E Hënë, 2 Nëntor 2026

Monitorim me kamera i kantiereve të ndërtimit

TIRANË, 3 tetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama njoftoi sot monitorimin e territorit nëpërmjet teknologjisë, si dhe përdorimin e kamerave, dronëve dhe sistemeve GPS për monitorimin e ndërtimit.

Një masë e tillë, sipas Kryeministrit, do të sigurojë kontrollin në kohë reale të zbatimit të lejeve të ndërtimit.

Rama tha se nga ana e Këshillit Kombëtar të Territorit kërkohet vendosja e kamerave në të gjitha kantieret e ndërtimit, në mënyrë që të ndiqet gjithë procesi në kohë reale.

Një tjetër masë e marrë, sipas Kryeministrit, është edhe ndalimi i ndryshimit të aktivitetit, funksionit, apo destinacionit të një objekti apo njësie pa marrë lejen përkatëse nga autoriteti përgjegjës.

“Janë të panumërt shembujt e familjeve që ankohen, sepse blejnë apartament dhe për fqinj nuk kanë një familje tjetër, por kanë një furrë apo një zdrukthtar. Është e mundur të ketë aktivitete të caktuara, por duhen bërë me leje dhe duhet të jenë pjesë e një kategorie të caktuar që nuk tronditin dhe shqetësojnë gjithë të tjerët”, shtoi Rama.

Ndryshimi i destinacionit, sipas Kryeministrit, “parashikon edhe një masë monetare në rast se ndryshimi është bërë pa lejen përkatëse, ndërsa parashikohet edhe detyrimi për ta kthyer në gjendjen e mëparshme”.

Rama nënvizoi se një masë tjetër e rëndësishme është regjistrimi i lejeve të ndërtimit pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës dhe njoftimi i Dhomës Kombëtare të Noterisë.

“Kjo është një tjetër masë për të garantuar që kush blen apartamente apo dyqan është i sigurt që po blen një pronë të regjistruar dhe të regjistrueshme, jo një pronë që do presë me vite se ndërtuesi ka ikur në drejtim të paditur, siç ka ndodhur shpesh”, shtoi ai.

Po ashtu, Rama theksoi se lejet e ndërtimit për objektet rezidenciale duhet patjetër të përfshijnë hapësirën për fëmijët në ambientet e brendshme.

/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›