Rama: Pishë Poro nuk është zonë e mbrojtur, por peizazh i mbrojtur kategoria V

TIRANË, 1 qershor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama shpjegoi sot kategorizimin e zonës së Pishë Poros në Zvernec, duke sqaruar se ajo nuk bën pjesë në kategoritë më të rrepta të zonave të mbrojtura, por klasifikohet si peizazh i mbrojtur.
Rama tha se përfshirja e zonave të caktuara në sistemin e mbrojtjes së natyrës është bërë gjatë mandatit të parë të qeverisë së Partisë Socialiste, në vitin 2017, me synimin për të mbrojtur territoret e rrezikuara.
“Ka qenë kjo shumicë parlamentare e PS-së, ka qenë qeveria e kësaj partie dhe unë si kryeministër në mandatin tonë të parë kur kemi futur në zonë të mbrojtur të gjitha ato territore që kanë qenë të kërcënuara në vitin 2017. Por ajo që dua t’ju them është se Pishë Poro nuk është një zonë e mbrojtur e kategorisë së parë apo të dytë, por klasifikohet sipas IUCN si kategori e pestë, peizazh i mbrojtur”, deklaroi kryeministri.
Sipas tij, kjo kategori bazohet në konceptin e bashkëjetesës mes natyrës dhe aktivitetit njerëzor, ekonomik dhe turistik, duke lejuar zhvillim të kontrolluar.
“Sa më lart shkohet me kategoritë 1 dhe 2, aq më e vështirë është ndërhyrja njerëzore. Ndërsa kategoria 5 është ndërtuar mbi konceptin e bashkëjetesës së natyrës me aktivitetin ekonomik, social dhe turistik. Ndaj kategoria 5 nuk konsiderohet si zonë pa zhvillim, pasi është një zonë ku banojnë njerëz. Pra është zonë ku peizazhi dhe njerëzit kanë jetuar dhe do të vazhdojnë të jetojnë përgjithmonë” tha Rama.
Ai shtoi se në Europë ekzistojnë shumë zona të ngjashme lagunore ku zhvillohet aktivitet i plotë ekonomik dhe social, duke e bërë këtë model të zakonshëm për vende me peizazhe të ngjashme.
Rama theksoi gjithashtu se sistemi shqiptar i zonave të mbrojtura është i harmonizuar me standardet e Bashkimit Europian dhe se kategoria V nuk përjashton zhvillimin e kontrolluar në këto territore.
e.xh/j.p/