E Hënë, 2 Nëntor 2026

Qeveria miraton 3 ligje të reja për shoqëritë europiane , Ibrahimaj: Lehtësohet bashkëpunimi me kompanitë shqiptare, pritet të miratohet në Parlament brenda korrikut

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ka bërë me dije vendimet e fundit të miratuara në mbledhjen e Qeverisë, duke theksuar se bëhet fjalë për hapa të rëndësishëm në drejtim të përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian.

Në një dalje për mediat, Ibrahimaj njoftoi miratimin e tre ligjeve që lidhen me krijimin dhe funksionimin e shoqërive europiane, duke theksuar se këto akte ligjore krijojnë një kuadër të ri që më parë nuk ka ekzistuar në Shqipëri dhe që synon të lehtësojë bashkëpunimin mes kompanive shqiptare dhe atyre europiane.

“Është kapitull i lidhur me shoqëritë europiane. Paketë me 9 ligje për t’u miratuar. Do garantojë që shoqëritë tregtare shqiptare do kenë të njëjtat mundësi me shoqëritë europiane. Sot miratuam 3 ligje që lidhen me statutin e shoqërive europiane”, u shpreh ministrja Ibrahimaj.

Ajo sqaroi se ligji i parë krijon kuadrin ligjor për shoqëritë europiane, ndërsa dy aktet e tjera lidhen me format e bashkëpunimit ekonomik dhe grupimet me interes europian.

“Ky ligj krijon kuadër ligjor që s’ka ekzistuar më parë dhe do t’i hapë rrugën një bashkëpunimi mes shoqërive shqiptare dhe europiane”, deklaroi Ibrahimaj.

Sipas saj, ligji i dytë lidhet me shoqëritë europiane të bashkëpunimit, ndërsa ligji i tretë ka të bëjë me grupimet ekonomike me interes europian. Ministrja bëri të ditur se këto akte pritet të kalojnë në Kuvend brenda muajit korrik dhe më pas të plotësohen me një paketë tjetër ligjore, e cila është në pritje të miratimit përfundimtar nga Bashkimi Europian.

“Ligji i dytë që miratuam, ligji për shoqëritë europiane të bashkëpunimit, përmbush kuadrin ligjor për shoqëritë europiane. Ligji i tretë lidhet me grupimet ekonomike me interes europian. Këto tre projektligje pritet të miratohen në Parlament brenda muajit korrik”, tha ajo.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›