E Diel, 1 Nëntor 2026

Sheriati dhe teoritë e ndryshme mes myslimanëve të botës

Sheriati, ose ligji i islamit, kuptohet dhe aplikohet në mënyra të ndryshme në botën myslimanë, aq sa është e vështirë që të thuhet saktësisht se çfarë është ai dhe si mund të përfshihet në një kontekst ligjor perëndimor. Ekspertë të islamit i janë bashkuar kështu debatit të nisur së fundmi në Britaninë e Madhe, pasi Arqipeshkvi i Kantëberrit, lideri i anglikanëve të botës, propozoi përfshirjen e tij në ligjin britanik. Ligji i plotë islamik, i kriminalitetit, kodi i ashpër për të cilin mendojnë shumë jomyslimanë kur dëgjojnë që të flitet për Sheriatin, zbatohet në shumë pak vende, të tilla si Arabia Saudite. "Ligji personal" islamik për çështje si martesa dhe trashëgimia, është më i zakonshëm. Arqipeshkvi i Kantëberrit, Rouan Uilliams, shkaktoi një stuhi të vërtetë javën e shkuar me propozimin e tij. Myslimanët britanikë u hodhën në mbrojtje, duke nënvizuar se pjesa më e madhe e botës islame refuzon gjithashtu modelin ultraortodoks që ai gjithashtu e ka refuzuar. "Ka 57 vende myslimane në botë dhe vetëm dy apo tre prej tyre aplikojnë Sheriatin në fushën e kriminalitetit. Përse do të duhej ta zbatonim atë këtu?", pyet sheiku Suhaib Hasan, sekretar i Këshillit Islamik të Sheriatit në Britani. Ka po ashtu edhe interpretime të ndryshme të Sheriatit, të gjithë brenda katër shkollave klasike sunite dhe asaj shiite të jurisprudencës si edhe ndërmjet mendimtarëve modernë. "Në botën myslimane të këtyre ditëve, Sheriati është një varietet gjërash të ndryshme", thotë Xhon Voll, profesor i historisë islamike në Universitetin Xhorxhtaun në Uashington. Uilliams, në dukje ka pasur në mendje një shkollë moderne mendimtarësh myslimanë, që e sheh Sheriatin si një sistem vlerash esenciale islamike dhe jo si një kod i fiksuar dënimesh të ashpra, thotë ai. Shumë shtete myslimane e kufizojnë përdorimin e Sheriatit te "ligjet personale" mbi çështje si martesa, divorci, trashëgimia dhe kujdestaria e fëmijëve. Kritikët perëndimorë thonë se ligjet personale myslimane kufizojnë të drejtat e grave dhe sanksionojnë pabarazinë para ligjit. Egjipti thotë se Sheriati është burimi kryesor i legjislacionit të tij, por ka kod civil dhe penal të bazuar më shumë në ligjet franceze të shekullit të 19-të. Huduti, dënimi trupor dhe kapital i përmendur në Kuran, nuk është aplikuar asnjëherë atje në kohët moderne. Myslimanët nuk mund të konvertohen në fe të tjera dhe jomyslimanët që konvertohen në Islam nuk supozohet që të largohen prej tij, por një gjykatë e ka lejuar këtë për 12 persona në një çështje të rrallë, javën e shkuar. Pakistani ka një ndarje të ngjashme mes kodeve civile dhe penale, që datojnë nga periudha e kolonializmit britanik dhe ligjet personale myslimane. Përveç disa rasteve të rrahjes me kamxhik që kur islamizimi filloi në vitet ‘80-të, dënimet e rënda fizike nuk janë përdorur në këtë vend. Askush nuk është ekzekutuar mbi bazën e një ligji që ndalon blasfeminë kundër islamit, por disa blasfemues të akuzuar janë vrarë nga bandat. Libani ka 18 grupime fetare, ndër të cilët myslimanët e kristianët dhe të gjithë ato kanë gjykatat e veta fetare për ligjet personale dhe ekzistojnë përkrah tyre gjykatat civile për gjithçka tjetër. Në Indi, hindutë, myslimanët dhe ndjekësit e feve të tjera, mund të vendosin nëse duan t‘u nënshtrohen ligjeve personale laike, apo kodeve të tyre fetare. Indonezia, vendi më i madh mysliman në botë është edhe thuajse më i moderuari në terma islamikë. Provinca e saj perëndimore, Aceh, përdor ligjet e Sheriatit, si pjesë e një marrëveshjeje lokale për autonomi, që i është dhënë nga Xhakarta dhe njerëzit janë gjykuar për tradhti, kumar dhe vjedhje. Pjesët veriore të Nigerisë kanë adoptuar një kod Sheriati të ashpër në vitin 2000, por dënimet kanë qenë të rralla. Një grua e shpallur fajtore për tradhti, Amina Laval, është liruar pas apeleve të shumta ndërkombëtare kundër dënimit të saj me goditje me gurë deri në vdekje. Dhjetëra gra të dënuara për tradhti janë liruar gjithashtu. Në kontrast me këtë juridiksion, mendimtarët modernë myslimanë e interpretojnë Sheriatin në një spektër më të gjerë dhe e konsiderojnë atë shprehjen e parimeve universale të Islamit si edhe një mënyrë mendimi që ndihmon aplikimin në jetën e përditshme. Kjo rrymë mund të pranojë ligjet laike si plotësim të Sheriatit në rast se ato reflektojnë vlerat islamike. Edhe thjesht përpjekja për të respektuar etikën myslimane, në një mënyrë, është aplikim i Sheriatit. Ndaj, Arqipeshkvi Uilliams, thotë se Britania e ka përfshirë Sheriatin në sistemin e saj ligjor nëpërmjet ligjeve që lejojnë kreditë islamike pa interes dhe kontratat. Ndërkohë ka edhe nga ata mendimtarë që mbrojnë aplikimin e Sheriatit për minoritetet në një vend perëndimor, nëpërmjet respektimit të vlerave islamike si guida etike për myslimanët dhe jurisprudencën civile si ligj për të gjithë qytetarët e një vendi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›