Çela: Ka disa hetime për krime zgjedhore

TIRANË, 27 tetor /ATSH/ Kreu i Prokurorisë së Përgjithshme, Olsian Çela, tha sot në Kuvend, se gjatë hetimeve për zgjedhjet e 11 majit janë marrë disa masa konkrete ndaj krimeve zgjedhore dhe përdorimit të administratës publike, ndërsa disa hetime vijojnë ende.
Në përgjigje të pyetjes së nënkryetarit të Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, Çela sqaroi se Prokuroria e Përgjithshme ka forcuar koordinimin me KQZ-në, ka ngritur seksione të posaçme për hetimin e krimeve zgjedhore dhe ka nisur çështje penale në të gjithë territorin e vendit, duke u fokusuar kryesisht te përdorimi i fondeve publike dhe administratës gjatë fushatës.
“Për sa i përket krimeve zgjedhore janë marrë disa masa. Nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme, janë ndërmarrë hapa për forcimin e koordinimit institucional me KQZ, Prokurorinë e Posaçme dhe Policinë e Shtetit me qasje të koordinuar në drejtim të masave institucionale dhe ndërinstitucionale për të rritur efektin e hetimit elektoral. Në vijim të kësaj marrëveshjeje bashkëpunimi, nga ana jonë u riorganizuan puna, brenda sistemit të Prokurorisë. U ngritën sanksione të posaçme për të hetuar krimin zgjedhor. Pra këto ishin masat që u morën, për të përforcuar hetimin në lidhje me krimin zgjedhor. Janë një sërë çështjes penale që kanë filluar hetohen. Janë disa çështje penale të shpërndara në të gjithë territorin e Republikën e Shqipërisë, që lidhen me përdorimin e fondeve publike dhe administratës”, tha Çela.
I pyetur në lidhje me raportin e OSBE-ODIHR, për çështjen e patronazhistëve, Çela tha se, “përdorimi i administratës publike në fushatën zgjedhore është objekt i hetimeve dhe ka nisur nga disa prej prokurorive në rrethe”.
Raporti i kreut të Prokurorisë theksoi angazhimin për të garantuar ligjshmërinë dhe transparencën e procesit zgjedhor dhe për të përforcuar hetimet për krimet elektorale.
Pyetjes në lidhje me arrestimin e avokatit Ulian Barjami, ai tha se masa e arrestit me burg e kërkuar nga prokurori ishte ekstreme dhe e pajustifikueshme.
“Është e papranueshme që nga salla e gjyqit të kalojmë në ndalim. Ne i kemi kërkuar prokurorëve që masa e arrestit të jetë masa e fundit ekstreme, në çdo rast vlerësimi duhet të bëhet shumë i kujdesshëm sesi do i aplikojmë veprat penale. Rasti në fjalë nuk duhej të ndodhte dhe pse mund të ketë hapësirë. Masa e arrestit në burg është ekstreme dhe e pajustifikueshme”, tha ai.
Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela ishte sot i pranishëm në Kuvend, ku prezantoi raportin e punës për vitin 2024 të institucionit që ai drejton.
/e.xh/a.f/r.e/