E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Ky popull nuk ka për ta ndryshuar qeverinë, pa ndryshuar më parë opozitën që s’do

TIRANË, 14 maj/ATSH/ Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi sot se “kjo fitore me notën 10, të cilën e kisha parandjerë dhe paralajmëruar prej shumë kohësh mund të jetë e pakuptueshme për ata që as nuk e kanë kuptuar që Shqipëria sot është një Shqipëri krejt tjetër nga ajo dje dhe as nuk duan ta kuptojnë që ky popull nuk ka për ta ndryshuar kurrsesi qeverinë që ka, pa ndryshuar më parë opozitën që s’do”.

Në një fjalim falënderues për qytetarët shqiptarë pas fitores së zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, Rama tha se “kjo fitore nuk është hiç e pabesueshme as për mua, që e kam kërkuar përditë qysh 4 vjet më parë në momentin që sapo kam zbritur nga podium në mbrëmjen e fitores së mëparshme dhe nuk është hiç e pabesueshme për të gjithë ata që nisur edhe nga shumë këtu duke filluar nga drejtuesit politikë të qarqeve që bashkë me mua punuan shumë fort për 4 vjet me radhë për ta sjellë në shtëpinë tonë rezultatin historik të 11 majit”.

Rama u shpreh se “koha do ta thotë nëse rezultati i kësaj përballjeje me kundërshtarët tanë të kahershëm dhe të pandreqshëm është në fakt rezultati i një përballje përfundimtare me historinë tonë të mundimshme, në kushtet kur na ra ne shansi t’ia ndryshojmë përgjithmonë rrjedhën historisë”.

Kryeministri Rama theksoi se “në kryqëzimin mes një palë zgjedhjesh politike për partinë që do të qeverisë katër vitet e ardhshme dhe një mundësie historike që Shqipëria 2030 të bëhet zonjë anëtare e familjes së bashkuar europiane ne u bëmë partia që e mishëroi fuqishëm mundësinë historike në sytë e shqiptarëve që e duan zonjën Shqipëri ne sofrën e BE-së dhe veten e tyre qytetarë të barabartë në Bashkimin Europian”.

Më tej Rama theksoi se “”të tjerët u munduan të na rendnin pas me harje lebetitëse dhe premtime ulëritëse por dora dorës mbetën mbrapa deri sa mbetën shumë mbrapa”.

Megjithatë, vijoi Rama, edhe pse rezultati përfundimtar s’ka dalë akoma mbase mbetet mbase s’mbetet prapë i njëjti, dua të përgëzoj udhëheqësit e partive të vogla opozitare , të cilët bënë betejat e tyre jo të lehta dhe i mbijetuan presionit jo të vogël të ajrit mes forcave të mëdha kryesore.

“Uroj që të mos ecin në gjurmët e opozitës së vjetër dhe të falimentuar totalisht, por të gjejnë mënyrat dhe durimin për tu rritur si alternativa dhe jo si volume zanore në mexhelisin tonë politik”, tha Rama.

Kryeministri Rama theksoi se “mandati që ne po mbyllim ishte deri tani mandati më i fortë qeverisës i një partie politike qysh prej 1992. Ndërsa që ky sapo na kanë dhënë shqiptarët do të jetë një mandat politikisht po aq i fortë sa ai i atij viti kthese në historinë politike të Shqipërisë pikërisht më 1992. Ne do të bëjmë të pamundurën që ta bëjmë edhe një mandat po aq domethënës edhe historikisht duke i mbyllur brenda vitit 2027 negociatat për anëtarësimin Shqipërisë në BE dhe duke vendosur karrigen  e Shqip në tryezën europiane në vitin 2030”.

/k.s/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›