E Diel, 1 Nëntor 2026

Akcizat, ministria publikon udhëzuesin

Ministria e Financave ka bërë publik dhe udhëzuesin për zbatimin e ndryshimeve të bëra në ligjin "Për akcizat në Republikën e Shqipërisë", të cilat u argumentuan si një përpjekje e qeverisë për të mbrojtur prodhimin vendas. Në udhëzimet e Ministrisë së Financave parashikohet që autorizimi i akcizës t‘i lëshohet personit që e kërkon atë menjëherë me fillimin e veprimtarisë tregtare dhe është i vlefshëm deri në mbylljen e kësaj veprimtarie, me të paraqitur kërkesën për mbyllje. Në rastet kur aplikanti nuk ka zbatuar kërkesat e ligjit dhe të këtij udhëzimi, organi tatimor mund të kthejë mbrapsht formularin e autorizimit të akcizës së lëshuar si "tatimpagues akcize i autorizuar". Ndërsa në bazë të udhëzimeve të MF-së, miratimi i magazinës tatimore i lëshohet personit që e kërkon atë, menjëherë me fillimin e veprimtarisë tregtare dhe është i vlefshëm deri në mbylljen e kësaj veprimtarie, me të paraqitur kërkesën për mbyllje. Organi tatimor mund t‘i refuzojë formularin e miratimit të magazinës tatimore aplikantit, kur magazina tatimore nuk përmbush ndonjë nga kushtet e përcaktuara më sipër, ose kur aplikanti ka kërkuar miratimin për një operacion që nuk lejohet nga dispozitat e ligjit "Për akcizat në Republikën e Shqipërisë", apo të udhëzimit në zbatim të tij. Në bazë të ligjit, rimbursimi i akcizës mund të kërkohet në rastet kur sasia e pullave të akcizës është prishur ose kjo sasi bëhet e papërdorshme, përpara se ato të ngjiten ose gjatë procesit të ngjitjes, kur ky veprim kryhet nga një makineri, apo kur sasia e pullave të akcizës bëhet e pavlefshme për shkak të ndryshimeve në nivelin e akcizës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›