Qeveria propozon ngritjen e Shërbimit të Provës, deputetët janë dakord parimisht
Komisioni Parlamentar i Ligjeve ka miratuar gjatë mbledhjes së djeshme në parim projektligjin e propozuar nga qeveria për ekzekutimin e vendimeve penale alternative. Ky projekt propozon ngritjen e një institucioni të ri, i cili do të mbikëqyrë zbatimin e vendimeve të gjykatave për dënimet alternative. Përfaqësuesi i Ministrisë së Drejtësisë në Komisionin e Ligjeve, Miran Kopani, e cilësoi projektin si pjesë të paketës ligjore për krijimin dhe funksionimin e plotë të sistemit të dënimeve alternative në Shqipëri. “Shërbimi i provës është një institucion i ri, që nuk ka ekzistuar më parë, dhe mungesa e tij e ka bërë të pamundur ekzekutimin dhe zbatimin në praktikë në Shqipëri të dënimeve alternative. Projektligji është pjesë e paketës ligjore për krijimin dhe funksionimin e plotë të sistemit të dënimeve alternative në Shqipëri. Ndonëse kemi pasur dënime të tilla, ato parashikoheshin si dënime me gjobë, pasi mungonte organi i Shërbimit të provës që do ta mbikëqyrte ekzekutimin e tij”, - është shprehur Kopani. Nga ana tjetër, deputetët e maxhorancës e kanë vënë theksin në domosdoshmërinë e miratimit të këtij projekti, pasi do të ulë shpenzimet e qeverisë. Sipas tyre, një i burgosur i kushton shtetit 56 000 lekë në muaj dhe kjo është një kosto e lartë, që paguhet nga buxheti dhe nga taksat e qytetarëve shqiptarë. Me miratimin e këtij projekti parashikohet që të paktën 400 të dënuar në vit, në vend që të burgosen, mund të detyrohen të punojnë për shtetin, në bazë të vendimit që do të japë gjykata. Deputetët e opozitës e cilësuan këtë projekt si një vendim elektoral që ndërmerr qeveria, pasi koha e zbatimit të tij përkon me periudhën zgjedhore. “Ky projekt është një gjysmë-amnisti që po jep qeveria për zgjedhjet e vitit 2009. Ju po kërkoni të merrni votat e këtyre individëve që përfitojnë nga kushtet lehtësuese të ligjit”,- është shprehur Pandeli Majko. Deputetët e Komisionit e miratuan në parim ligjin, ndërkohë që e shtynë diskutimit për mbledhjen e ardhshme.
25 Shtator 2008