Apeli, burg pa afat për Arben Isufajn
Tiranë- Pas vendimit të Gjykatës së Tiranës, sot Gjykata e Apelit ka vendosur “burg pa afat” për Arben Isufaj, njohur ndryshe edhe si ‘Ben Qimja’.
Në seancën e radhës, në ngarkim të tij janë deklaruar provat që provojnë fajësinë e të akuzuarit. Sipas burimeve zyrtare mësohet se në seancë është paraqitur akti i ekspertizës për gjurmët e gishtave të Isufajt, që sapo kishte mbërritur nga Britania e Madhe.
Në bazë të ekspertizës së mbërritur në armën e krimit janë gjetur gjurmët e gishtave të Isufajt. Ky ishte një dokumentacion kyç, sipas akuzës që ka lidhje me provat në ngarkim të tij. Isufaj akuzohet për vrasjen e Pirro Koçiut, 6 vjet më parë.
Gjykata e Tiranës vendosi në 13 qershor, 45 ditë burg për Arben Isufajn, i njohur ndryshe edhe si Ben Qimja.
Sipas burimeve zyrtare të gjykatës, vendimi erdhi pas kërkesës së Prokurorisë. Sipas saj, koha e ndalimit të 39-vjeçarit u cilësua si e domosdoshme për rishqyrtimin e të tjera provave, të dobishme për procesin në ngarkim të të ashtuquajturit kapobanda e Fierit.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, pranuar më pas edhe nga Gjykata e Tiranës, brenda kësaj kohe do të priten përgjigjet e ekspertizës nga Anglia.
Isufaj, i akuzuar për një vrasje në vitin 2002, u ndalua dy ditë më parë gjatë një aksioni të policisë në zonën pranë kopshtit Zoologjik. në kryeqytet, kur ishte në shoqërinë e personave të tjerë. Ndalimi i tij, u shoqërua me një përplasje mes drejtësisë dhe policisë.
Oficerët e policisë kanë nxituar të prangosin Isufajn, pa kontaktuar me Prokurorinë e Tiranës, e cila po e hetonte prej fillimit të këtij viti. Sipas burimeve zyrtare nga prokuroria, vërtet ka pasur një masë arresti nga Gjykata e Tiranës, por kjo masë është rrëzuar nga Gjykata e Lartë.
Më 13 maj të këtij viti, Gjykata e Lartë ka vendosur prishjen e këtij vendimi dhe heqjen e masës së sigurisë ndaj Arben Isufajt, me pretendimin se prokuroria nuk ka asnjë provë që e implikon atë në vrasjen e Pirro Koçiut në vitin 2002.
Por Prokuroria e Tiranës, pas hetimeve disa mujore ka arritur në përfundim se ekzistojnë dyshime të bazuara në prova se shtetasi Arben Isufaj është organizatori i vrasjes së Pirro Koçiut, fakt ky që vërtetohet në analizën e bërë të gjurmëve të gishtave në Angli, ku ka dalë një përputhje prej 90 % të elementëve.
Në ngarkim të Isufajt janë ngritur shumë akuza nga prokuroria shqiptare dhe ajo italiane, por deri më sot, asnjëra prej tyre nuk është vërtetuar nga drejtësia.