Rama: Interesimi për projekt në Zvërnec që në 2023-shin, zhvillimi vetëm në pronë private

TIRANË, 1 qershor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, informoi sot se investimi në Zvërnec do të zhvillohet vetëm në prona private me tituj pronësie në Kadastër dhe jo në pronë-shtet.
Në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, Rama bëri një kronologji të ecurisë së projektit të paraqitur nga investitorët, i cili sipas tij është miratuar vetëm pasi janë plotësuar kushtet e vendosura.
“Ata u paraqitën për herë të parë në Shqipëri në vitin 2023 dhe pastaj vazhduan me shtetin bisedimet për Sazanin dhe vijuan me privatët punët e tyre. Projekti nuk u miratua në formën e paraqitur fillimisht. Aplikimin e parë e kanë bërë pranë Agjencisë së Zhvillimit të Territorit në datën 10 shtator 2024. Në mbledhjen e datës 25 shtator 2024, KKT e ka rrëzuar projektin dhe ka kërkuar që të zvogëlohet intensiteti i ndërtimit dhe të sigurohet ruajtja e Lagunës. Projekti, gjithmonë flasim për konceptin, jo për projekte ndërtimi, është miratuar vetëm pasi janë plotësuar një nga një kushtet e vendosura. Në vitin 2024 nuk u miratua një projekt arkitektonik”, shtoi Rama.
Kryeministri sqaroi se sot që flasim nuk ka një projekt arkitektonik të miratuar, nuk ekziston.
Rama theksoi se leja e masterplanit ka përcaktuar zonën zhvillimore, parametrat teknikë dhe urbanistikë.
Pasi u refuzua projekti, Kryeministrit theksoi se investitorët kanë angazhuar 5 studio ndërkombëtare nga më të mirat në botë, nga Turqia, Greqia, Danimarka, Japonia dhe Franca.
“Bashkë me këto studio kompania ka angazhuar një grup inxhinierësh, nga më të mirët në botë. Ka angazhuar njëkohësisht edhe inxhinierët e mjedisit, që sot që po flasim vazhdojnë punojnë për të paraqitur studimin mjedisor”, shtoi Rama.
Kryeministri sqaroi se ende sot nuk është paraqitur akoma studimi mjedisor dhe lufta zhvillohet vetëm me një gardh të shëmtuar skandaloz me tela me gjemba, për të cilin kompania që ka marrë përsipër këtu të bëjë gardhin do të paguajë një gjobë të majme.
Ndërsa për dhunën e ushtruar ndaj protestuesit, Rama siguroi se kompania tjetër nuk do të punojë më në Republikën e Shqipërisë.
“Kemi parë se kanë ardhur investitorët, ka ardhur edhe ajo zonja në Vlorë, nuk ka ardhur për pushime dhe fotografi. Ka ardhur në Vlorë me të gjithë grupin e arkitektëve, inxhinierëve dhe kanë bërë gjysmë dite dëgjesë me profesorë të etnologjisë, gjeodezisë dhe të historisë, të cilët kanë folur për të gjitha këto aspekte”, shtoi Rama.
Duke vijuar më tej, Kryeministri informoi se në mars të këtij viti është paraqitur një projekt tjetër i rikonceptuar me një qasje tërësisht ndryshe projektuese, zhvillimore dhe mjedisore.
“Këshilli Kombëtar i Territorit, ‘tregtarët’ që për llogari timen shesin Shqipërinë, nuk e kanë miratuar të gjithin ashtu siç e ka paraqitur subjekti zhvillues, por kanë vendosur kushte përsëri, të shkruara dhe kufizime konkrete për vijimin e projektit”, informoi Rama.
Së pari, Kryeministri theksoi se është e shkruar, projekti do të zhvillohet vetëm në prona private me tituj pronësie në Kadastër dhe në asnjë pronë tjetër të kontestuar ose që mund të rezultojë për momentin tokë-shtet.
Po ashtu, Rama tha se në projekt është e shkruar se Laguna nuk preket dhe se zhvillimi nuk mund të përfshijë marinë.
“Është e shkruar. Kishte marinë në versionin e parë dhe të dytë të projektit dhe u hoq.
Dhe për marinën është kërkuar që të hartohet më pas një projekt i detajuar dhe në konsultim me të gjitha institucionet përgjegjëse, pasi të jetë parë projekti tjetër në tërësi”, shtoi Rama.
Po ashtu, Rama theksoi se në projekt përcaktohet brezi mbrojtës që duhet të respektohet nga vija bregdetare e lagunës.
“Kjo do të përcaktohet pas përfundimit të studimit nga studio ndërkombëtare mjedisore edhe pas koordinimit nga autoritetet përgjegjëse. Kjo distancë duhet të ruajë peizazhin natyror, cilësinë e habitatit dhe të garantojë procese ekologjike karakteristike të zonës. Kjo është e shkruar në projekt dhe nuk është shkruar këto ditë kur ju shkruani se unë po shes Shqipërinë dhe po ju tradhtoj juve, por është e shkruar më parë, kur ka ardhur kompania dhe është përballur me të gjitha vërejtjet dhe me vendimin e radhës”, tha Rama.
Nga ana tjetër, Rama theksoi se investitorët thonë nuk kemi pritur kurrë se në Shqipëri shteti do të jetë aq rigoroz.
“Megjithëse, ata kryesorët nga SHBA, që ditën e parë që jemi takuar, më kanë thënë ‘çdo gjë sipas librit të ligjit, asnjë gjë jashtë librit të ligjit. Nuk kemi ardhur në Shqipëri të importojmë barcaleta dhe filma, por veten, se boll kemi. Kemi ardhur në Shqipëri të bëjmë një investim për Shqipërinë për ne dhe për Europën’”, tha Rama. /j.p/r.e/