Minatorët lënë presidencën, i rikthehen grevës normale
Tiranë- Minatorët grevistë janë larguar pak më parë nga vendi para presidencës, ku ishin spostuar që pasditen e djeshme, për t’iu rikthyer grevës normale në ambientin e mëparshëm.
Vendimi është marrë nga vetë drejtuesit e grevës, të cilët janë shprehur për mediat se greva do të vijojë, madje më e fortë se më parë.
Sipas drejtuesit Fiqiri Xibri, këtë radhë greva do të jetë një grevë normale urie. “Pas përkeqësimit të madh të gjendjes shëndetësore të grevistëve ne vendosëm të rinisim grevën aty ku e filluam. Pra një grevë urie normale, pa ndërprerë lëngjet dhe ujin”- tha Xibri.
Sipas tij, nga greva do të largohen 2-3 vetë që janë në gjendje të rëndë dhe nuk mund të përballojnë më grevën e urisë dhe këta do të zëvendësohen me minatorë të tjerë nga rrethet, që janë të gatshëm t’i bashkohen kolegëve.
Xibri gjithashtu do të lërë grevën, sepse si ka deklaruar edhe vetë do të vijojë të merret me organizimin e grevës në rrethe për një solidarizim më të madh, në mënyrë që të jenë të bashkuar për të fituar në kërkesat e tyre.
“Mosarritja e një rezultati deri tani ka si shkak parësor korrupsionin që ka pushtuar qeverisjen”- tha ai.
Gjatë pasdites, grevistët u sinjalizuan nga policia se duhet të lironin vendin para presidencës, pasi greva e tyre në këtë vend nuk ishte e ligjshme.
Pasdite sekretari i Përgjithshëm i Sindikatës së minatorëve, Fiqiri Xibri u dërgua me urgjencë në spital, pasi kishte probleme me zemrën. Gjendje tepër të rënduar shëndetësore paraqesin edhe minatorët e tjerë, që tashmë janë në ditën e 17-të të grevës së urisë.
Ata duken shumë të lodhur, nga koha e gjatë e mungesës së ushqimit, por nëse i pyet se çfarë do të bëjnë, vetëm për tërheqje nuk kanë ndër mend.
“Jemi të këputur, me probleme të shumta tensioni dhe zemre, por nuk tërhiqemi”- kanë thënë minatorët grevistë, që vijojnë grevën e tyre para dyerve të presidencës.
Edhe pas apelit të bërë me zë të lartë për qeverinë dhe kreun e saj, Sali Berisha, asnjë reagim për kërkesat e minatorëve. I vetmi që dha sinjale pozitive ishte Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili dërgoi këshilltarët e vet për të pritur një përfaqësi të minatorëve grevistë.
Në takimin e zhvilluar sot mes palëve u diskutua për këkesat e tyre. Minatorët ngulën këmbë se në këtë drejtim nuk do të bëjnë kompromise. Ata kërkojnë ulejn e moshës së daljes në pension, rritje të pensioneve dhe miratimin me urgjencë të statusit të minatorit.
Sa për indiferencën e qeverisë, minatorët janë shprehur të zhgënjyer dhe kanë deklaruar se Berisha nuk ka guxim të përballet me ata, pasi e di shumë mirë se e drejta këtë radhë është në anën e minatorëve.