Rama: Thuajse 30% e sipërmarrjeve aktive drejtohen nga gratë

TIRANË, 11 prill/ATSH/ Kryeministri, njëherazi kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi sot se pjesëmarrja e grave dhe vajzave në sipërmarrje është rritur ndjeshëm në vitet e fundit duke shkuar në thuajse 30%.
“Jam i inkurajuar nga një fakt tjetër. Numri i grave sipërmarrëse në Shqipëri, në drejtimin e ndërmarrjeve aktive ka arritur në thuajse 30% dhe kjo është një tjetër shifër e paimagjinueshme deri disa kohë më parë”, u shpreh Rama, në takimin me gratë dhe vajzat socialiste, i cili i paraprin çeljes së fushatës për zgjedhjet e 11 majit, mbajtur në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit dhe njëkohësisht në 11 qarqet e tjera të vendit.
Sipas Ramës, sot në administratën publike janë më shumë sesa gjysma dhe po ashtu më shumë sesa gjysma e drejtuesve në administratë janë gra dhe vajza.
“Kur ne kemi ardhur në detyrë gratë dhe vajzat me uniformën e Policisë së Shtetit ishin më pak se 5%. Ndërsa sot ato janë 3-fish. Nga kontributi i tyre u kemi parë hajrin edhe në disa pozicione të posaçme që u krijuan për to, në ndihmë të grave të dhunuara apo në mbrojtje të fëmijëve të rrezikuar. Ndërkohë që publiku e ka pritur shumë mirë edhe përfshirjen e tyre në patrullën e përgjithshme”, nënvizoi ai.
Kreu i PS-së vuri në dukje se edhe pjesëmarrja e grave dhe vajzave në Forcat e Armatosura ka njohur rritje.
“10% ishin gratë dhe vajzat me uniformë në FA. Sot janë mbi 20%. Por më e rëndësishme akoma është që 22% e tyre janë me gradë oficeri”, deklaroi Rama.
Rama po ashtu theksoi se gratë dhe vajzat patën rolin kryesor në vendimmarrjen për mbylljen e platformës “TikTok”.
“Nuk e di nëse ne do të kishim arritur të mbyllnim TikTok, dhe të merrnim në mbrojtje fëmijët tanë nga ato kanosje e frikshme të asaj platforme pa ndjeshmërinë e posaçme të nënave të nxënësve dhe njëkohësisht të grave dhe vajzave, mësuese, të cilat përbëjnë 80% të trupës kombëtare mësimore. Por ajo që unë di, është se mbështetja e tyre për idenë e mbylljes së asaj platforme ishte pothuajse 100%, ndërkohë që burrave jo edhe aq. Unë di po ashtu se ndotësit më të mëdhenj të rrjeteve sociale, nuk janë gratë dhe vajzat. Është tjetër kush. Ashtu sikundër edhe ndotësit e të gjithë mexhelisit të debatit publik dhe mediatik, përkasin botës mashkullore”, deklaroi Rama.
/r.e//a.g/