E Diel, 1 Nëntor 2026

Shënime në Kinë

Më 1958-ën, John Perse futi mbi një tufë trëndafilash të verdhë një shënim, ku kishte shkruar: "E dashur Dorothy, dëshiron të bëhesh gruaja e një poeti?" Këtë buqetë ai e dërgoi në apartamentin me perde të kuqe, ku zonjusha amerikane, Dorothy Milburn Russell, e trashëgonte nga familja e saj. Një natë më parë ata kishin qenë bashkë deri në mëngjes. Ai e kishte lënë Dorothyn mbi shtrat, për të vijuar ditët e tij plot takime prej diplomati në SHBA. Kishte diçka ndryshe në vështrimin e Dorothyt, diçka që e kishte bërë John të besonte se jeta pranë saj do të ishte e bukur. Çdo burrë ka nevojë të besojë diku, mjafton te një vështrim, pa menduar gjatë për të. Kjo ishte ajo çfarë mendonte John, gjatë paradites së asaj të marte, teksa priste që Dorothy t‘i përgjigjej pusullës së tij. Sigurisht që gruaja të cilës ai i kishte kushtuar sa e sa vargje, ajo që kishte shëtitur me të gjatë mbrëmjeve nën dritën e zbehtë të hënës, nuk mund të kishte përgjigje tjetër veçse "I dashur John, dua të bëhem gruaja jote", edhe pse e dinte se një jetë pranë tij nuk do të ishte e lehtë, ashtu siç nuk ishin të lehta ditët që kishte jetuar deri në atë moment pranë tij. Dy vjet më pas ajo do ta shoqëronte John për të marrë një nga çmimet më të rëndësishme letrare, atë "Nobel". Një çmim të cilin ai ia dedikoi pikërisht asaj gruaje me flokë të qetë, fytyra e së cilës nuk u plak edhe në ditët më të vështira përkrah tij. Gjithë letërsia që la pas poeti i njohur francez mund të zbërthehet nëse i bën një vështrim jetës së tij private. Kritikët besojnë se John arriti të shndërronte në varg çdo vit të jetës, çdo personazh që takoi në jetën e tij të trazuar. Ndaj sot është e pamundur të shpjegosh parajsën që ai kërkon në vargje, nëse nuk di se cilat janë gjërat ku John besoi në jetën e tij. Alexis Léger, apo Alexis Saint-Legér Léger, i njohur me pseudonimin Saint-John Perse, është një nga poetët më të njohur francezë, që në kohën kur krijoi, simbolizoi në letra shpirtin francez. John lindi në St Léger des Feuilles. Babai i tij, Amédée Léger, ishte jurist, ndërsa nga ana e familjes të së ëmës ai trashëgoi shumë prona. 10 vitet e para të jetës së tij ai i shpenzoi në Guadeloupe. Në vitin 1899, familja e tij zhvendoset në Francë për arsye ekonomike. Ata vendosen në një qytet të vogël në Pau, ku Perse bëri dhe liceun. Ai studioi në Universitetin e Bordeaux për Psikologji dhe u diplomua në vitin 1910. Vite më vonë John do t‘i quante si gjënë më të drejtë studimet për psikologji, pasi njohja deri në detaje e teorive mbi jetën do ta bënin të ishte një eksplorues i mirë i mendjes njerëzore.

Në moshën 27-vjeçare ai hyn në shërbimin diplomatik. Si diplomat ai përdori emrin Alexis Léger. (John është një nga poetët që ka përdorur aq shumë pseudonime në jetën e tij). Nga vitet 1916 deri më 1921 ai shërbeu si diplomat në Kinë. Librin e parë me poezi ai e botoi në vitin 1910, nën pseudonimin Saint-Léger Léger. Në vitin 1921, Perse kthehet në Paris dhe boton poemën e tij epike "Anabasis", të shkruar gjatë kohës kur kryente shërbimin në Kinë.

Ky libër do të përcillet me shumë interes në ato vite, ku rrëfimet e Perse analizohen jo vetëm si krijime letrare, por edhe si analiza politike. Gazetarë të kohës tregojnë se zyra e John në Kinë nuk ngjasonte si zyra e një diplomati, por të dukej sikur kishe hyrë në zyrën e një botuesi. Ashtu si Pablo Neruda dhe George Seferis, edhe John e shfrytëzoi karrierën e tij prej diplomati për të shkruar. Sigurisht që udhëtimet që i fali një jetë e tillë janë të pakrahasueshme me ato të një jete në lagjen e qytetit ku kishte lindur. Ndoshta kjo e bënte John të jetojnë gjithnjë mes pasionit për t‘i shërbyer politikës dhe të shkruarit. Nga viti 1921 deri në 1932 Perse ishte sekretar i politikanit të njohur francez, Aristide Briand. Është interesante lidhja që John pati me Briand. Ky i fundit ishte i bindur në talentin e tij, aq sa mbrëmjeve mund t‘i gjeje të dy në një nga kafenetë e njohura të Parisit duke pirë verë.

"Asgjë nuk vlen më shumë se bisedat në orët e vona me John", do të shprehej Brand, një burrë i njohur për shijet e tij letrare. John e shkruan në shumë nga poezitë e tij, se politika nuk ndryshon shumë nga e shkruara. Është aq e shthurur dhe e bukur ndonjëherë dhe të ngjason me ditët e një shkrimtari para se të ulet të shkruajë një libër. Por John i bëri me dashuri të dyja, duke besuar se gjatë gjithë kohës ato i dhanë aq shumë njëra-tjetrës.

Një pjesë të jetës së tij Perse e kaloi në ekzil. Dhe pse Dorothy i kujton si vite jo të lehta, për John ato ishin kohët kur ai iu përkushtua më shumë vetes dhe të shkruarit. Punonte për orë të tëra në një bibliotekë dhe në mendje shkruante. Poezitë e Perse i ngjasojnë një proze të gjatë. Ai nuk shkroi asnjëherë një varg të shkurtër. Ashtu si udhëtimet e tij që nuk ishin asnjëherë të shkurtra dhe një varg nuk ishte i tillë. Vitet e fundit të jetës së tij ai i kaloi në Paris bashkë me Dorothyn. Perse vdiq në vitin 1975, por jetën e tij mund ta gjesh ende të gjallë sot, të ruajtur me kujdes nga fondacionin "Saint-John Perse". "Një poezi mund ta tregojë jetën në versione të ndryshme. Ti lexoje atë në versionin tënd", shprehej John.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›