E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Nga investimi në Zvërnec fiton Shqipëria, nuk mund të heq dorë nga vizioni për zhvillimin turistik

TIRANË, 1 qershor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, siguroi sot se fëmijët e Shqipërisë do të jenë përfituesit nesër të këtij investimi në Zvërnec.

Në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, Rama u shpreh se e kupton shumë mirë zemërimin e qytetarëve, të shkaktuar nga shumë të pavërteta që kanë ngritur një dallgë zemërimi lidhur me investimin në Zvërnec.

“E kuptoj shumë mirë zemërimin tuaj dhe kam dy ditë që pyes veten, dhe po flas shumë hapur, a duhet t’jua tregoj një nga një anën tjetër të kësaj medaljeje me prioritetin shumë të lartë që ju të mos vazhdoni dhe të besoni e të më shikoni mua si tradhtar të ulur e të shitur sa tek të huajt e sa tek oligarkët?”, tha Rama.

“Apo mos vallë duke thënë më falni, gabuam, nuk e gjykuam mirë këtë punë, projekti do të anulohet dhe ju të qetësoheni, të shijoni fitoren e një kauze që e parë nga ana juaj e medaljes është vërtetë fisnike. Dhe ju do të mendonit se vërtet e mbrojtët Shqipërinë nga një e keqe e madhe”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se nëse bën një gjë të tillë atëherë do të heqë dorë nga vizioni që ai ka për zhvillimin e vendit, vizion për të cilin edhe u votua masivisht.

“Ndërsa unë pasi ta bëj këtë të vazhdoj të rri në karrige, të shtyj kohën e pushtetit me shijen e hidhur të një humbjeje të madhe për Shqipërinë, për ju, për fëmijët e sotëm të Shqipërisë që do të jenë përfituesit nesër të këtij investimi. Po përse duhet ta bëj unë këtë? Për pushtetin? Për karrigen? Apo për baltën që e marr në fytyrë dhe që me vjen përditë mbi të gjallët e të vdekurit e shtëpisë sime prej vitesh nga turlilloj kundërshtarësh politikë dhe mediatikë, të cilët i kam duruar dhe i duroj pikërisht sepse këtë mision e mbaj ende përsipër edhe në emër të shumëkujt nga ju që më ka besuar votën dhe sot i është bashkuar zemëratës në rrjetet sociale duke më treguar me gisht mua si prurësin e një  fatkeqësie të madhe kombëtare”, vijoi Rama.

“Për çfarë më duhet mua karrigia, pushteti, nëse unë duhet të heq dorë nga vizioni që kam ndarë me ju gjithë këto vite duke nisur nga Shqipëria e 2 milionë turistëve, ku edhe paraardhësi ynë numërohej si turist sa herë hynte e dilte nga vendi për shërbime”, shtoi Rama. /j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›