E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Projekti në Zvërnec nuk prek territorin e Parkut Kombëtar të Vjosës

TIRANË, 1 qershor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, tha sot se ndryshimet në ligjin për Zonat e Mbrojtura gjatë vitit 2024, u bënë me synimin për të krijuar një ekuilibër më të drejtë mes zhvillimit të territorit dhe mbrojtjes së zonave të veçanta.

Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së, Rama sqaroi se ligji ekzistues nuk pasqyronte realitetin e krijuar në disa zona të vendit, duke përmendur si shembull Thethin.

Ai theksoi se legalizimet e ndërtimeve të ngritura pas rënies së diktaturës në këtë zonë u bënë të mundura pas ndërhyrjes ligjore të vitit 2024.

“Në vitin 2024 kemi bërë një amendim të ligjit me një kërkesë të kryebashkiakëve të vendit dhe pastaj mes deputetëve, për një ekuilibër të drejtë mes potencialit për zhvillim të territoreve dhe mbrojtjes, sepse ligji ekzistues nuk merret parasysh në territori realitetin e tranzicioneve sepse Thethi është një realitet është një zonë e mbrojtur. Legalizimet e pas diktaturës në Theth janë bërë pas kësaj ndërhyrje ligjore, sepse ishte një realitet i krijuar. Ndërhyrjet e paligjshme të parregulluara duheshin rregulluar.”, tha Rama.

Sa i përket projektit në Zvërnec, kreu i qeverisë tha se nuk po zhvillohet në grykëderdhjen e lumit Vjosë dhe nuk prekin territorin e Parkut Kombëtar të Vjosës.

“Njëkohësisht nga ana tjetër peizazhi i mbrojtur Pishë-Poro-Nartë, deri në vitin 2020 quhej Vjosë-Nartë, dhe këtu është një manipulim i madh, nuk po ndërtohet në Vjosë, nuk po shkatërrohet grykëderdhja e Vjosës, zona e këtij projekti nuk ka lidhje me zonën e mbrojtur të parkut kombëtar të Vjosës, zona e mbrojtur e Parkut Kombëtar të Vjosës e ka nivelit më të lartë të mbrojtjes dhe aty nuk mund të bëhen dot rezorte”, tha Rama.

/m.q/ /a.g/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›