Rama: Mbështetje buxhetore për fuqizimin e Inteligjencës Artificiale në universitete

TIRANË, 1 tetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama theksoi sot domosdoshmërinë e planifikimit të mbështetjes buxhetore për përfshirjen e Inteligjencës Artificiale në universitete.
Gjatë firmosjes sot të marrëveshjes së bashkëpunimit mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Universitetit Politeknik të Tiranës për praktikat e paguara të punës për studentët, Rama u bëri thirrje pedagogëve e studentëve që të angazhohen sa më shumë për të punuar së bashku në funksion të rritjes së komponentit të Inteligjencës Artificiale në të gjithë hapësirat e universiteteve.
“Është domosdoshmëri që në çdo universitet ne të krijojmë sa më parë hapësirat për t’i dhënë mundësi pedagogëve dhe studentëve që të aktivizojnë talentet dhe dijet për Inteligjencën Artificiale. Është absolutisht e domosdoshme dhe e mundur dhe mbi të gjitha ajo që e bën ekzaltues IA është se ka pak rëndësi se në cilën pikë të globit ndodhesh dhe në cilin rresht të klasifikimit të vendeve ndodhet vendi ku ti jeton”, shtoi Rama.
Kryeministri theksoi faktin se përmes IA mund të bëhen kapërcime epokale, të cilat përndryshe do të ishin krejtësisht të pamundura, pavarësisht talenteve, ambicieve dhe vullnetit.
Ndaj, Rama theksoi se “duhet të përgatitemi që edhe në buxhetin e vitit të ardhshëm dhe buxhetet e viteve të ardhshme të kemi një komponent për të mbështetur të gjitha sprovat që do t’ia vlejnë të mbështeten në këtë drejtim”.
Duke folur për infrastrukturën e universiteteve, Rama siguroi se qeveria do të mbështesë UPT për t’u fuqizuar me laboratorët dhe teknologjinë e nevojshme.
“Më vjen shumë mirë që ‘Pakti për Universitetin’ funksionon edhe në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës. Faktikisht ky universitet po fuqizohet me dy struktura të reja moderne, që do të garantojnë hapësirë dhe kushte optimale për studentët nga inxhinieria, deri te gjeologjia”, tha Rama.
Kryeministri siguroi se “nuk do të mjaftohemi me kaq”.
“Përtej kësaj infrastrukture të re dhe të domosdoshme është po kaq e domosdoshme që ne ta mbështesim universitetin për t’u fuqizuar me laboratorët dhe teknologjinë e nevojshme, në mënyrë që ndryshimi epokal që po ndodh kudo në botë ta përfshijë fuqimisht edhe universitetin”, tha ai.
/r.e/