PR-ja vendos të dalë në zgjedhje si pjesë e një koalicioni
Kryesia e Partisë Republikane ka vendosur gjatë një mbledhjeje që të fillojë përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Po kështu, në këtë mbledhje është vendosur që Partia Republikane të futet në zgjedhjet e qershorit 2009 si pjesë e një koalicioni. Sipas kryetarit të kësaj partie, Fatmir Mediu, konkurrimi në zgjedhje si një koalicion i mirorganizuar ka rezultuar pozitiv në përvojat e kaluara. “Në kuadër të bashkëpunimit të së djathtës ne kemi shprehur qëndrimet tona që në kongres dhe është koha për të vepruar dhe për të organizuar një bashkëpunim larg spontanitetit të momentit të fundit, i cili duhet të konsiderojë gjithë përvojën pozitive të këtyre viteve, por dhe fenomenet negative që na kanë shoqëruar. Duhet patjetër të përfitojmë nga përvojat më të mira europiane si në organizimin e koalicioneve, por dhe të fushatës së ardhshme”, - është shprehur kreu i PR-së, Mediu. Në lidhje me Kodin Zgjedhor Mediu u shpreh se problemet me Kodin Zgjedhor duhet të përfundojnë sa me shpejt, për ndryshe çdo përgatitje për zgjedhje do të krijonte probleme për procesin elektoral dhe paqartësi për vetë partitë në këtë fazë. Më tej Mediu tha se “zgjedhjet e ardhshme parlamentare janë një konkurrim i hapur politik, i cili kërkon organizim të qartë elektoral dhe vlerësim real, se si dhe ku duhet t’i fokusojmë energjitë tona”. Ai gjithashtu kërkoi fillimin e përgatitjeve nga të gjitha degët e PR-së në rrethe, për t’u bërë gati për fushatën e ardhshme zgjedhore.
25 Shtator 2008