E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama: Arkitektët do ngarkohen me përgjegjësi ligjore nëse devijohet nga projekti

TIRANË, 3 tetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama njoftoi sot ngarkimin me përgjegjësi ligjore të arkitektëve, në rastin e devijimit nga projekti i miratuar.

Duke prezantuar disa prej masave ligjore që synojnë zbatimin cilësor të lejeve të ndërtimit, Rama u nda te rritja e garancisë së zbatimit të projekteve arkitekturore përmes përfshirjes detyruese me ligj të arkitektit përgjegjës në procesin e zbatimit të punimeve.

“Për shkak se arkitektët janë në një trysni të madhe nga ndërtuesit për të bërë devijime nga projekti i miratuar dhe ndërkohë nuk janë subjekt i ligjit kemi parë deformime të vazhdueshme në procesin e ndërtimit”, tha Rama.

Duke e kthyer arkitektin në subjekt të ligjit dhe duke e ngarkuar me përgjegjësinë e ndjekjes së projektit, Rama theksoi se “çdo devijim nga projekti bëhet e pamundur për çfarëdolloj presioni nga ana e ndërtuesit, pasi nëse i ikën përgjegjësisë që i ngarkon ligji është ai që paguan pasojat”.

Formalizimi i mënyrës së njoftimit, sipas Ramës është po ashtu një tjetër risi, pasi duke vendosur rregulla të detajuara për institucionet përgjegjëse dhe autoritetet mbikëqyrëse përpara fillimit të çdo lloj punimi, procesi do të jetë i gjithi i gjurmueshëm dhe i dokumentuar.

Po ashtu, Rama tha se do të përcaktohen fazat e kontrollit duke ndarë qartë çdo fazë në periudhën e zbatimit të punimeve me kontroll në kohë të projekteve të miratuara. Edhe ky sipas tij, është një aspekt që ka çaluar shumë deri më sot.

Po ashtu, Rama theksoi se do të forcohen mekanizmat e kontrollit duke përcaktuar 4 faza të detyrueshme kontrolli nga ana e njësive të vetëqeverisjes vendore.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›