës doli më në fund në skenë botërore për shkak të keqësimit të dukshëm të situatës aty.

Kadare nuk ka një përkthyes zyrtar në gjuhën angleze. A mendoni që kjo është diçka jo pozitive për një shkrimtar të përmasave të tij për t‘u njohur me lexuesin anglishtfolës?

Do të gëzohesha shumë nëse librat e Kadaresë do të shfaqeshin më shumë në libraritë në gjuhën angleze. Çështja e përkthimit për atë si dhe për autorë të tjerë shqiptarë është një çështje kyç. Konkretisht, mungojnë njerëz me aftësi për të përkthyer tekste letrare direkt nga shqipja në anglisht dhe kështu, në një farë mënyre, letërsia shqipe është bllokuar. Lidhur me rastin e Kadaresë, them se ai ka tashmë ka kaq shumë libra që meritojnë të përkthehen saqë i duhet një përkthyes profesionist me orar të plotë pune, pra një njeri kushtuar vetëm veprës së tij, ashtu siç duket se ka për frëngjisht, gjermanisht, spanjisht dhe holandisht.

Kaq vite duke u marrë me letërsinë shqipe. Si do ta vlerësonit këtë të fundit me letërsinë që bëhet sot në botë? Sa ka ndryshuar ritmi letrar në Shqipëri?

Është gati e pamundur të japësh një vlerësim të përgjithshëm krahasues dhe nuk ka kuptim të vlerësosh vendin e letërsisë shqipe në një garë letërsish, sepse një garë të tillë nuk ka. Kuptohet se letërsia shqipe është produkti i një populli të vogël dhe i një populli në zhvillim, kështu që deri tani ajo nuk ka prodhuar shumë vepra që kanë tërhequr vëmendjen e publikut botëror. Por jam i sigurt që ka autorë dhe vepra të shumta që meritojnë të njihen. Shqiptarët kanë shumë për të treguar. Ritmi letrar është shtuar dukshëm për sa i përket numrit të botimeve në treg, kjo është e sigurt. Se sa prej botimeve do të kapin interesimin e lexuesit shqiptar mbetet për t‘u parë, veçanërisht duke marrë parasysh se lexuesi shqiptar ndodhet në fazën e zbulimit të letërsisë botërore.

Ju jeni marrë me përkthimin e veprave të vështira siç është "Kënga e Kreshnikëve" apo "Lahuta e Malcis". Përse e keni bërë këtë nismë?

Është e vërtetë se "Lahuta e Malcis" ishte mjaft e vështirë për t‘u përkthyer, por si epos kombëtar letrar besoj është një ndër veprat më interesante të letërsisë shqipe për publikun ndërkombëtar. Për mua ishte një sfidë personale, e cila kërkoi një këmbëngulje të jashtëzakonshme për shkak të madhësisë së veprës.

Si albanolog vazhdoni të mendoni se albanologjia është një nga fushat më pak të financuara sot?

Albanologjia si shkencë zhvillohet kryesisht në vende shumë të varfra kështu që, edhe për këtë arsye, nuk financohet në mënyrë të duhur. Përgjithësisht, nuk besoj se mungojnë fonde në Shqipërinë e sotme, vetëm se fondet nuk shkojnë gjithmonë në destinacionin e duhur. Normalisht, Tirana duhej të kishte, si qendër albanologjike, një ndërtesë të madhe bashkëkohore që shkëlqen prej xhamit, me bibliotekë dhe muzeum, siç e ka Parisi, për shembull, me Institutin e Botës Arabe. Kjo qendër do të ishte hapur jo vetëm për shkencëtarë dhe specialistë, por edhe për publikun me një muzeum të madh (muzeumi i letërsisë shqiptare dhe muzeumi i kulturës popullore - veshje, muzikë…). Do të shërbente edhe si pikë turistike për të huaj në Tiranë. Kjo është ëndrra ime për Shqipërinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›