Rama: Krijojmë Agjencinë Kombëtare të Planifikimit Urban dhe Strehimit

TIRANË, 3 tetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama njoftoi sot se qeveria po përgatit krijimin e një agjencie të re, që do të quhet Agjencia Kombëtare e Planifikimit Urban dhe Strehimit.
Gjatë një konference për shtyp mbi masat për forcimin e kontrollit të territorit dhe ndëshkimin e ndërtimeve pa leje, Rama theksoi se kjo strukturë do të trajtojë me një mënyrë të re çështjen e strehimit, duke u fokusuar si te strehimi social, ashtu edhe te incentivimi për krijimin e mundësive që kategori të ndryshme shoqërorë të kenë akses në banesa me çmime më të përballueshme.
“Ne jemi duke përgatitur krijimin e një agjencie të re që do të jetë Agjencia Kombëtare e Planifikimit Urban dhe Strehimit. Do t’i qasemi në një mënyrë të re çështjes së strehimit, si për sa i përket strehimit social, ashtu edhe për sa i përket incentivave për të krijuar mundësi për kategori të ndryshme shoqërorë që të mund të aksesojnë apartamente me çmime më të arsyeshme”, tha Rama.