E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: “Heqja imunitetit, do të shqyrtoj projektligjin”

Autori i Lajmit: red.
Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, konfirmon se është ngritur një grup pune i cili do të shqyrtojë projektligjin shumë të përfolur të Prokurorisë. E rezervuar në deklaratat e saj, Rama tha se “nuk ndihej e kërcënuar në lidhje me imunitetin”. Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, rezervohet në reagimin e saj në lidhje me pr/ligjin e ri për funksionimin e Prokurorisë përpara se ta shqyrtojë atë. E ftuar në një aktivitet të organizuar nga PAMECA sot paradite në Tiranë, kryeprokurorja i është përgjigjur interesimit të gazetarëve për pr/ligjin e ri shumë të diskutuar këto ditët e fundit. Ina Rama konfirmoi se projektligji është dorëzuar nga Ministria e Drejtësisë dhe se Prokuroria ka ngritur një grup pune për të shqyrtuar projektligjin. “Pr/ligji sapo na është vënë në dispozicion nga Ministria e Drejtësisë dhe u është shpërndarë prokurorëve dhe Këshillit të Prokurorisë, të cilët, pas shqyrtimit do të japin dhe mendimin e tyre. Pasi të realizohet ky proces do të vijë edhe mendimi institucional mbi këtë projekt”, – tha për gazetarët zonja Rama. Pyetjes nëse ligji parashikon një ndryshim të nenit mbi imunitetin e Prokurores së Përgjithshme, Rama i është përgjigjur: “Nuk është paraqitur një ndryshim i tillë”. Pavarësisht këmbënguljes së gazetarëve, duke ia përsëritur pyetjen nëse ndihej e kërcënuar në imunitetin e saj, Rama preferoi të mos mbajë asnjë qëndrim në lidhje me këtë projekligj përpara se ta shqyrtojë atë. “Nuk ndihem e kërcënuar në lidhje me imunitetin tim. Gjithsesi për të mbajtur një qëndrim rreth një ligji nuk mendoj se ky është vendi i përshtatshëm. Mendoj se duhet të ulesh, të arsyetosh dhe të japësh argumente”, - sqaroi Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama.
Ky lajm është publikuar: 10/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›