E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Jo e largët dita kur Shqipëria mund të ketë gruan e parë kryeministre socialiste

TIRANË, 11 prill /ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste, shprehu sot bindjen se nuk është edhe aq e largët dita kur Shqipëria mund të ketë edhe gruan e parë kryeministre e cila do të jetë socialiste.

Në një takim me gratë dhe vajzat socialiste, Rama u shpreh se “arsyeja pse ne jemi të pathyeshëm dhe garancia më e madhe e PS-së në çdo përballje zgjedhore janë gratë dhe vajzat”.

Kryeministri theksoi se sot gratë dhe vajzat kanë 71 përfaqësuese në skuadrën e PS-së për zgjedhjet e 11 majit dhe kanë 1/3 e drejtueseve politike të PS-së gra.

Rama tha se “shifra prej 52% gra në listën e mbyllur të PS-së është shifra më kuptimplotë”.

Kryeministri theksoi po ashtu se “askush, asnjëherë më parë nuk e ka luftuar korrupsionin dhe krimin si ne”.

“I them të gjithë atyre që i bien fyellit po në të njëjtën vrimë, se me demek kjo parti, që për hir të së vërtetës ka pasur problematikën e vet si gjithë shoqëria në një fazë të caktuar, ka mbështetjen e krimit prandaj është e pathyeshme. Këtë e thonë pa pushim njerëz që kanë vrarë në bulevard me pushkën e shtetit apo ata që mllefin e pangushëllueshëm e kanë si motiv për t’u zgjuar në mëngjes dhe turrur në darkë në moçalet e kënetës mediatike. Nuk ka asnjë gjë më larg nga kjo, sepse askush, asnjëherë më parë nuk e ka luftuar korrupsionin dhe krimin si ne. Ata do të vazhdojnë t’i bien atij fyelli, por arsyeja pse ne jemi të pathyeshëm dhe garancia më e madhe e PS-së në çdo përballje zgjedhore janë gratë dhe vajzat”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se gjithmonë ka besuar se hendekun absurd të tifozllëkut, konfliktualitetit dhe luftës politike të trashëguar nga e kaluara mund ta ngushtojnë vetëm gratë dhe vajzat.

“Sot Kuvendi i Shqipërisë drejtohet nga një grua socialiste e cila zëvendësoi një tjetër grua socialiste. Jam i bindur që nuk është edhe aq e largët dita sa mund të dukej deri dje, kur Shqipëria mund të ketë edhe gruan e parë kryeministre, dhe as e diskutoj fare se do të jetë socialiste”, tha Rama.

/r.e/ /a.g/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›